Thaçi president zbraz tre mandate
Zgjedhja e Hashim Thaçit President i Kosovës lë të zbrazët postin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, por edhe dy postet që ai mban në Qeverinë “Mustafa”, atë të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme.
Meqenëse Kushtetuta e Kosovës ja ndalon Presidentit të vendit që të ushtrojë çfarëdo aktiviteti tjetër publik, Thaçi deri në dhënien e betimit si president më 7 prill, duhet të japë dorëheqje nga të gjitha këto poste partiake dhe qeveritare.
Top Channel ka mësuar nga zyrtarë të lartë në PDK se deri tani emri më i mundshëm për pasardhës të Thaçit në parti është zëvendëskryetari Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ndërkohë, në postet qeveritare, sipas burimeve të Top Channel, Thaçin do ta pasojnë dy zyrtarë të lartë të PDK-së.
Nga ajo që është diskutuar deri tani brenda lidershipit të partisë, në pozitën e ministrit të Jashtëm, Thaçin pritet ta zëvendësojë nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, i cili edhe më parë ka qenë në këtë post gjatë kohës që vetë Thaçi ka qenë Kryeministër.
Postin e zëvendëskryeministrit të parë në Qeveri, pritet të zëvendësojë Thaçin ministri aktual i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ose ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi.
Por për këto zhvillime që pritet të pasojnë largimin e Thaçit nga funksionet partiake, në Partinë Demokratike të Kosovës nuk preferojnë të flasin para se të vendoset në parti.
Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha përmes telefonit për Top Channel se deri tani kanë qenë të angazhuar në zgjedhjen e presidentit, ndërsa në ditët e ardhshme, sipas statutit të partisë, do të vendosin për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Po ashtu, Krasniqi konfirmoi se ditët në vijim, sipas marrëveshjes së koalicionit, do të ndodhin edhe zëvendësimet e nevojshme në qeveri.
/ Top Channel
Diskutime rreth kësaj post