Deputeti i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka akuzuar në një deklaratë për mediat kryeministrin Rama, duke thënë se e ka shndërruar Parlamentin në strofull të krimit dhe kriminelëve.
“Kreu i meduzës së krimit të organizuar, Edi Rama e ka shndërruar Parlamentin në strofull të krimit dhe kriminelëve dhe në atë Parlament gjejmë sot, pas burgjeve të sigurisë së lartë, numrin më të madh të kriminelëve. Sot rendi i ditës është njëri prej tyre. Armand Prenga, si lejtant i Edi Ramës, i cili në mëshirë, vendosi të mos paraqitet, për t’i larë faqen e zezë të Edi Ramës. Por Armandi është vetëm njëri prej tyre.
Ka dhe më të zinj si Armandi, janë edhe një numër i madh deputetësh, që vjedhin pasuritë e shqiptarëve. Mes tyre ka një garë të papërmbajtur, se si të përdorin pushtetin për të vjedhur pasuritë publike”, tha Berisha. Gjithashtu, ish-kryeministri tha se Partia Demokratike është kundër skenarit ‘kosovar’ dhe pohoi se nuk do të hedhë gaz lotsjellës në Kuvend, pasi më parë i ka dënuar aktet e opozitës së Kosovës. “Nuk hedhim gaz lotsjellës në Kosovë. Unë e kam dënuar sjelljen e opozitës së Kosovës dhe nuk mund të jem me dy standarde. Nuk jam absolutisht dakord që deputetët tanë të hedhin gaz lotsjellës në Kuvend”, garantoi ai.
Diskutime rreth kësaj post