Një atentat me armë zjarri ka ndodhur gjatë mesditës së të mërkurës në hyrje të qytetit të Lezhës. Për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë një biznesmen 45–vjeçar nga Rrësheni, i identifikuar si Landi Gjet Noka.
Ai ka marrë plagë në pjesën e kokës dhe ndodhet në terapi intensive në Spitalin e Lezhës. Policia thotë se autorët e kanë ndjekur 45-vjeçarin që lëvizte më mjetin e tij dhe sapo ka dalë nga superstrada për në rrugën hyrëse të Lezhës, e kanë parakaluar duke qëlluar në drejtim të tij.
Policia ka shpallur dy persona në kërkim për plagosjen e biznesmenit.
Policia sqaron se Landi Gjet Noka, 45 vjeç, banues në Sheshaj Mirditë pronar i një biznesi me lëndë drusore dhe qymyrgurit është goditur me mjete të forta në kokë dhe më pas 2 personat e shpallur në kërkim kanë qëlluar në ajër me armë zjarri. Shkak i konfliktit dyshohet të jenë mosmarrëveshjet me motiv konkurrencë të biznesit të tyre me lëndë drusore dhe qymyrgur.
“Nga veprimet e shpejta hetimore dhe verifikuese nga ana e grupit hetimor të policisë ka rezultuar se autorë të dëmtimit të shtetasit Landi Noka, janë shtetasit: Landi Kaçorri, Gjergj Kaçorri.
“Nga veprimet e para hetimore rezulton se këta shtetas janë konfliktuar fizikisht duke e goditur me mjete të forta shtetasin Land Noka në kokë dhe nga shtetasit e shpallur në kërkim është qëlluar në ajër me armë zjarri”
Konflikti për motive konkurrence
Shkak i konfliktit dyshohet të jenë mosmarrëveshjet me motiv konkurrencë të biznesit të tyre me lëndë drusore dhe qymyrgur. Sipas policisë, Landi Kaçorri ishte konfliktuar dy ditë më parë me Marjo Nokën.
“Gjithashtu shkak ka qenë edhe ngjarja e ndodhur me datë 22.02.2016 , ku në Komisariatin e Policisë Mirditë ka shkuar shtetasi Marjo Gjet Noka , banues në Rrëshen, i cili ka bërë kallëzim se në orën 14:10 të po kësaj datë ka qenë duke shkuar në shtëpi me familje dhe shtetasit Tanush (Tonin) Kaçorri dhe Land Kaçorri i kanë dalë përpara duke e ofenduar, sharë dhe ku kanë tentuar të veprojnë edhe me duar. Por shtetasi Marjo Noka nuk u është përgjigjur duke u larguar me makinë për në shtëpi ku dhe është ndjekur nga ata deri tek banesa e tij” informon policia
Për këtë ngjarje janë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprën penale “Fyerja”.
Diskutime rreth kësaj post