Projekt-statuti i ri i socialistëve ruan parimin e zgjedhjes së kryetarit përmes parimit një anëtar, një votë, por saktëson ndryshimin mes rasteve kur partia është në opozitë dhe kur ajo është në qeverisje.
“Alternativat e paraqitura do të shqyrtohen nga asambleja dhe nga kongresi, por ky është projekt që hyn në fuqi në momentin që e voton Kongresi i Partisë Socialiste. Sot është një projekt dhe si gjithë projektet nuk ka efekte”, tha Fatmir Xhafaj, Sekretar për Çështjet e Koordinimit në Partinë Socialiste.
Nuk është vendosur ende nëse ndryshimet statutore do të votohen si pikë e parë e rendit të ditës, pasi kjo vendoset nga Asambleja e Partisë Socialiste. Por, nëse kjo ndodh, atëherë i gjithë procesi i përzgjedhjes së kryetarit do të përcaktohej nga statuti i ri.
“E thoni ju këtë, nuk e them unë. Jam këtu për të paraqitur projektin, arsyet që përcaktuan nevojën e këtyre ndryshimeve dhe risitë që sjell ky projekt-statut, ky dokument, që është ende një projekt, dhe momenti në të cilin votohet është momenti që do të parashikojë rendi i ditës së kongresit. Sipas rendit të ditës. Nuk jam unë ai që e përcaktoj rendin e ditës. Mendimet jepen në Asamblenë Kombëtare sepse atje debatohet dhe atje votohet“, sqaroi Xhafaj.
Ndryshimet statutore që do të kenë në bazë edhe modelin laburist, sipas zotit Xhafaj, do t‘i japin një dinamikë të re dhe organizim më efikas kësaj force politike, kjo në kuadër edhe të ndarjes së re territoriale.
Diskutime rreth kësaj post