Ministria e Jashtme e Italisë ka ftuar për shpjegime ambasadorin amerikan, pas raportimeve në media se shërbimet amerikane të kundërzbulimit kanë përgjuar telefonatat e ish-kryeministrit, Silvio Berlusconi, si dhe të ndihmësve të tij në vitin 2011.
Ka qenë gazeta “La Repubblica” që raportoi gjatë kësaj të marte se Agjencia për Sigurinë Kombëtare (NSA) në SHBA ka përgjuar manjatin e medias dhe figurën me më shumë influencë në politikën italiane, 4 herë kryeministër, plot 5 vite më parë, kur qeveria e tij ndodhej nën presion për shkak të krizës së borxhit të Eurozonës.
Ambasadori John Phillips ka qenë i detyruar të paraqitej në Ministrinë e Jashtme gjatë pasdites së sotme.
Sipas asaj që ka raportuar “La Repubblica”, referuar faqes së internetit “Ëikileaks”, manjati 79-vjeçar mediatik dhe kreu i partisë kryesore të qendrës së djathtë në Itali ka qenë në qendër të përgjimeve të NSA-së mes viteve 2008-2011.
E pavarësisht se influenca e Berlusconit është zbehur që pas largimit të tij nga pushteti, ai mbetet ende një figurë tepër e shquar dhe udhëheq ende “Forza Italia”-n, partinë e dytë më të madhe të së djathtës së përçarë të politikës italiane.
Mes gamës së gjerë të “perandorisë” së tij të biznesit përfshihen edhe kompania mediatike “Mediaset” dhe shumica e aksioneve të ekipit të futbollit, AC Milan.
Edhe Prokuroria Federale e Gjermanisë nisi një hetim mbi pretendimet e përgjimit të telefonatave të Kancelares Angela Merkel nga NSA, por pas një viti hetimet u mbyllën, pikërisht në qershor të 2015-s, për shkak se mungonin provat që mund ta çonin këtë çështje në gjykatë.
Aleati më besnik i Berlusconit, tashmë anëtar i “Forza Italia”-s, Renato Brunetta ka bërë të ditur se ka pasur një “konspiracion” për të rrëzuar Berlusconin nga pushteti, ndërkohë që ka paralajëmruar kryeministrin aktual italian, Matteo Renzi, të mos i marrë me lehtësi akuzat.
“Të mos harrojmë sesi agjencitë e vlerësimit ulën vlerësimet e tyre ndaj Italisë pa asnjë arsye, vetëm e vetëm për të detyruar largimin e Berlusconit”, shkruan Brunetta në rrjetin social “Twitter”.
Në të kaluarën, Berlusconi i ka akuzuar vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur zyrtarët e Bashkimit Europian për një “komplot” me synimin për ta larguar atë nga pushteti. Berlusconi dha dorëheqjen në nëntor të 2011-s dhe u zëvendësua në atë kohë nga ish-komisioneri europian, Mario Monti.
Diskutime rreth kësaj post