Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka kërkuar që ushtria të mbajë në gatishmëri armët bërthamore.
Një kërkesë e tillë vjen vetëm pak ditë pasi Këshilli i Sigurimit pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione të reja ndaj shtetit diktatorial.
Televizioni shtetëror koreano-verior shfaqi Kim Jong-un teksa fliste me drejtuesit më të lartë të ushtrisë, të cilëve u kërkoi që të qëndronin në gatishmëri për të prezantuar një sulm bërthamor.
Por pavarësisht retorikës së tij agresive, fuqitë ndërkombëtare i kanë vënë në dyshim aftësitë e Koresë së Veriut për të lancuar një sulm bërthamor.
Vendi diktatorial ka kryer deri më tani katër teste bërthamore dhe pretendon se testimi i fundit ishte i një bombe me hidrogjen. Megjithatë ekspertët vënë në pikëpyetje mundësitë që ka Koreja e Veriut për ta prezantuar një bombë bërthamore nëpërmjet një rakete.
Vendimi i OKB-së për të shtuar sanksionet, nuk u prit mirë nga koreano-veriorët, të cilët vetëm pak orë pas lajmit, shfaqën një test të raketave me rreze të shkurtër.
Në bazë të rezolutës së miratuar së fundmi nga Këshilli i Sigurimit, qeveria e Phenianit nuk do të mundet më që të importojë produkte që mund të zhvillojnë kapacitetet e ushtrisë së saj. Megjithatë, nga sanksionet nuk janë prekur ushqimet dhe medikamentet.
Diskutime rreth kësaj post