Fëmijët e fshatit Konjat, Lushnje, për të shkuar në shkollë, e cila ndodhet në Dushk, ecin 1,5 km në këmbë mbi shinat e trenit, duke u ekspozuar ndaj rrezikut, pasi treni është funksional dhe kalon dy herë në ditë aty.
Ky problem madhor për këta fëmijë është trajtuar mbrëmjen e së martës në “Fiks Fare”. Në mungesë të një rruge fëmijët e fshatit Konjat detyrohen të ecin mbi shina. Nxënësit shprehen se e bëjnë të njëjtën rrugë mbi shinat për më shumë se 11 vjet. Ata thonë se ekziston edhe një tjetër rrugë për të shkuar në shkollë, por ajo është më e gjatë dhe në shumicën e kohës me baltë.
“Rruga që është më e afërt është thuajse gjithmonë me baltë, pa shtruar. Ne më mirë e kemi të kalojmë nga shinat e trenit për të shkuar në shkollë, megjithëse jemi të rrezikuar”, shprehet njëri nga nxënësit.
Për këtë problem gazetari i “Fiks Fare” shkoi në Bashkinë e Lushnjes, ku nënkryetari i saj tha se është duke u parë si mundësi që këta fëmijë të ndihmohen me transportin. Ai tha se është zgjedhje e fëmijëve për të kaluar mbi shina, pasi ekziston një rrugë tjetër. “Ndoshta zgjedhin këtë rrugë për ti rënë më shkurtë”, u shpreh Gentian Nushi.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post