Në Kosovë vazhdojnë sot aktivitetet për festimet e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë.
Sipas axhendës së Këshilli Organizativ sot në ora 10.00, në Prishtinë, sipas vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës do të bëhet parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe njësive të Policisë së Kosovës. Parakalimi përcillet edhe me aktivitete të tjera akrobatike të kadetëve në shesh si dhe nga bendi muzikor i FSK-së.
Në ora 10:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hap ekspozitën e librit “Kosova në Udhën e Pavarësisë”.
Homazhe, në orën 11:00, në Prishtinë, i bëhen Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, ndërsa në orën 12:00 Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të rënëve të tjerë të familjes Jashari në Prekaz.
Në orën 12:00, Ansambli Shota do të defilojë në Prishtinë në sheshet Zahir Pajaziti, Nënë Tereza dhe Ibrahim Rugova.
Në ora 20:00, Baleti Kombëtar i Kosovës në Teatrin Kombëtar shfaq baletin “Dasma” me regji e koreografi të Mehmet Ballkan.
Në komunat e Kosovës:
Në orën 09:00 bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek shtatoret e heronjve të Kosovës;
Autoritetet komunale bëjnë vizita në familjet e dëshmorëve;
Komunat ndërmarrin aktivitete për dekorimin e rrugëve, parqeve dhe shesheve për datat 15-17 shkurt 2016 me flamuj. Bëjnë edhe dekorimin e shesheve dhe rrugëve me logo të 8 vjetorit të Pavarësisë;
Më 17 shkurt 2016, në ora 10:00, kuvendet komunale mbajnë mbledhje solemne me mysafirë të ftuar;
Nga 11 shkurti deri më 17 shkurt, shkollat organizojnë ekspozita me punimet e nxënësve lidhur me përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës;
Komunat ndajnë mirënjohje dhe dekorata për personalitete të vlerësuara komunale në shenjë të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës;
Manifestime të ndryshme sportive dhe kulturore në varësi të mundësive të komunave.
Po në 17 shkurt, delegacionet e larta të institucioneve të Republikës së Kosovës: Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Kabineti Qeveritar, do të bëjnë homazhe tek varrezat dhe përmendoret e dëshmorëve.
FSK do të angazhojë pjesëtarët e saj tek varrezat dhe komplekset e dëshmorëve.
Në 19 shkurt, në ora 13:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, do të dekorojë me medalje personalitete të shquara.
Protokolli i Shtetit është në dispozicion për të mbështetur të gjitha aktivitetet dhe ceremonitë shtetërore.
Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës thekson se axhenda mund të jetë subjekt i ndryshimeve.
Tradicionalisht, në çdo 17 shkurt ka edhe koncerte dhe njerëzi në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Diskutime rreth kësaj post