Kodheli: U vra shpresa për një sistem gjyqësor që jep drejtësi
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë përfunduar pastrimin e mbi 386 mijë metra katrorë sipërfaqe të fshatrave Gërdec, Marqinet 1 dhe 2 dhe Vorës.
E gjithë kjo sipërfaqe i është dorëzuar e pastruar pushtetit vendor nga ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, 8 vjet pas tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz dhe mbi 300 të tjerë mbetën të plagosur.
Në fjalën e saj, ministrja Kodheli e konsideroi vendin e shpërthimit si “fabrika e vdekjes” dhe humbjen e jetëve njerëzore si një tragjedi përtej çdo imagjinate.
“Përmasat e tragjedisë ishin përtej çdo imagjinate njerëzore. Babëzia e një tufe njerëzish të veshur me pushtetin e kohës, vrau, grabiti dhe i shpëtoi drejtësisë. Në atë mesditë të ngrohtë të 15 marsit 2008, humbën jetën fëmijë, gra e burra të pafajshëm. Por u vra dhe shpresa për një sistem gjyqësor që jep drejtësi“, tha ministrja Kodheli.
Duke folur për procesin e territorit të kontaminuar nga municionet dhe mbetjet e rrezikshme, ministrja Kodheli përmendi vendosmërinë e MM-së dhe FA-së në këtë proces, pa harruar mbështetjen e aleatëve e partnerëve ndërkombëtarë. “Forcat e Armatosura kanë përfunduar pastrimin e të gjithë zonës së kontaminuar nga municionet ushtarake. Ky proces është certifikuar plotësisht për të gjithë hapësirën në të cilën gjendemi. Ministria e Mbrojtjes sot po ia dorëzon këtë hapësirë të pastruar, përfaqësuesve të pushtetit vendor”, tha Kodheli.
Ministria e Mbrojtjes, e mbështetur pa rezerva nga aleatët e partnerët ndërkombëtarë, sipas saj, ka ndërmarrë një reformë të qartë konsolidimi, duke reduktuar maksimalisht depot e magazinimit të municionit, duke shkatërruar një sasi të konsiderueshme të rezervave të municionit si dhe duke pastruar hot spot-et ekzistuese me municione të paplasura.
“Në gjithë këtë përpjekje për shndërrimin e Shqipërisë në një vend sa më të sigurt, ne jemi ndihmuar maksimalisht nga një numër i konsiderueshëm shtetesh aleate e partnere dhe shumë organizata ndërkombëtare. Falë ndihmës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Danimarkës, Suedisë e Kosovës, që me fonde e personel kanë asistuar në projektet e pastrimit, ne sot ecim mbi një tokë më të sigurt. Falë mbështetjes së OKB-së, BE-së dhe OSBE-së ne sot kemi një Shqipëri më të sigurt”, tha Kodheli, e cila falënderoi gjithashtu ushtarakët shqiptarë për kontributin dhe profesionalizmin e treguar në këtë proces, duke i cilësuar ata si “bijtë më të denjë të vendit.”
Duke iu referuar shkakut të tragjedisë së Gërdecit ministrja Kodheli shprehu angazhimin e saj personal “për të pastruar Forcat tona të Armatosura nga gjithë hijet e korrupsionit, trafiqeve dhe keqpërdorimit.”
Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, Ministria e Mbrojtjes dhe FA mbollën 1 mijë rrënjë ullinj në Gërdec, në kuadër të pastrimit të kësaj zone nga municionet dhe në kuadër të masave që qeveria shqiptare po ndërmerr krahas moratoriumit 10 – vjeçar për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve.
Diskutime rreth kësaj post