Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Shqipëri, nga Qeveria e Kosovës shihet si një mundësi e mirë për shqiptarët në përgjithësi, por edhe për vendet e rajonit.
Kryeministri Isa Mustafa tha për Top Channel se, vizita e sekretarit amerikan do të ketë efekt në thellimin e mëtejshëmm të bashkëpunimit të qeverisë amerikane me atë të Shqipërisë.
“Unë e konsideroj një vizitë tepër të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Kjo sepse flet për kujdesin që SHBA-të kanë për këtë rajon, për zhvillimin demokratik, zhvillimin ekonomik, integrimet tona euroatlantike. Por, po ashtu edhe për thellimin e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me këto vende. Sa i përket Kosovës, ne jemi shumë mirënjohës për të gjithë atë, që qeveria amerikane e populli amerikan kanë bërë për ne. Kemi nevojë që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin. Jemi shumë të kënaqur me rezultatet që kemi arritur kohët e fundit, lidhur me angazhimin e sektorit privat amerikan në sektorin e energjisë në Kosovë, ndaj dhe presim edhe investime të tjera. Unë e konsideroj lart dhe e vlerësoj lart përkrahjen e Shteteve të Bashkuara për këtë rajon. Konsideroj se, vizita e tij do të ketë efekte në thellimin e bashkëpunimit të qeverisë amerikane me Qeverinë e Shqipërisë, por edhe me Qeverinë e Kosovës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Top Channel: A besoni se do të ketë ndonjë mesazh politik për krizën politike në Kosovë, nga ana e zotit Kerry?
Kryeministri Isa Mustafa: Po, por unë mendoj se mesazhin, ne e kemi marrë shumë qartë kur ka qenë këtu zoti Kerry. Asgjë nuk ka ndryshuar nga pikëpamja e gjendjes, por edhe nga pikëpamja e cilësisë së mesazhit, sepse ka qenë një mesazh shumë i fuqishëm, i cili ka dhënë orientimet sesi ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe çfarë është zotimi e përkushtimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ne”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.
Kryeministri kosovar tha se, Kosova dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë të kultivojnë raportet me Shtetet e Bashkuara, si aleati më i fuqishëm i shqiptarëve në botë.
Diskutime rreth kësaj post