Partia Demokratike ka mbledhur sërish sot grupin parlamentar, ku në fokus është situata e krijuar dje në Kuvend. Mbledhja është thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha, dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura. Ditën e djeshme, opozita bllokoi foltoren e Kuvendit, si shenjë proteste për rikthimin e Armando Prengës në Kuvend.
Dje, ish-Kryeministri Berisha dhe deputetja Topalli deklaruan se po konsiderojnë mundësinë për të lënë mandatin e deputetit. PD do të vendosë se çfarë masash do të marrë dhe cili do të jetë qëndrimi i demokratëve për situatën e krijuar, të cilët akuzojnë Kryeministrin Rama se ka kriminalizuar Parlamentin e Shqipërisë.
Grupi i PD do të kërkojë gjithashtu që Kuvendi të marrë masa për Kryeministrin dhe deputetin Braçe deri në përjashtimin e tyre, pasi ofenduan rëndë deputetët e Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, edhe PS i ka kërkuar Kuvendit të përjashtohen tre deputetë demokratë për incidentet në Kuvend, që qëlluan me vezë Kryeministrin Rama.
Diskutime rreth kësaj post