Përvetësoi 6.7 milionë lekë të reja nga pagesat e qytetarëve për energjinë elektrike dhe është larguar jashtë vendit.
Kjo është skema e thjeshtë që ka përdorur një prej arkëtarëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në Tiranë, Merlina Kuçuke, e cila tanimë është shpallur në kërkim, ndërsa prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.
Ka qënë vetë drejtoria qendrore e OSHEE në Tiranë, ajo që dha alarmin për këtë vjedhje, duke e denoncuar rastin edhe në polici e më pas në Prokurori. Nga verifikimet e kryera nga vetë OSHEE, arketarja Kuçuke, e cila punonte në njësinë e Kujdesit nga Klientit pranë kryqëzimit të 21 dhjetorit, për disa ditë nuk ka derdhur në bankë shumat e arkëtuara nga pagesat e faturave të energjisë elektrike.
Arkëtarja shkonte në bankë së bashku me punonjësin e sigurisë, e ndërsa ky i fundit qëndronte tek dera e bankës, arkëtarja futej brenda por nuk dorëzonte paratë dhe dilte sërish me shumën e lekëve që kishte arkëtuar nga pagesat e faturave.
Ky veprim mund të jetë bërë disa herë, derisa u konstatua, por ndërkohë arkëtarja Merlina Kuçuke, ishte larguar jashtë vendit së bashku me shumën prej 6.7 milionë lekë të reja. Përveç arkëtares e cila është denoncuar, drejtuesit e OSHEE, kanë shkarkuar nga detyra 2 specialistë të cilët duhej të mbikqyrnin çdo ditë veprimet e arkëtares dhe derdhjet fizike të parave në bankë, si dhe një drejtoreshë që kishte nën varësi të drejtëpërdrejtë arkëtaren tashmë të shpallur në kërkim.
Diskutime rreth kësaj post