Nga Qamil Xhani
Seanca e djeshme i ka dhënë fund një debati ligjor për dekriminalizimin. Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë miratuar me konsensus vendimin që kompleton legjislacionin shqiptar kundër zyrtarëve që kanë probleme me drejtësinë. Me votimin e djeshëm, Shqipëria ka ligjin më të rreptë, jo vetëm në rajon, por edhe në Europë kundër personave me precedentë që duan të hyjnë apo janë në politikë. Detajet e ligjit garantojnë mbajtjen larg zyrave dhe institucioneve të trafikantëve, kriminelëve, personave të korruptuar dhe kujtdo që ka shkelur rëndë një herë ligjin.
Si rrallë herë kemi një ligj që nuk është bërë nga maxhoranca, por nga opozita. Dy vite më parë, PD-ja propozoi hartimin e akteve ligjore. Fillimisht u miratua një rezolutë, më pas një ligj që ndryshoi edhe Kushtetutën në muajin dhjetor dhe së fundi aktet nënligjore që detyrojnë çdo zyrtar të verifikohet dhe hetohet. Sot mund të thuhet se ligji është miratuar gati 100 për qind siç është propozuar nga PD dhe kjo është një fitore e opozitës. Në gati 3 vitet e drejtimit të PD-së, Basha edhe pse ka humbur rregullisht nismat e tjera dhe zgjedhjet ka një betejë që mund të thotë se e ka fituar. Edhe pse atë që dje mund ta cilësonte si fitore, Basha e “festoi” me një tjetër bojkot të Parlamentit. Por kjo është taktikë presioni ndaj Ramës, pasi duket se kryeministri e ha shpejt presionin.
Përballë presionit të opozitës për këtë çështje PS-ja vetëm është tërhequr. Fillimisht nuk pranoi se kriminelët ishin në zyrat e shtetit, por pas presionit të ndërkombëtarëve dhe bojkotit të opozitës u detyrua të fusin çështjen e dekriminalizimit në axhendën e Kuvendit. E njëjta gjë ndodhi dhe me aktet nënligjore. U shtynë disa muaj dhe gati i harruan, derisa në momentin e fundit pranuan çdo kërkesë të Partisë Demokratike. Do ishte më e ndershme për vetë maxhorancën që të ishte pro dekriminalizimit që në nisjen e debatit. Hezitimi i tyre vetëm sa shtoi në opinion bindjen se po mbronin personat me precedentë penalë në PS dhe Parlament.
Debati për qëndrimin politik ndaj kësaj çështje, formalisht u mbyll dje. Të paktën në letër, pas vënies në zbatim të ligjit duhet të kemi administratën dhe politikanët më të pastër penalisht. Por nuk duhet të presim zgjedhjet e ardhshme për të marrë vesh se kush janë personat që penalizohen.
Nga sot Partia Demokratike ka një detyrim moral ndaj opinionit për të treguar se ku janë kriminelët që pretendonte. Deputetët të PD-së dhe zyrtarë të lartë të saj kanë thënë se janë 19 deputetë të maxhorancës me rekorde kriminale. Është një shifër e frikshme që vë në pikëpyetje legjitimitetin e gjithë maxhorancës. Tashmë është koha që PD-ja të bëjë publikë të gjithë emrat që sipas saj kanë precedentë penalë. Deri dje nuk kishte ligj, sot ka një ligj që është bërë sipas shijeve të PD-së dhe nuk ka më justifikime.
Tani thoni emrat në publik!
Diskutime rreth kësaj post