Nga Idajet Beqiri
Deputetja e PD-së Mesila Doda, e cila pasi kaloi “ylberin”, nga opozitë, brenda një nate u bë pozitë, në një konferencë për shtyp e nxori së jashtmi, mllefosjen e saj të brendshme ndaj luftëtarëve të LANÇ-it. Ajo i kërkoi “hesap” Qeverisë dhe mazhorancës parlamentare, megjithëse është pjesa më servile përbërëse e saj, se përse nuk e ka përfillur projekt ligjin e vetemërtuar “Mesila – Idrizi”. Sipas deputetes Doda, projekt ligji i saj dhe i Idrizit, kryetarit të PDIU parashikon heqjen e dekoratave të “xhelatëve të komunizmit”! Mirëpo se për cilat dekorata e ka fjalën Mesila Doda, nuk del e qartë. E ka fjalën për dekoratat dhe medaljet e dhëna me ligj për luftëtarët antifashist shqiptare që bënë dhe fituan Luftën e Dytë Botërore? Apo e ka fjalën për ata të dekoruar si “heronj të punës socialiste”. Pra, kë konsideron ajo dhe deputeti çam, Idrizi, “xhelatë të komunizmit”?! Nga ana tjetër nuk dimë se në cilën dispozitë kushtetuese e ka bazuar projekt draftin ligjor alla “Mesila” kjo e ashtuquajtur “ligjvënëse”!
Se, kur paraqet një projekt ligj, në radhë të parë je i detyruar të përmendësh dispozitën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nga do të ketë fuqinë juridike që do të marrë ky ligj.
Në fakt, deputetja Mesila Doda, hedh një “bombë tymëse”, pa ditur se ku të çon dhe ku del papërgjegjshmëria e saj.
Dekoratat u janë dhënë luftëtarëve antifashistë në bazë të një ligji, i cili ka dalë në përputhje me Kushtetutën e kohës së shtetit shqiptar. Në bazë të ligjit të kohës ishin parashikuar saktë se si jepeshin dhe se si hiqeshin dekoratat. Ishte ligji penal ai që parashikonte rastet dhe mënyrën se si hiqeshin dekoratat. Kodi Penal, i dal në bazë dhe për zbatimin e Kushtetutës, ishte ligji i vetëm ku parashikoheshin rastet dhe mënyra se si dhe kur hiqeshin dekoratat e dhëna individëve nga organi kompetent i kohës. Heqja e dekoratave bëhej vetëm në ato raste kur dikush bënte një apo disa krime të rënda, merrte një masë dënimi të rëndë, dhe heqja e dekoratave ishte një dënim plotësues. Heqje dekoratash pa marrë më parë një dënim penal të rëndë, dhe aq më keq, heqje dekoratash në mënyrë kolektive e masive, kurrë nuk ia kishte lejuar vetes regjimi komunist, sado diktatorial që ishte ai. Ndërsa dyshja e papërgjegjshme Doda – Idrizi, pa e ditur as vet se çfarë flasin dhe çfarë predikojnë, kërkojnë diçka që është antikushtetuese dhe anti Konventës Evropiane Për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, e mbi të gjitha profashiste.
Në radhë të parë sepse cenohet siguria juridike, e cila është një e drejtë nga më themeloret e qytetarëve.
Nga ana tjetër, nuk mund t’i japësh dot fuqi prapavepruese një ligji për dekoratat, ndryshe parimet e shtetit të së drejtës do të deformoheshin në një shkallë skandaloze, sa do të justifikonin akuzat e armiqve të egër të Kombit tonë se gjoja shqiptarët janë primitiv dhe antishtet.
Më tej akoma, shteti është shtet dhe vazhdimësia e tij është parimi themelor që e karakterizon dhe e bën atë serioz dhe jo leckë pa vlerë. Vazhdimësi shteti do të thotë që, regjimet mund të ndërrohen, por çdo regjim ka ligjet dhe ligjësitë e veta. Regjimi i ri ka ligjet e tij të reja, të cilat kanë kritere të tjera për vlerësimin e gjithçkaje në këtë jetë, por që nuk kanë asnjë fuqi të zhbëjnë atë që është bërë nga regjimi i kaluar dhe që morali i asaj kohe e pranonte si pozitive dhe e kishte të sanksionuar në ligje. Ndryshe “plaga e Rozafës” do të ishte vetëdënimi ynë më tragjik, i prishjes dhe i mohimit apriori të asaj që kanë bërë dhe kanë ndërtuar regjimet paraardhëse, prej regjimit pasardhës. Ishte kjo arsyeja që edhe regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk u mor me dekorimet që kishte bërë Ahmet Zogu!
Dhe çka është më tragjike dhe më e papranueshme është fakti se Mesila Doda dhe Idrizi prekin dhe përdhosin një gjë të shenjtë, simbolin e atyre që bënë LANÇ-in. Antifashizmi shqiptar në Luftën e Dytë Botërore është gjerdani më i art që e nderon dhe e lartëson kombin tonë para gjithë botës. Cilido që e bëri këtë luftë dhe që ju shpërblye heroizmi me dekorata, duhet t’i gëzojnë ato, përderisa nuk ju janë hequr nga një gjykatë kompetente për ndonjë krim të rëndë të kryer dhe të dënuar. Të veprosh jo si ligjvënës, por si “nallban” i rëndomtë, siç bëjnë dyshja famëkeqe Mesila Doda – Shpëtim Idrizi është jo vetëm antiligjore, por edhe antikombëtare. Këta dy deputetë i përkasin PDIU, kësaj Partie që aspiron zgjidhjen e çështjes çame. Greqia e pengon zgjidhjen e çështjes çame me pretendimin kundër historik se gjoja i ka dëbuar nga trojet e veta popullsinë çame sepse “ ishin bashkëpunëtorë të fashizmit”! Dyshja çame Doda – Idrizi me papërgjegjshmërinë e tyre i ndihmojnë “andartët” e rinj grekë në tezën e tyre kundër historike me vrerin e tyre kundër luftëtarëve të LANÇ-it, sepse po ranë “si xhelat të komunizmit” ata që e bënë LANÇ-in, bie edhe vetë kjo luftë heroike.
Dhe e gjitha kjo pse bëhet? Bëhet vetëm e vetëm se paraardhësit e të mllefosures Mesila Doda u radhitën në krahun e turpit, të tradhtisë, të kolaboracionizmit profashist dhe turpin e parë, kërkojnë ta “lajnë” me një turp të dytë, po aq makabër, sa i pari.
Diskutime rreth kësaj post