Pavarësisht se njoftimi për të protestuar ndaj Kryeministrit Edi Rama ishte bërë prej ditësh, ajo që ra në sy në protestën e djeshme ishte mungesa e deputeteve të PD-së, Majlinda Bregu e Jozefina Topalli.
E kontaktuar nga “Panorama”, deputetja e PD-së, Majlinda Bregu, e lidhi mungesën në protestën e djeshme me pjesëmarrjen në një tjetër angazhim.
Por, pavarësisht kësaj, Bregu ka deklaruar se pasi ka parë formën e protestës dhe fjalorin e përdorur, është ndier më mirë që nuk ka qenë.
“Isha në një angazhim tjetër e më keqardhje m’u desh të mungoj, por ashtu si shkoi, ndihem më mirë që nuk isha dhe do t’u kërkoj kolegeve të mia të ulemi dhe të flasim seriozisht për atë që na takon të bëjmë seriozisht”, shprehet për “Panorama” Majlinda Bregu.
Pas protestës, kryetarja e Komisionit për Integrimin në Kuvend publikoi në profilin e saj në “Facebook” edhe një shprehje të Margaret Thatcher “Fuqia është si të jesh një zonjë… nëse do të duhet t’u thuash njerëzve që je, atëherë nuk je!”.
Gratë demokrate kanë protestuar mesditën e djeshme përpara Kryeministrisë, ndaj gjuhës së përdorur nga kreu i qeverisë në drejtim të deputeteve të PD-së në seancat parlamentare.
Diskutime rreth kësaj post