Ish Ambasadori i OKB : “Mos merrni muxhahedinë”
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Sejdi Qerimaj, në një korrespondencë të zhvilluar me ishkryeministrin Sali Berisha në vitin 2012, i sugjeron atij që për Shqipërinë është më mirë të japë ndihmë financiare sesa të strehojë përfaqësues të opozitës iraniane.
Në kopjen e siguruar nga “Panorama” të kësaj korrespondence, ambasadori i OKBsë informon ish-kryeministrit Berisha lidhur me dy takime të zhvilluara në Gjenevë, në kuadrin e përpjekjes për gjetjen e zgjidhjes për rezidentët e Kampit “Ashraf” në Irak.
Sipas kësaj korrespondence, më 15 mars 2012, ambasadori Qerimaj ka zhvilluar një takim me Volker Türk, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen Ndërkombëtare pranë Komisariatit të Lartë për Refugjatët (UNHCR), ku edhe iu kërkua që Shqipëria të marrë një grup refugjatësh, të pranojë vendosjen e një platforme të përkohshme shpërndarjeje dhe të japë një ndihmë financiare për projektin e UNCHR-së.
Ndërsa në një tjetër takim të organizuar më 23 mars 2012 nga UNCHR, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues të 30 vendeve të tjera të botës, ambasadori i Shqipërisë në OKB, në fjalën e tij theksoi se vendi ynë po shqyrtonte të gjitha mundësitë për dhënien e kontributit të tij në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi.
Në fund të korrespondencës, ambasadori Qerimaj i sugjeron ish-kryeministrit Berisha se dhënia e një ndihme financiare, edhe modeste, do të mjaftonte si kontribut i Shqipërisë në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi. Pavarësisht kësaj, ishkryeministri Berisha, pas konsultave dhe dakordësisë me SHBA, pranoi që në vendin tonë të strehoheshin përfaqësues të opozitës iraniane.
Letra e plotë e ambasadorit në OKB për Berishën
Nr.Prot.143 Gjenevë, më 26 mars 2012
Lënda: Mbi çështjen e disidentëve iranianë rezident të kampit Ashraf
Drejtuar: SH.T.Z. Sali BERISHA Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
I nderuar Zoti Kryeministër,
Më lejoni t’Ju drejtohem për t’Ju informuar mbi dy takime të zhvilluara në Gjenevë, në kuadrin e përpjekjes për gjetjen e zgjidhjes për rezidentët e Kampit Ashraf në Irak*.
*Sqarim: Në qershor 2008, Qeveria e Irakut ka vendosur mbylljen e Kampit në Ashraf, ku jetonin rreth 3 200 disidentë iranianë që prej viteve 1980. Në vitin 2011, Qeveria e Irakut vendosi të zgjasë afatin e mbylljes së Kampit deri më 30 prill 2012. Në shtator 2011, pranë UNHCRsë u përcollën rreth 3 246 aplikime për statusin e refugjatit nga Kampi Ashraf. Kampi është në proces për t’u zhvendosur në zonën e Aeroportit të Bagdatit, në ish-kazermat e ushtrisë amerikane, si fazë e fundit për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare jashtë Irakut.
Së pari, më 15 mars 2012, ambasadori ynë pranë Zyrës së OKBsë në Gjenevë priti në një takim z. Volker Türk, drejtor i Departamentit për Mbrojtjen Ndërkombëtare pranë Komisariatit të Lartë për Refugjatët (UNHCR), me kërkesën e tij.
Drejtori Türk i shprehu falënderimet e tij Shqipërisë për ndihmën e dhënë në vazhdimësi për UNCHR-në (citoi rastin e marrjes së të liruarve nga burgu i Guantanamos) dhe kërkoi shqyrtimin e mundësisë nga ana e Qeverisë shqiptare për: 1. marrjen e një grupi refugjatësh, 2. pranimin e vendosjes së një platforme të përkohshme shpërndarjeje, 3. dhënien e një ndihme financiare për projektin e UNCHR-së, Ambasadori Qerimaj e garantoi z. Turk se do t’i përcillte pranë autoriteteve shqiptare kërkesat e UNCHR-së dhe se Qeveria e vendit tonë do të shqyrtonte të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi.
Së dyti, në datën 23 mars 2012, ambasadori ynë pranë OKB-së, z. Sejdi Qerimaj, mori pjesë në takimin e zhvilluar nga UNHCR-ja për gjetjen e strategjive për zgjidhjen e çështjes së ish-rezidentëve të Kampit Ashraf në Irak. Në këtë takim, në të cilin merrnin pjesë edhe znj. Erika Feller, zv.komisare e Lartë për Refugjatët; z. Martin Kobler, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKBsë për Irakun, si dhe ambasadorë e përfaqë sues të rreth 30 vendeve të ftuar nga komisioneri i Lartë për Refugjatët, z. Antonio Gutierrez. Për të diskutuar për gjetjen e zgjidhjes për rezidentët e Kampit Ashraf.
Ambasadori ynë, z. Qerimaj, e mori fjalën në këtë takim dhe u shpreh se Qeveria shqiptare do të shqyrtonte të gjitha mundësitë për dhënien e kontributit të saj në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi. Vetëm dy nga 30 përfaqë suesit e vendeve dhe organizatave humanitare, pjesëmarrëse në këtë takim, premtuan ndihmë konkrete: përfaqësuesi i SHBA-ve, z. Dan Fried premtoi një ndihmë prej 7 milionë USD, ndërsa Italia premtoi një ndihmë prej 300.000 eurosh për këtë projekt.
Në fund të takimit, znj. Erika Feller, zv.komisare e UNCHRsë dhe z.Martin Kobler, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Irakun, falënderuan përfaqësuesit e SHBA-ve, Italisë dhe Shqipërisë për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar projektin për gjetjen e zgjidhjes së rezidentëve të Kampit Ashraf.
Mendimi ynë
Shumë pak shtete kanë shprehur dëshirën për të marrë refugjatë nga ky grup. Kjo vjen për shkak të veprimtarisë së tyre të mëparshme, që kishte çuar në përfshirjen e këtij grupi në listën e grupeve terroriste nga SHBA-të dhe BE-ja.
Dhënia e një ndihme financiare, edhe modeste, do të mjaftonte si kontribut i Shqipërisë në përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,
Ambasadori Sejdi Qerimaj
Diskutime rreth kësaj post