Bashkia e Tiranës është e vendosur që mes të fortëve, që zënë trotuaret apo hapësirat e tjera publike dhe qytetarëve, të mbrojë interesin e këtyre të fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë një takimi me ndërlidhësit e komunitetit për Njësinë Administrative nr. 1, duke marrë shkas edhe nga debati për taksat, ka theksuar se cilido biznes që ka zënë një trotuar me tavolina apo karrige duhet të paguajë për hapësirën që u ka zënë banorëve të qytetit.
“Taksa e biznesit të vogël, një taksë që fillonte me 250 mijë lekë dhe mbaronte me 2 milionë lekë, në varësi ku ishe me kufirin e biznesit të vogël, është bërë zero. Çfarë bën brenda dyqanit tënd, në punishte, në furrë, pastiçeri, rrobaqepësi etj, është zero. Në çastin që del jashtë, ajo hapësirë është e të gjithë qytetarëve. Kushdo që ecën mbi trotuar, po ecën mbi pronën e vet, çdo njeri që ecën në rrugët e Tiranës, ecën mbi pronën e vet. Askush tjetër nuk ka të drejtë t’ia marrë pronën pa pagesë qytetarëve”, tha Veliaj.
Në të kundërt, theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, cilido biznes që nuk i përgjigjet këtyre taksave se nuk ka punë, le ta lirojë pronën publike të qytetarëve. “Nëse pasi ke zënë hapësirë publike në zonën A, zona më e shtrenjtë e qytetit, ku kafja në fakt është 800 lekë, nëse nuk nxjerr 500 lekëshin sa për të paguar këtë dhe nuk ke aq punë, përse e zë hapësirën publike?”, u shpreh Veliaj, ndërsa shtoi se taksat i shërbejnë më pas qytetit për të bërë më shumë shkolla, çerdhe apo kopshte. Për këtë qëllim, ai u ka kërkoi ndërlidhësve të komunitetit që të bisedojnë me banorët e lagjes së tyre për t’i shpjeguar se taksat që aplikon bashkia këtë vit për bizneset, në krahasim me ato që aplikoheshin një vit më parë, janë ulur, e në rastin më të mirë janë zeruar, përfshi këtu taksën e biznesit të vogël apo taksën e tabelës. “Unë kam vendosur që Bashkia e Tiranës të ecë shpejt për të kapur kohën e humbur”, shtoi Veliaj.
Duke u ndalur te puna e ndërlidhësve të komunitetit, kryebashkiaku e vlerësoi rolin e tyre si të një rëndësie shumë të madhe, sidomos në mbarëvajtjen e jetës në çdo lagje dhe zbatimin e ligjit nga banorët, duke i cilësuar ata avokatë të interesit publik të qytetit. “Dua t’ju them se si ndërlidhës keni marrë përsipër të bëni gjëra, të “prishni” disa rehati, disa qejfe, gardhin e dikujt, ndërtimin pa leje të dikujt tjetër, për dikë që shkakton konflikt me komunitetin, dikush që zapton hapësirë publike për komunitetin dhe e kthen në interes privat”, tha kryetari i Bashkisë Veliaj.
Ai ka kërkuar prej tyre që të rrisin komunikimin me qytetarët dhe banorët e lagjes që mbulojnë për të gjitha vendimet që ndërmerr bashkia dhe projektet e mëdha apo të vogla që ajo ka vendosur të realizojë në të mirë të qytetarëve, ashtu siç edhe diskutoi gjatë prezantimit
të projektbuxhetit në fundvitin e shkuar. “Bashkë folëm edhe për çështjen e këndit të lojërave te liqeni, e prezantuam 24 herë, megjithatë forca që duan të pengojnë progresin në Tiranë ca me dashje, ca komplet pa dashje, janë jo të buta dhe do të duhet që siç i bëmë ato 24 dëgjesa për buxhetin dhe projektet madhore, ne ta transformojmë të gjithë vitin në një komunikim konstant me banorët”, shtoi Veliaj.
Më tej ai shtoi se ky komunikim është tepër i rëndësishëm, nga njëra anë për vetë bashkinë që të kuptojë se cilat janë nevojat dhe qëndrimet e një lagjeje të tërë, ashtu edhe për vetë banorët që të njihen dhe të japin mendimin e tyre për projektet apo vendimet që merr bashkia. “Demokracia është ‘sport’ me pjesëmarrje. Kur dikush nuk merr pjesë e nuk vjen në dëgjesa, nuk mund të ankohet pse u morën vendimet kur ai s’ishte, ndaj më vjen mirë që për qytetarët që nuk e kanë mendjen të dalin në televizor, por për qytetarët që kanë mendjen se si do të bëhet komuniteti më i mirë, ishin në këto dëgjesa dhe kanë mbështetur fuqimisht bashkinë në këto projekte madhore, si këndi i lojërave tek liqeni, Pazari i Ri, Unaza e Vogël, që sapo ka nisur, kopshtet, shkollat, çerdhet në çdo njësi”, deklaroi Veliaj.
Duke u ndalur te detyrat që kanë ndërlidhësit në bazë të ligjit, kryebashkiaku renditi raportimin për çdo ndërhyrje të paligjshme që bëhet në zonat që mbulojnë, ndërmjetësimi mes banorëve dhe Bashkisë, zgjedhja e mosmarrëveshje mes banorëve, evidentimi i familjeve në nevojë në komunitetin që ata do përfaqësojnë, etj. “Nevojat janë të panumërta: ka njerëz të ardhur nga rrethe të ndryshme, që janë në kërkim të një pune, njerëz që përballen me fatkeqësi, njerëz, fëmijë që mund të kenë humbur prindërit, pra njerëz në kushte për të cilat meritojnë jo vetëm ndihmë ekonomike, ndihmë e asistencë sociale, por edhe një mbështetje njerëzore”, u shpreh kryebashkiaku. Në bazë të ligjit, për çdo 2500 banorë, komuniteti zgjedh një ndërlidhës, i cili do ndërmjetësojë problemet mes administratorëve të pallatit dhe Njësisë Administrative.
Por, për të realizuar më mirë këto funksione, Veliaj paralajmëroi se do të nisë edhe aplikimi i ligjit “Për bashkëjetesën e në komunitet”, i cili parashikon edhe zgjedhjen e detyrueshme të administratorëve të pallateve. Ndaj, ai theksoi se në zbatim të këtij ligji do të bëhet trajnimi profesional dhe liçensimi i administratorëve të pallateve. Gjithashtu, Veliaj ka lajmëruar edhe vendimin që ka marrë bashkia që nismën e zbatuar vjet për pastrimin e përgjithshëm të Tiranës ta kthejë në një traditë që do të aplikohet edhe gjatë këtij viti. Kështu, ai bëri të ditur se datat 12 dhe 13 mars do të organizohet një tjetrën aksion i pastrimit të Tiranës, jo vetëm nga ndërmarrjet e bashkisë, por edhe nga vetë qytetarët.
Diskutime rreth kësaj post