Mbërrin Venecia, ja rekomandimet për reformën
Komisioni Venecias e ka gati opinionin final për draftet e dërguara nga Tirana për reformën në drejtësi. Top Channel ka siguruar dokumentin prej 20 faqesh nga ku ekspertët e Venecias kanë renditur opinionet përfundimtare.
Që në fillim ata vlerësojnë se drafti i rishikuar dërguar atyre për opinion, përmban propozime që dizenjojnë institucionet e drejtësisë në koherencë dhe përputhje me standardet europiane. Komisioni Venecias beson se drafti me këto amendamente, ndoshta duhet të finalizohet pa vonesa të tjera me dorëzimin në Parlament për ta votuar.
Pikës më të nxehtë për reformën në drejtësi në mënyrën e zgjedhjes së “Këshillit të Lartë të Drejtësisë” përfshi Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, dy institucione të cilat do të shërbejnë si garantuese të pavarsisë dhe llogaridhënies Venecia ia lë në dorë të politikës shqiptare të vendosë.
Kjo është përgjigja:
“Në fushën e ligjit dhe praktikës ndërkombëtare nuk ka kërkesa strikte që një shumicë e cilësuar me 2/3-at, e cila përdoret në zgjedhjen e drejtuesve më të lartë. Pragu i duhur i votave që duhen siguruar në rastin e fundit është në thelb më shumë politik sesa çështje ligjore”.
Në përgatitjen e draftit final Venecia rekomandon se duhet kushtuar vëmendje në mënyrën e zgjedhjes së organeve të reja në drejtësi si “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit”, “Kolegji i Posaçëm i Apelimit”, “Këshilli i Lartë i Prokurorisë” dhe “Këshillin e Lartë Gjyqësor”, përfshi “Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”.
“Nëse forcat politike të përfshira në këtë proces nuk dakortësohen për zgjedhjen me shumicë të cilësuar anëtarët e 3 institucioneve të reja duhet të synojnë një opsion të ri që i garanton opozitës përfaqësim në të gjitha këto institucione apo një model tjetër, i cili do t’i sigurojë opozitës një influencë të caktuar në procesin e zgjedhjes”, thotë Venecia.
Për prokurorin special të njësisë që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta, Venecia rekomandon se në draftin e amendamenteve duhet të specifikohet metoda e emërimit, përfshi mekanizimin e llogaridhënies. Ndërsa për mënyrën e vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Venecia kërkon të bëhet kujdes.
“Gjykatësit dhe prokurorët, të cilët i nënshtrohet procesit të vetingut duhet të gëzojnë të drejtën e ankimimit nëse u shkelen të drejtat themelore”, rekomandon Venecia.
Sipas Venecias, autoritetet vendimarrese janë legjitime të gjejnë zgjidhjet e duhura. Duhet sqaruar më tej rolli i njësisë antikorrupsion në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Po ashtu kërkohen sqarime të mëtejshme për rolin e ministrit të Drejtësisë në raport me Inspektorin e Përgjithshëm.
Venecia hedh idenë e një procedimi të drejtpërdrejtë të ministrit pavarësisht inspektorit, përfshi garancitë procedurale, të jenë më të rrepta për të garantuar privatësinë.
Venecia sugjeron jo përgjime të përhershme, që do të shërbenin si një “kartabiankë” në dhunimin e privatësisë. Përsa i përket ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë pjesë vëzhguese e institucioneve të reja ndërkombëtare, Venecia rekomandon rol jo vendimmarrës.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post