Ben Blushi, një profil i paautorizuar. Nga përgojimet për vajzën e Qazim Sejdinit, tek Tuaregu dhuratë nga një prej atyre që sot ai e quan “klient të Rilindjes”. Karriera e një politikani që dikur “luante” me përqindjet e fajdeve.
Historia e një gazetari që bëhet politikan nuk është e re në Shqipëri. Aq më pak, në botë. Madje, në rastin e Ben Blushit mund të flitet më tepër për një politikan që paralelisht me këtë karrierë, shfaqi edhe damarin e tij të shkrimtarit, ku e ku më tepër sesa e kishte demonstruar kur punonte si gazetar. Në karrierën e parë, kolegët dhe bashkëkohësit që u gjendën atypari (tek Koha Jonë e viteve ‘96-98) flasin fjalë të mira për një menaxher të veçantë redaksie, çka padyshim është pjesë e zanatit të drejtuesit të gazetarëve. Por flasin gjithashtu edhe për një “lojë” jo fort gazetareske me botimin çdo ditë, në vend të dukshëm, të përqindjeve të reja të fajdeve që përditësonin firmat piramidale shqiptare, që sipas presidentit Berisha, kishin në duar paratë më të pastra në botë. Se çfarë ndodhi kur plasi tollumbacja e fajdeve, e dimë të gjithë.
Sot Ben Blushi është personazh kryesor në media të shkruara, elektronike e ekrane televizive, për shkak se ka vërejtur vonesë dhe moszbatim të statutit të PS-së, parti kryesore qeverisëse. Blushi bëhet dhe ribëhet kollaj personazh i aktualitetit politik, sa herë zgjedh t’i kthehet këtij roli. Kur nuk dëgjojmë gjë prej tij, do të thotë se ai po shkruan diçka. Të paktën kështu ka ndodhur katër herë këto vitet e fundit. Dhe është kuptuar se kur vendos të bëhet i gjallë, mesa duket po bën një testim të ri lidhur mbi përqindjen e fajdesë… pardon, kuotave të tij në parti dhe në publik.
Prej vitesh, Ben Blushi me zërin dhe heshtjen e tij, është pozicionuar si brezi i ri i Partisë Socialiste që përgatitet të marrë stafetën. Më e pakta, si pjesë e këtij brezi që do zëvendësojë dora-dorës gardën e vjetër për njëmijë arsye, mes tyre padyshim edhe biologjia. Por teksa vitet kalojnë, pa u ndier ai vë re se është një militues 18-20 vjeçar në PS. Është ca si e tepërt të jesh një kandidat “i përjetshëm”, (romani i tij i fundit mban këtë titull) aq më shumë për një kalibër politik si ai që Blushi beson se është. Po si kanë ikur gjithë këta vjet?
Nga “Koha Jonë” gazetareske, Ben Blushi hyri në kohën e vet politike, fillimisht në detyrën e zëdhënësit-këshilltarit të kryeministrit Fatos Nano. Në periudhën 1999-2000 ish zv.ministër i Jashtëm, pastaj një vit prefekt i Korçës, dhe ministër i Arsimit dhe Shkencës (2001-2002) dhe në përmbyllje, tre vjet
Ministër i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit (2002-2005). Siç shihet, të gjitha këto etapa kanë ardhur me ngritje, ku mungon vetëm një post madhor, ai që zinte Fatos Nano. Dhe që e kanë zënë ato vite me periudha të veçantë vërsnikë të tij, edhe pse më të vjetër në PS, si Majko e Meta.
Si zv.ministër i Jashtëm, Blushi u përfol asokohe se ishte publikuesi (tinëzar) i përmbajtjes së një bisede konfidenciale mes sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt dhe Ilir Metës. Si ministër i Arsimit nuk pati kohë kushedi, ndërsa tek Pushteti Vendor kishte shansin të hynte realisht në histori me një punë konkrete dhe shumë të përparuar, kur u miratua projekti i pasaportave dhe kartave biometrike. Duke parë koston e tanishme, odisenë dhe momentet e dyshimta të këtij operacioni që qeveria Berisha ja besoi një kompanie të huaj private, kryerja e atëhershme e këtij procesi padyshim do vulosej si një punë e mirë e ministrit Blushi. Dhe patjetër e gjithë qeverisë. Ashtu siç sot, ndryshimi total i situatës energjetike është meritë e ministrit të linjës dhe qeverisë.
Ben Blushi e mbështeti “prezantimin” e Edi Ramës tek socialistët duke garuar pa sukses për kryetar kundër Nanos, në një kohë kur vetë Rama deklarohej “mik i socialistëve”. Por tek e fundit, gjurma e tij në ministrinë e Kulturës dhe më pas në bashkinë e Tiranës, e kishte bërë prezantimin që më herët. Nuk është harruar pritshmëria e madhe e socialistëve asokohe për “mikun” Rama, madje dhe atyre që simpatizonin paralelisht kryetarin, kryeministrin dhe logon historike të PS-së, Nano, sado difektoz të jetë termi “historik” për një parti socialiste 13 vjeçare. Rrumpallhania e korrupsioni, trazuar me sherret e brendshme, ngeshmëria, barcoletat me bëmat e Nanos dhe cic-micet moçalore ku befas kishte ngecur PS-ja, mund të kapërceheshin me modelin Rama, thuhej mes simpatizantëve të majtë. Blushi pra e mbështeti profilin e ri, duke e nuhatur se herët a vonë, e ardhmja nuk do ishte me Nanon; por nuk shfaqi ndonjë entuziazëm të madh. Ai ishte e tek e fundit, prurje e Nanos dhe socialistët ato vite besonin me naivitet se Berisha nuk do vinte kurrë në pushtet, me ato që kishte bërë. Duke kontribuar pikërisht për të kundërtën.
Sot ai që mund të quhet “popull i majtë” nuk është kaq naiv. Shumëkush mund të besojë se Berisha (ose pasaardhësi i tij klon në PD) nuk DUHET të vijë në pushtet, por që fare mirë MUND të kthehet. Sot nuk rezulton (të paktën ende nuk është shfaqur) ndonjë socialist që thotë, ju mos u zini pa ne bëjmë si bëjmë. Ndoshta sepse elektorati shqiptar, i majtë, i djathtë dhe pa parti, po hyn në një fazë post-ideologjike dhe kërkon rezultate në qeverisje më shumë sesa sherr për, fjala vjen, 28 apo 29 nëntorin. Akoma dhe vetë Berisha po i njeh disa anë pozitive Enver Hoxhës?! (Lufta antifashiste rreshtoi Shqipërinë në anën e duhur, mirë bëri që u nda nga Hrushovi etj). Dhe befasisht, në momentin më kyç të qeverisjes së të majtës, Ben Blushi është rishfaqur si… kandidat për kreun e PS-së. Por jo vetëm për këtë.
Reagimi i parë i Blushit erdhi pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, kur i kërkoi Ramës largimin nga drejtimi i partisë sepse humbi zgjedhjet. Nisi udhën LMN, Lëvizja për Mendimin Ndryshe, ku Blushi dhe katër-pesë figura socialiste artikuluan kërkesat e tyre jetëshkurtra. Qëndrimi i zyrtar i PS-së ishte “zgjedhjet janë manipuluar” dhe filloi një valë protestash; dora-dorës Blushi u tërhoq, pasi, siç tha më pas, nuk donte të përçante PS-në në opozitë, që “edhe këtë kishte mangut”. LMN tashmë e shkërmoqur ironizohej si “Lëre Mos e Nga”, ndërsa Blushi i hyri të shkruarit. Në mos si kundërshtar konseguent i Ramës, le të profilizohej si shkrimtar që ka pasion politikën. Ose e anasjellta.
Blushi e mbështeti aleancën me LSI-në e Metës. Por pas fitores së zgjedhjeve të 2013-s nuk pati kohë as për veprimtari parlamentare e politike, as për debat brendapartiak. Shkroi “Hëna e Shqipërisë”, njëfarë huazimi oruellian të zhvendosur në një ishull… shqiptar të pakohë. Si socialist “me hënë”, i shtoi paskëtaj dozat e kritikave ndaj qeverisjes, ku nuk mungoi theksimi i problematikave sociale në intervistat e tij, me të atillë pathos që nuk ishte vënë re as kundër Berishës. Ekonomia, një valë ikjesh, rastet e ashpërsimeve të tepërta ndaj debitorëve të energjisë, problematika e spitaleve etj. Blushi nuk përmendi kurrë se në ç’gjendje ishte financa shqiptare me ikjen e Berishës, as se çfarë litarësh la pas ai në 2013-n. Se çfarë Shqipërie la pas Berisha në 1997-ën, Blushi e theksonte rregullisht atëherë.
Blushi sot kërkon garën brenda PS-së. Kjo kërkesë do të ishte parimore, përsa kohë, në një intervistë të tij me Eni Vasilin (por edhe prononcime të tjera), ai nuk do dilte qartaz tek ideja se nëse kryetari i një partie në pushtet ndërron rrugës, atëherë dhe kryeministri ndërron; në krye të qeverisë shkon kryetari i ri i partisë (nëse).
Pra, sot Ben Blushi kërkon PS-në apo qeverinë? A është parimore të bëhesh kryeministër në tavolinë, sado e madhe qoftë tavolina? A është kjo arsyeja pse sipas disa zërave, Blushi po kërkon sponsorizime për garën e tij kundër Ramës? Dhe e fundit: A nuk do të ishte një moment logjik për të bërë të zëshme këto pretendime, padyshim të ligjshme për çdo anëtar e eksponent të PS-së, pasi të bëhen zgjedhjet parlamentare që vitit që vjen, ku do verifikohej suksesi ose dështimi i këtij kryetari partie e kryeministri?
Problemi i kandidatit Blushi është se, siç e kemi vënë re në tërë ecurinë e tij politike në PS, ai zgjohet herë pas here, verifikon koordinatat e veta dhe kupton se nuk është aty ku duhej të ishte, pra në krye të PS-së. E pra, ai ishte gjaku i ri në PS, e solli vetë kryetari Nano. Por po mbushen 20 vjet dhe koha ikën. Nuk është më “koha jonë”. Përqindjet e fajdesë politike në të cilën ai mendon ka investuar, deri tani dueht të kishin dhënë rezultat. Por për t’u zgjedhur kryetar duhet të shpenzosh kohë dhe energji, të ndërtosh konsensus, të ngresh ura, të bësh për vete eksponentë dhe anëtarë, madje simpatizantë dhe njerëz pa parti. Këtë kohë, Blushi e ka harxhuar duke hedhur romuze dhe/ose duke u mbyllur për të shkruar romanin e rradhës. Nuk e gjen asgjë e keqe vendin dhe politikën, në fakt, nga deputetë që shkruajnë romane. Por e keqja është gjetkë; është kur rresht së shkruari një moment, dhe të mbushet mendja se duhej të ishe kryeministër./DITA
Diskutime rreth kësaj post