Gjatë Asamblesë Kombëtare të mbajtur në muajin korrik, një ndër vendimet e Partisë Socialiste ishte edhe zgjerimi i anëtarësisë së saj, me qëllim që në vitin e 25-vjetorit të krijimit të partisë, të numërojë 150 mijë anëtarë. Pikërisht për këtë qëllim, PS-ja nisi një proces riorganizimi dhe zgjerimi. Ditën e djeshme kreu i PS-së Edi Rama u ndal në Elbasan, aty ku u dorëzoi kartën e anëtarësisë së të rinjve të afruar rishtazi në parti. Takimi pritej të kalonte në batuta mes Ramës dhe të rinjve socialistë, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha takimet për ndarjen e kartës së anëtarësisë, por për ta “prishur” tablonë mendoi deputeti socialist i qarkut të Elbasanit, Ben Blushi. Kandidati për postin e kryetarit të PS-së, Ben Blushi, pas përplasjeve të fundit në distancë me Ramën, u bë pjesë e këtij takimi, ndonëse nuk kishte marrë një ftesë për të qenë prezent. Gjatë takimit nuk munguan replikat në distancë mes Ramës dhe Blushit. Pasi deputeti i qarkut të Elbasanit mori fjalën, salla e kundërshtoi me brohoritje dhe fishkëllima.
Replikat Rama-Blushi
Fillimisht kreu i ekzekutivit Edi Rama, gjatë fjalës së tij, u përqendrua te reformat e ndërmarra nga qeveria në gjatë këtij mandati. “Të varfrit janë mishi për top i atyre që nuk i kuptojnë reformat, nuk i duan reformat, ose që iu preken interesat nga reformat. Po mirë, nga një Shqipëri pa reforma për 20 e kusur vite, kush e pësoi, të pasurit? E pësuan vetëm të varfrit. 20 e kusur vite, ça bëmë ne? I lamë të varfër me status të përjetshëm. Dhe nëse nuk do të vinte PS, njerëzit do të lindin të varfër, do të rriten të varfër dhe do të vdesin të varfër. Kjo është gjeja që ne po luftojmë”, theksoi Rama. Ndërsa më pas gjatë fjalës së tij, Rama “sulmoi” në mënyrë indirekte, rivalin e tij brenda partisë Blushin, pasi ky i fundit ishte shprehur se njerëzit në PS, po i qepin një kostum Ramës sipas dëshirës së këtij të fundit, duke e lidhur me ndryshimet në statut. “Nuk ka elektricistë, nuk ka hidraulikë imagjino të gjesh një rrobaqepës për mua që është jashtëzakonisht e vështirë. Nuk iu dhanë njerëzve zanate. Ku është shkolla profesionale e Marinës e Peshkimit? Ku janë tornitorët?
Tornot i morën i çuan për skrap se tha Saliu këtu do të bëhet Zvicër e do të ndërtohet tek Lana”, tha Rama. Pasi përmendi sulmet e opozitës ndaj ministrave Tahiri dhe Beqaj, kryeministri Edi Rama foli edhe për ato që i drejtohen atij, jo vetëm nga opozita, por edhe nga deputeti “rebel” brenda partisë së tij. “Unë po nuk u sulmova nuk e njoh veten time kur zgjohem, nuk jetoj dot pa qenë i sulmuar dhe sa më shumë më sulmojnë, aq më shumë bindem që duhet të vazhdoj. Dhe nëse duan që unë të ndaloj, duhet që të ndalojnë të sulmuari”, deklaroi Rama. Kreu i PS-së, pati një përgjigje për të pakënaqurit brenda dhe jashtë partisë së tij. “Po të jetë puna për të bërë listën e të pakënaqurve dhe për të kërkuar si të bëjmë më shumë, jam unë i pari, por ama i pari, për të bërë edhe më shumë reforma dhe jo për të ndenjur e për të bërë kukuvajkën, duke thënë aman se po më marrim në qafë të varfrit. Rroftë PS”, tha Rama.
Nga ana e tij, deputeti i Elbasanit, herë pas herë kishte kërkuar fjalën në takim, gjë që ishte refuzuar nga të pranishmit në sallë, duke iu përgjigjur me fjalët “ik, ik, ti nuk na përfaqëson”. Ndërsa ishte deputeti Taulant Balla ai që “ftoi” Blushin në skenë për të folur. Duket se Blushi më tepër kishte menduar për të bërë një replikë me Ramën, sesa për të bindur turmën që ai nuk ishte i tepërt, por ishte në vendin e vet, si i zgjedhur prej tyre. “Salla kishte tension, por unë nuk jam arsyeja. E kuptoj që njerëzit janë të varfër, ka një acarim të përgjithshëm. Nëse do të ishte salla më e qetë do t’i shpjegoja më shumë se çfarë kërkoja. U drejtova duke u thënë se bëjnë shumë mirë që vijnë në PS. Iu drejtova personalisht Edi Ramës brenda në sallë duke i thënë shpjegoi këtyre njerëzve pse nuk do të votohesh”, tha Blushi jashtë sallës.
Ndërkohë në mbledhje, mes fishkëllimave dhe tentativës për ta përzënë nga salla, Blushi arriti të shprehë pakënaqësinë e tij për qeverinë, duke thumbuar drejtpërdrejt kryeministrin Rama. “Kjo nuk është as mikpritje as bujari, prandaj vërshëlleni dhe sulmoni tek dera, ju ftoj miq të distancoheni nga ky banditizëm. Ju them pse nuk ka reforma për cilat flasim? Nëse do kishte reforma kryeministri s’do ishte kaq i acaruar. Pse është kaq i acaruar kryeministri kur taksat s’janë ulur, paga të larta s’ka. Pse s’vij unë në Elbasan? Sepse me vjen turp sepse kjo parti nuk futi asnjeri në punë se njerëzit u morën nga jashtë Partisë Socialiste. Jeni të kënaqur ju?Vërshëlleni ju se unë nuk kam frikë të them të vërtetën. E dini kë kam përballë sot, një Bukurosh, e keni sot kryetar qarku e dini ca ka qenë? Ky njeri në 2007 ishte deputet si puna ime i fishkëlleu Saliu”, tha Blushi, duke iu referuar ish-deputetit Bukurosh Stafa, i cili votoi për zgjedhjen e Bamir Topit si president i Republikës në vitin 2007, duke thyer vendimin e grupit parlamentar për bojkot. Në përfundim të fjalës së tij për të shmangur një konfrontim mes Blushit dhe simpatizantëve, deputeti socialist ka dalë nga salla i shoqëruar nga punonjësit e Gardës.
Një kolonë….
Ja pse nuk e ftuam Blushin
Taulant Balla
Ju kërkoj ndjesë që e theva programin e përcaktuar të këtij takimi, duke i dhënë fjalën një kolegu. Por ju kërkoj edhe ndjesë që ky koleg e përdori mundësinë e fjalës së dhënë për t’ju fyer. Prandaj dy fjalë po t’i them shoku Ben Blushi. Kur dëgjova sot që ti u the gazetarëve se nuk të kishim ftuar, thashë shyqyr që po vjen që tja them nja dy llafe në sy të gjithë partisë së Elbasanit. Natyrisht që nuk të kishim ftuar. Nuk të ftuam sepse shtabi i rajonit Elbasan–Korçë, që është ngritur në bazë të vendimeve të Asamblesë Kombëtare dhe ka gjashtë muaj që funksionon në krye të procesit të riorganizimit, anëtarësimeve të reja dhe zgjedhjeve, nuk e ka pasur nderin ta ketë shokun Blushi të pranishëm asnjëherë të vetme. Të kemi ftuar dhe ri ftuar disa herë në fillim dhe pastaj nuk të ftuam më. Kam menduar se Blushi e kishte të vështirë të rikthehej në Elbasan, pasi braktisi fushatën zgjedhore për bashkinë e Elbasanit dhe doli kundër. Kam menduar se Blushi e kishte të vështirë të rikthehej në Elbasan pasi ju braktisi të gjithëve ju dhe nuk erdhi një ditë të vetme tju takonte e dëgjonte pasi i dhatë mandatin e deputetit në qershor të 2013. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz në këtë sallë janë “të armatosur” me inat të justifikuar ndaj një deputeti që ju mori votën dhe i la në harresë.
Kam menduar se Blushi e kishte të vështirë të rikthehej në Elbasan, pasi e shpalli Qazim Sejdinin një kandidat të vdekur dhe populli i Elbasanit e votoi Qazimin me afro 70 për qind të votave, ndërkohë që Blushi u bë i gjallë vetëm dy javë para kur erdhi për të bërë pis zgjedhjet e delegatëve të Kongresit dhe as nuk e dinte se PS ka kohë që është bërë me seli të re. Kam menduar se Blushi e kishte të vështirë të rikthehej në Elbasan pasi ka dy vjet e gjysmë që sa herë hap gojën në parlament, na kujton Saliun dhe nuk le rast pa na thënë se ne jemi thjesht pjesëmarrës në një funeral të madh, ndërkohë që shoku Blushi vazhdon hedh valle me muzikën e Saliut. Por ja që Blushi na erdhi sot këtu, i paftuar dhe i vendosur të na provokojë deri në fund me leksionin e tij të radhës për rregullat, disiplinën, demokracinë dhe lirinë në këtë parti. Por të gjithë e dimë që shoku Ben është shkelësi më i madh i rregullave, thyesi më sistematik i disiplinës, mbrojtësi më sezonal i demokracisë dhe abuzuesi më i madh i lirisë.
Dade: Presim përgjigje nga komisioni para Kongresit
Komisioni i Garancive Statutore do të japë një përgjigje për letrën e të pakënaqurve të PS-së përpara Kongresit të 19 marsit. Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së ditës së djeshme ku u ftuan për një seancë dëgjimore përfaqësues të letrës së firmosur nga 12 anëtarë të PS-së. Komisioni vendosi të japë interpretim me shkrim para mbajtjes së Kongresit, lidhur me shqetësimin e ngritur për shkeljet e statutit për zgjedhjen e kryetarit të PS-së. Pas seancës dëgjimore në selinë e PS, deputetja Arta Dade tha se ka marrë garancinë e Komisionit për këtë çështje. “U shpreh interesi nga anëtarë të Komisionit të Garancive Statutore lidhur me shqetësimet tona, ne dhamë përgjigjet adekuate dhe morëm premtimin që brenda një periudhe të shkurtër do të marrim përgjigjen përkatëse me shkrim për shqetësimet që kemi paraqitur”, tha Dade.
Lidhur me debatin nëse ky Komision ka apo jo kompetencën për shqyrtimin e kësaj kërkese, Dade tha: “Konsiston në dy plane, janë shkelje të aspektit parimor të statutit dhe shkelje të karakterit lidhur me vlefshmërinë e mandateve të institucioneve. Paraqitëm dhe referencat statutore, në pikëpamjen tonë ato janë shkelje të rënda të statutit dhe në këtë kuptim i kërkuam Komisionit të Garancive Statutore interpretimin standard të statutit të partisë”, u shpreh Dade. Sipas saj është detyrë e Kongresit të Garancive Statutore që të kapërcejë ngërçin e krijuar në PS mbi debatin e statutit dhe mandatit të Ramës. “Ky është një fakt që Komisioni i Garancive Statutore duhet ta kapërcejë o në mënyrë statutore, është në të drejtën vetë. Ashtu sikurse ka detyrimin dhe të drejtën që dhe këtë pretendim mund ta shkruajë në zbardhjen e mendimit, që nuk kemi mandatin e vlefshëm për të bërë këtë interpretim, megjithatë unë mendoj që Komisioni i Garancive duhet ta kapërcejë edhe këtë ngërç. Ata janë në detyrë e sipër deri ditën e Kongresit për të ushtruar kompetencat sipas statutit”, përfundoi, Dade.
Diskutime rreth kësaj post