Sotir Majko, aviatori i shquar që i dhuroi atdheut një kryeministër
“Aviacioni nuk ka patur “shtabovnik” më të mirë se sa Sotiri”, më tha Edip Ohri, ikona e gjallë e aviacionit luftarak të vendit të shqipeve të mbetur pa avionë dhe pilotë luftarakë.
Edhe unë e kisha një çikëz krenari të fshehur që, i biri i “Shef Sotirit” na u bë kryeministër; jo një, por dy herë.
Kam parë vërsnikë të “Shef Sotirit” të gëzoheshin për këtë fakt si për birin e tyre pasi, siç dukej, ata e kishin njohur Pandin që kur i vinte pas “për të parë aeroplanët” apo, edhe për të takuar “pilotët… më të mirë në botë”, siç i dukeshin atij në moshën e kolopuçërisë së etur për t’u bërë pilot, i ndjeri Hazbi Serani apo hmmm…tanimë të mplakurit, por atëherë levendë dhe shtatlartë si plepa, Harilla Rebi e Koço Biku…
Pandi nuk është më kryeministër e as ministër i Mbrojtjes, por deputet i Partisë Socialiste. Por si i pari, ky djalosh i rritur aerodromeve të atdheut, si i ati, që dha çfarë kishte shpirti i tij i kulluar për aviacionin dhe mbrojtjen kombëtare, kanë qenë dhe mbetën dashnorë dhe idealistë të dorës së parë për atdheun tonë të përbashkët.
Bijtë e pilotëve… Nuk di ndonjë rast të jenë rritur njerëz me probleme për shoqërinë. Ata u rritën, u shkolluan, morën përsipër përgjegjësi të ndryshme; dikush u godit nga jeta, dikush e qau të atin e rënë në ajër, dikush…
Po cili është babai i tij?
“Babai im është quajtur Pandeli dhe ka bërë punën më të rëndomtë që mund të bënte një qytetar i vjetër i Gjirokastrës sime…”, nis tregimin e tij Sotir Majko me sytë ngjyrë çelik dhe i gatshëm të të rrëmbejë fjalën nga goja, siç ua rrëmbente zakonisht oficerëve që u mekej goja kur ai vinte duke buçitur në repart. Dhe…duke qeshur menjëherë apo duke e zbutur zërin si nëpër mëndafsh…Punëtori Pandeli Majko, zakonisht thante lëkurë bagëtish të sapotherura që, pastaj, të kalonin në treg; rregullonte çadra apo bënte punë të mirëfilltë krahu. Duheshin rritur të ndershëm dhe të shëndetshëm, siç qe vetë, Vitoria, Katerina, Spirua dhe Sotiri, që kishte lindur më 10 qershor 1937.
E shoqja e tij, Athinaja, lante zakonisht rroba me hak dhe qeveriste shtëpinë me tonet e saja prej burri dhe nëneje zemërdhembshur. “E kujtoj nënën në kohën e pushtimit italian. Ajo lante me hak çarçafët e hotelit ku strehoheshin oficerët e huaj. I lante në shtëpi me finjë e varekinë, që ia bënte gishtërinjtë copë. Fshehurazi e kam parë disa herë tek qante natën nga dhimbja; qante dhe nuk i ankohej askujt në botë…nëna ime. Dhe …” – vazhdon të kujtojë nënën e tij me sytë e perënduar e që ankohet se nuk ka aq para për të blerë të gjithë librat që dalin e për t’ua shtuar bibliotekës së tij personale me rreth 2000 ekzemplarë – “ …kur po bombardohej Gjirokastra gjatë luftës italo–greke, ajo, me të ulëritura, na strehonte të gjithë fëmijëve në strehën më të sigurtë që e mendonte, kurse vetë, ndërsa zhurma tmerronjëse përmbi qytet shoqërohej me plasje bombash, vazhdonte të lante çarçafët në vendin e saj, në oborrin e shtëpisë sonë përdhese…”
Njëri prej djemve të lëkurëtharësit, Spirua, kur plasi në masë rezistenca popullore kundër fashizmit, nisi të aktivizohej me gjëra tepër të ndaluara – ndarje traktesh, mbledhje ndihmash për partizanët apo akte sabotimi , sipas udhëzimeve të celulave luftarake që vepronin kalldrëmeve e rrugicave të qytetit antik.
Befas, Pandeliun e njoftuan se të birin e tij vetëm 14 vjeçar, e kishin piketuar ta kapnin me presh ndër duar. Ai po ndiqej hap pas hapi. Fshehtësisht.
Atë ditë, ai i kishte blerë të birit një palë këpucë të reja, gjë që normal, përbente festë në shtëpi. Kur u kthye…Këpucët e reja, ja…ishin atje…të paveshura…Ferishtja 14 vjeçar kish nisur jetën e partizanit dhe, lumturinë e tij, oh…këpucët e reja…po ia linte vëllait të vogël.
Ai kishte rrokur armët. Njeriu që llogaritë të rrokë armët, llogarit edhe vdekjen e tij… Le t’i kishte kujtim këpucët e tija, vëllai i vogël. Ta dinte se e kishte dashur më shumë se sytë e ballit…Lamtumirë…
****
Sotir Majko, duke qeshur, tregon se si i fshihej merakut të nënës së tij për të bërë mësimet. “Lexoja romane shumë dhe i thoja nënës se, “ky që po lexoj, është libër shkolle, nënë!”.
Ardhur në Tiranë në vitin 1951, në shtator, në moshën kur Spirua kish rrokur armët, Majko nisi punën në “tipografinë ushtarake”, ku shtypeshin letra me vlerë si triska buke, veshmbathjeje, bileta kinemaje, autobusi, etj. I prerë në ndershmërinë e punëtorëve atje, “Shef Sotiri” tregon se, vetëm në një rast është pushuar nga puna një grua sepse e kishin kapur me dy bileta autobusi të përvetësuara dhe se, me gjithë varfërinë ekstreme që kalonte vendi, askujt nuk i shkonte në mëndje të vidhte diçka.
“Ishin që të gjithë tiranas. Unë, edhe sot, kam jashtëzakonisht respekt për punëtorët tiranas. Ata janë të ndershëm, fjalëpakë, besnikë, totalisht të përkushtuar për punë dhe shumë të dashur e të njerëzishëm. Atëherë punoja sidomos me Adem Taganin, Eqrem Vorpsin, Ndoc Kolën etj dhe, oh, nënat – ijet e tyre – nuk më linin asnjëherë kur u shkoja në shtëpi me djemtë e tyre, pa më future në xhep dy kokrra arra, një mollë, një ftua tirane apo pa më ofruar një gotë ujë të ftoftë me qelqe që farfurinin…”
Ndërsa vazhdonte gjimnazin natën, pa shkëputje nga puna, “shef Sotiri” i mëvonshëm, ka ndjerë influencën e theksuar të burrit të motrës së madhe, Vitorisë, që quhej Jorgo Gumeni – një autodidakt fantastik që, megjithëse vetëm me katër klasë shkollë, diskutonte me orë të tëra për librat, operat etj dhe, me punë këmbëngulëse, arriti të bëhej më vonë gazetar në gazetën më popullore të kohës – “Bashkimi”.
Duket që në atë kohë, Gumeni nuk ka qenë një fenomen i shkëputur. Populli i dalë nga lufta po bënte çudira. Në një klasë me të dy të bijtë e nënë Athinasë e punëtorit Pandeli, kanë qenë edhe Violeta Manushi, Vasil Melo, etj… Që t’i shpëtonte shërbimit ushtarak, djaloshi gjirokastrit, vendosi ta linte punën, duke vazhduar për dy vite gjimnazin ditën dhe, duke patur me këtë rast, privilegjin që, në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, të pranohej anëtar i PPSH; privilegj, nga i cili, më pas, do të pësonte një goditje që do t’ia ndryshonte me furi rrjedhën e rrymës së jetës.
****
Pasionin për të fluturuar, Sotir Majko, e lidh me periudhën e fëmijërisë, kur përgatiste avionë prej letre e i hidhte ata që nga majat e pemëve e, sidomos, kur, përpara se të transferoheshin në Tiranë, pat parë përmbi qiellin e Gjirokastrës jo më aeroplanë të “Junanit”, por…shqiptarë, ore, shqiptarë! Me stemat tona shqiptare.
Me mbarimin e gjimnazit, ndërsa bëhej fjalë për të shkuar në universitetin e sapo hapur të Tiranës, në “Bio-Kimi”, që do të thoshte, mes të tjerave, edhe të rrinte për patër vite të tjera në kurrizin e familjes, Sotiri, kujton të kishte takuar dy shokë. Ata, me sy të shkëlqyer, i thanë se, ç’priste? Të shkonte me vrap atje, ku po bëheshin kontrolle për “pilotë”.
Që të dy ata shokët që takoi atë ditë djaloshi ynë trupvogël e i përvuajtur, u bënë edhe ata, pilotë të njohur e rezultativë, njëri prej të cilëve ka rënë në katastrofën e Himarës. Kishin qenë, pra, njëri që u bë i njohur duke shkatërruar tankun para syve të Enver Hoxhës në një ditë parade ushtarake, Bilal Josa dhe, tjetri, i ndjeri Agron Galanxhi.
“Ndërkohë, unë kisha provuar të krenohesha para pasqyrës një herë me pantallona gjithë djersë të një piloti të vërtetë; mos gaboj ishte Daut Xhaferi, I ndjeri.” – kujton Majko duke shtuar se kishte patur bindje absolute që do të dilte i aftë shëndetërisht nga grupi prej 536 djemve, nga të cilët, percipituan pas “shoshës” vetëm 23 veta.
Përpara se të fillonte zyrtarisht shkolla e aviacionit, konfiguracionet e saja kanë qenë më parë. Kjo pararendëse e shkollës së lavdishme të Vlorës, ka qenë në Tiranë, komandant i parë i saj – Areteo Konomi. Tanimë aerodromi veteran i Tiranës për turp të politikës dhe të harbutërisë së tërbuar për të zhvatur, ka katandisur në një heliodrom të vogël dhe prit kur të shfaroset edhe ajo. Kur çdo pëllëmbë trualli i saj kullon kujtime, por edhe edhe para të shumta të humbura nëse nuk do të bëhej pre e kapsaluqërve…
Majko ka kryer plot 92 orë fluturimi mbi këtë aerodrom – me JAK dhe MIG 15.
Ai kujton një ngjarje të pabukur të fluturimeve të para. Një aeroplan duke fluturuar “brejushqij” (pak pëllëmbë mbi terren), u përplas me një objekt tokësor duke shpëtuar jeta e pilotit, por “jo, jo, asnjëri nuk tregoi qoftë edhe një shenjë frike. Ishim pasionantë të krisur të gjithë…”
“Instruktori im i parë ka qenë piloti Flamur Micko; ishim në një grup me mua edhe Petraq Qafëzezi dhe i ndjeri Jovan Kaçorri. Petraqin dhe mua na ka nxjerrë të fluturojmë vetëm idhulli ynë i përjetshëm Niko Hoxha. Vinte për të na parë nganjëherë edhe Edip Ohri, i cili ruante nga racioni i tij çokollatat, për të na i falur ne, kur ende nuk kishim filluar të trajtoheshim me ushqim special”.
Më pas, “shkolla e aviacionit” u transferua në Kuçovë e Pishë Poro, me komandant “Pilotin e klasit të parë, pedagogun shumë të mirë dhe me përvojë të madhe Thanas Gjiknuri”. Edhe atje – ballafaqimi me një tjetër katastrofë. Këtë radhë, pa u kursyer jeta e pilotit Jovan Kaçorri, i cili u vra përmbi SMT e Fierit, por që, edhe sot e kësaj dite, shoku i tij gjirokastrit ia ka ruajtur një relike. Ia ka ruajtur si të ishin një tufë flokësh nga flokët e tij. Relikja është një bllok shënimesh , ku djaloshi dëshmor i aviacionit shqiptar ka pas shkruar për gjërat e tija të jetës së përditshme. Të cilat kushedi se sa herë i ka lexuar në vetminë e vet shoku i tij besnik.
Aq besnik, saqë do të vinte dita që i njëjti aviator, Majko, të jepte një provë tepër të kushtuar në emër të kësaj besnikërie dhe dashurie për shokët e që ne do ta shikojmë më poshtë. Ndërkohë “shkolla”…
“Një shoku ynë e braktisi në ajër në mënyrë jo plotësisht të justifikueshme aeroplanin e tij dhe u hodh me parashutë. Siç duket ajo ishte pika e fundit e mbushjes së kupës. Shkolla e sajuar e aviacionit u mbyll dhe ne, që ende nuk ishim bërë plotësisht oficerë, fluturuam për në Bashkimin Sovjetik”.
***
“ E do teserën e partisë, Sotir? E kupton që, të përjashtohesh nga Partia e Punës do të thotë pushkatim politik?”
“…..!!!!”
“ Po “ruçkën”? E di që do të të fluturojë përjetë nga duart ajo?”
“Ç’janë këto pyetje për mua?”
“Ti ke qenë sekretari i partisë atje, në Kinë…Duhet t’i tregosh partisë se kush kanë qenë organizatorët e asaj grevës që keni bërë atje!”
“Unë nuk kam qenë!”
“Këtë partia e di fare mirë. ..Tani na jep emrat e “kapobandave”…Shiko Sotir, është duke u bërë shumë e madhe…Duhet të flasësh. Ndryshe, nuk kam se ç’të bëj as unë, as kush tjetër…Partia duhet të dijë gjithçka. Duhet të kesh besim te ajo. Nuk mund t’i duash ti shokët më shumë se sa i do partia. Fol!”
Sotir Majko vendosi të mos i raportonte asnjërin nga gjashtëmbëdhjetë pilotët–oficerë që kishin shkuar në Republikën e Kinës për specializim të mëtejshëm. Ata kishin ngritur te pala kinezë, sigurisht përmes sekretarit të partisë, “tunxhe Majko”, disa pretendime të karakterit material, që nuk ishte mirëpritur e as mirëkuptuar nga zyrtarët e të dy shteteve.
Dhe, ishin kthyer “kartë postale” në atdhe!
Sotir Majko kujton edhe sot e kësaj dite se, shokët e tij nuk e dinin masën e presionit që po i bëhej në mënyrë që ata të ndëshkoheshin sa më rëndë por, thekson ai, asnjëri prej atyre zemërngrirëve, nuk e kapi mënjanë, as edhe një çast të vetëm, që t’i pëshpëriste diçka të fshehtë kundrejt ndonjëfarë shpërblimi.
Mbase ndëshkimet mund të kishin qenë akoma më të rënda, por, një grup prindërish lebër, sigurisht me emër në kohën e luftës kundër okupatorëve, në valën e atij stresi të jashtëzakonshëm e plot djersë të akullta, i bënë personalitetit të njohur të asaj kohe, Dilaver Poçi, një pyetje, nga e cila kama nuk shkoi më thellë. Ata i thanë: “Ua kemi dhënë djemtë tanë të bardhë si letra. Përse po na i ktheni letër e nxirë?”
***
Majko kujton se, pas 16 muajve si komandant toge dhe i përjashtuar nga partia, i erdhi propozimi, në fillim, për të shkuar në inxhinierinë e ndërtimit e, pas refuzimit nga ana e tij e kësaj oferte, propozimi i dytë për të vazhduar Akademinë Ushtarake.
Ai i kishte dërguar një letër plot dëshpërim Ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Beqir Balluku dhe, siç duket, ajo klithmë e tija, kish qenë zanafilla e fillimit të specialitetit të këmbësorëve të kualifikuar, duke zënë vend në një klasë tok me të, ta zëmë, Zyhdi Kroi, Thoma Dado, Kiço Mustaqi, Kadri Cenolli, etj.
Pas mbarimit të kësaj akademie, të cilën “Shef Sotiri” e kujton me nostalgji, nisi jeta e tij prej “shtabovniku”; që nga Farka në Kuçovë e deri në Shefi i Shtabit të Aviacionit, prej nga doli në pension duke kujtuar se, gjithë – gjithë, ka ndëshkuar një ushtar që përsëriste ikjet pa leje dhe një oficer.
Për periudhën që kujton Ohri në fillimin e tregimit, Majko ka qenë i njohur për aktivizimin tepër efikas të shtabit të tij prej jo më shumë se 10–12 vetash, kur homologët e degëve të tjera kishin nga 50–60 veta; për provat e shpeshta të gatishmërisë, cilësinë e “stërvitje – shtabeve” dhe mbajtjen perfekte të dokumentacionit.
Tanimë që ka dalë në pension, Sotir Majko, sidomos pas viteve nëntëdhjetë, nuk ka zemër të shkojë në aerodromet ku ka rini pak dhe “Më bëhet të dal e të ulërij si ujk mes aerodromit; të ulërij e të qaj pa pushim“.
*Marrë me shkurtime nga vëllimi i parë i “DINOSAURËT E FUNDIT” i Rizau Lahi*
Diskutime rreth kësaj post