Nga Etleva Bragjeçi
“Ekzekutohet me kallashnikov një 41-vjeçar në Durrës”, -ishte titulli që hapi faqet e para të gazetave për sot. Ekzekutime, tritol, vrasje, grabitje, vjedhje, rrahje, dhunime….Janë titujt që lexojmë pothuaj çdo ditë në faqet e para të të përditshmeve, e po ashtu zënë pjesën më të madhe të edicioneve të lajmeve në të gjitha kanalet televizive. Nuk ka ditë që të mos ketë lajme të “kronikës së zezë”, siç i quajmë ne gazetarët në gjuhën e profesionit.
Një vend si Shqipëria me vetëm rreth 3 milionë banorë, me kaq shumë vrasës, vrasje e viktima! Shqipëria me vetëm rreth 3 milionë banorë, me kaq shumë kriminelë, hajdutë, dhe persona me precedentë penalë që lëvizin lirshëm nëpër qytete, dhe qytetarë që po bëhen me makthe e hije, me frikën se mos kur të dalin në rrugë do të jenë ata/ato preja e radhës për vjedhje, me frikën se kur të ulen në lokal plumbat mund ti zënë edhe ata, me frikën se bomba e vënë për X person në një qendër me qindra banorë do të shkaktojë viktima që nuk kanë lidhje me ngjarjen!
Jo se mua më pëlqen ta nis ditën që në 7 të mëngjesit (kur dëgjoj titujt e gazetave) duke lexuar e dëgjuar për vrasje, masakra, banda që hakmerren dhe që lënë nga pas disa viktima e shumë të tjerë të plagosur rëndë. Por sepse NUK ndjehem e sigurtë në këtë Shqipërinë tonë të mirë, por të katandisur si mos më keq, ndaj po ulem të shkruaj këto rreshta! Po po, NUK NDJEHEM E SIGURTË kur dëgjoj që në mes të kryeqytetit disa persona u vranë dhe autorët u larguan pa lënë asnjë gjurmë; PO, nuk ndjehem e sigurtë kur dëgjoj se një makinë shtypi një këmbësore në rrugën kryesore të qytetit ku unë banoj dhe iku e u zhduk përsëri pa lënë gjurmë; PO, nuk ndjehem e sigurtë kur dëgjoj se disa të marrë u marrosën edhe më shumë për një moment dhe filluan të gjuajnë me thika, pistoleta e kallashnikovë, a ku di unë se çfarë. Ajo këmbësorja e shtypur nga makina mund të isha edhe unë, edhe TI dhe kushdo tjetër. Ndërmjet atyre të vrarëve për hesape të tyre, plumbat shpeshherë kanë zënë dhe mund të zënë edhe të tjerë të pafajshëm. Fatin e 17-vjeçares që ia mori jetën babai i saj me thikë, edhe pse familja kishte urdhër mbrojtjeje, mund ta kenë edhe vajza të tjera!
Si mund të ndjehemi të sigurtë kur çdo ditë, dëgjojmë e lexojmë vetëm vrasje? Sa hap portalet online në faqe të parë ka vetëm tituj: “U vranë dy persona e u plagosën tre të tjerë”, “U ekzekutuan me kallashnikov tre persona dhe mbetën të plagosur 7 të tjerë”, (pavarësisht arsyes, hakmarrje apo hakdhënie…). E si mund të ndjehet i sigurtë një qytetar i këtij vendi, kur në mes të qytetit në rrugë me drita plot grabitet e vidhet dhe autori kurrë nuk gjendet?! E si mund të ndjehet i sigurtë një qytetar i vendit tim, kur edhe kur kapen vrasësit apo hajdutët, gjykatat i shpallin të pafajshëm?
Është pikërsisht ky kontigjent hajdutësh e kriminelësh që lihen të lirë nga gjykatat dhe kthehen në rrugë për të bërë gjëmën e radhës. Historia përsëritet e dëgjojmë sërish se dy u vranë e tre të tjerë u plagosën, dëgjojmë sërish se disa të rinj u konfliktuan dhe u masakruan me thika, sërish dëgjojmë persona me maska rrëmbyen, rrahën e vranë, e pafund lajme të kësaj natyre që s’po na ndahen asnjë ditë.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Shtetit në vitin 2015 janë shtuar me 19% rastet e kapjes së autorëve të ngjarjes. Po ashtu sipas raporteve zyrtare është ulur numri i vrasjeve me 10.4% krahasuar me vitin 2014. Nuk dua të bëj rolin e opozitës për policinë, pasi nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi dhe as qëllimi im! Mbase numri i vrasjeve vërtetë mund të jetë ulur, por ajo që unë ndiej si qytetare e këtij vendi është se çdo ditë e më tepër e ndiej veten më të pasigurtë!
Po bëj një rezyme vetëm disa nga ngjarjet e këtij viti, të cilat “justifikojnë” frikën time!
Orët e para të Vitit të Ri 2016 nisën me seri vrasjesh dhe dhune, duke përfshirë edhe grabitje njerëzish të pambrojtur në shtëpitë e tyre. Data 1 janar 2016, shënoi dy viktimat e para: Në Sarandë, burri vrau gruan në sy të vajzës së tyre 22 vjeçe dhe më tej vrau veten. Ngjarja u përjetua keq nga vajza, e cila përfundoi në gjendje të rëndë depresive në spital dhe të njëjtin shok psikologjik përjetoi dhe vëllai 20-vjeçar. Pak orë më vonë në Shkodër, një burrë ekzekutoi dy vëllezër, pse këta të fundit nuk i dhanë motrën për grua. E ndërsa forcat speciale po kërkonin të dyshuarin e armatosur të vrasjes në Shkodër, në Tiranë, një pjesëtari të këtyre forcave, iu vu zjarr duke i djegur shtëpinë. Në të njëjtën kohë, në Lezhë, një ish-polic rrugor u ekzekutua me armë zjarri.
Dy ditë pas ndërrimit të viteve, në Elbasan, në mes të qytetit, një çift të moshuarish që merren me bukëpjekje, u masakruan në shtëpi nga dy grabitës, të cilët u morën të moshuarëve rreth njëmijë euro. Dhe meqë jemi në qytetin e Elbasanit, kujtojmë masakrën e para pak ditëve, ku 3 persona u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën; Në Kavajë, një 31-vjeçar humbi jetën i ekzekutuar me armë zjarri; Ndërsa në Korçë, një vajzë e re u rrëmbye dhe u mbajt për disa ditë peng. Këto janë vetëm disa ngjarje kriminale të këtij fillimviti. Dhe të mendosh që vitit 2016 ka vetëm pak ditë më shumë se një muaj që ka hyrë dhe në listën e lartpërmendur janë VETËM një pjesë e të vrarëve/ekzekutuarëve!
Teksa numri i viktimave po shënon rritje, një projekt-ligj i ri për vendosjen e kamerave të sigurisë në ambjentet publike dhe në hyrjet e pallateve synon të parandalojë krimet dhe nga ana tjetër reforma e (zh)drejtësisë po na e bën kokën daulle.
Si mund të parandalohen vrasjet? Duke vënë kamera në lokale, parqe, biznese apo vende publike? Si mund të kthehet siguria, duke vënë kamera në çdo cep të pallatit?! Me kamera ishte edhe banka që u vodh para pak kohësh dhe të tjera si puna e saj të vjedhura ndër vite; Me kamera kanë qenë edhe lokalet ku janë vrarë shumë persona; Me kamera kanë qenë edhe hyrjet e pallateve dhe përsëri ka pasur viktima pikërisht në hyrjet e këtyre pallateve. Si qytetare e këtij vendi nuk më shtohet siguria në këtë vendin tim plot vrasje e tmerre, nëse shteti më vendos një kamera sigurie poshtë pallatit. (E kam një të tillë në hyrjen e pallatit dhe nuk më bën të ndjehem më e sigurtë). Nuk bëhet qyteti më i sigurtë nëse i vendos kamera sigurie në parqe publike, shkolla e biznese; Nuk bëhen më të sigurtë lokalet e natës nëse do të ketë kamera sigurie nëpër tualete dhe as nuk do të ndalohet konsumimi i lëndëve narkotike në këto ambjente se do të ketë kamera. Ka pasur kamera në shumë vende, edhe përgjatë këtyre viteve, dhe bash mu aty në mes të vendit kemi parë kasaphana që vetëm nëpër filmat Western ndodhin! Dhe më pas, ose autorët e ngjarjeve largohen pa lënë gjurmë, ose kapen nga policia dhe vetëm pas pak ditësh lihen të lirë nga gjykatat! Të gjithë e dinë se X apo Y nuk duhej të shpallej i pafajshëm sepse ka marrë jetë njerëzish, por (zh)drejtësia jonë e gjykon të drejtë që ai/ajo të lirohet dhe të bëhet gati për të kryer krimin e radhës! Gratë e dhunuara, që mund të kthehen në viktima, nuk shkojë të denoncojë dhunën e bashkëshortit në polici, sepse i mungon besimi tek autoritet dhe jo pa të drejtë!
Unë nuk besoj se me vendosjen e kamerave të sigurisë do të kthehet siguria ime dhe e çdo qytetari tjetër. Unë nuk besoj se duke bërë show mediatik për reformën për drejtësi dhe duke mos realizuar asgjë konkrete, do të parandalohen krimet në Shqipëri. Sepse siguria vjen nga një shtet ku institucionet ligjvënëse e ligjzbatuese funksionojnë! Nëse policia bën siç duhet deyrën dhe gjykatat e prokuroria bëjnë të tyren, vetëm atëherë do të ketë siguri në këtë vend. Sa kohë që rendi çalon aq shumë sa mezi ngrihet në këmbë, duke mos arritur të kapen kriminelët, dhe për sa kohë që, akoma më keq, edhe ata që kapen lirohen nga gjykatat, nuk ka për të pasur e as për t’u ndjerë ndonjëherë SIGURIA në këtë vend! Sa kohë që qytetarëve të këtij vendi nuk u siguroni të drejtën themelore, sigurinë për jetën, mos u kërkoni shqiptarëve të mos ikin nga sytë këmbët nga të munden…!
Diskutime rreth kësaj post