“Të çmendurit Adams” një komedi e re muzikore e cila u shfaq mbrëmjen e së shtunës në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli’ u mirëprit nga spektatorët kryeqytetas.
Ky është një zhanër teatral që i ka munguar skenave tona, e që u shfaq suksesshëm duke sjellë një atmosferë të ngrohtë.
Një tango e interpretuar jo vetëm me trup, por edhe me zë. Ky është akti që mbyll shfaqjen “Të çmendurit Adams”.
Por, përpara kësaj tangoje, shfaqja rrëfen shumë më tepër. Përballja e dy familjeje, një amerikane dhe një shqiptare erdhi me interpretimin e 14 aktorëve të cilët janë përzgjedhur me shumë kujdes nga regjisori Endri Çela.
Adams që të gjithë i njohin si të çmendur përballen me një familje patriakale shqiptare, sepse vajza e tyre Wednesday dashurohet me një djalë shqiptar. Ajo që nuk është normale për shqiptarët është çmenduri, por përtej të gjithave çfarë e përcakton normalen brenda një familjeje? Një shfaqje në fund të së cilës shumë pyetje marrin përgjigje e ku përtej dukjes fshihen jo pak norma, tradita dhe shumë dashuri.
Muzika është elementi që e bëri edhe më të veçantë këtë shfaqje. Gjithçka është në shqip edhe pse muzika është e njëjta me shfaqjen e fundit që është vendosur në Broduej. Pas nuk ngelet grimi dhe kostumografia, të cilat janë përshtatur më së miri me karakteret dhe lehtësinë për të ndjekur koreografitë e realizuara nga Aledia Kondaj.
Diskutime rreth kësaj post