Poeti dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli pritet të sjellë së shpejti për publikun shqiptar veprën e dytë të Publicistikës, me titull “Shqipëria Lakuriq”. Kjo vepër përmbledh shkrime të tij të botuara në vitet 1997-2000. Për kontributin e tij gjysmëshekullor në fushën e letrave shqipe, vetëm pak muaj më parë, Agolli u nderua me çmimin “Pena e Artë, Mjeshtër i Madh i Gazetarisë”. Siç do të cilësohej dhe në këtë çmim, personaliteti i papërsëritshëm i gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, kontribuuesi madhor në shtypin e shkruar shqiptar për dekada me radhë, sjellësi i një kulture shkrimore të re dhe pasurues i mendimtarisë publicistike në hapësirën kombëtare si dhe lëvruesi i zhanreve të ndryshme në gazetarinë e shkruar dhe një ndër eseistët më të spikatur të shtypit shqiptar në 50 vjetët e fundit, Agolli pritet të rikthehet sërish pranë publikut shqiptar me një përmbledhje të shkrimeve të tij ndër vite, të cilat do të botohen së shpejti nga Shtëpia Botuese Dritëro në bashkëpunim me “Agjencinë e Lajmeve Sot News”. Në këtë vepër, rikthehen dhe një herë ngjarjet e ndezura politike, të viteve ’97-2000.
Politika
Teksa rinjihesh me këto shkrime dhe intervista të botuara në shtypin e kohës, vëren fakte të pamohueshme se sa pak ose aspak ka ndryshuar opozita e atëhershme e drejtuar nga Partia Demokratike, e cila për koiçidencë ndodhet në të njëjtën “llogore”. Që nga aksionet opozitare e deri tek gjuha politike e Sali Berishës, (atëherë kreu i PD, sot kreu de fakto por jo de jure), duket sikur kjo parti ka qëndruar në vend, pavarësisht se ka kaluar rreth 1 dekadë e gjysmë. “Fatkeqësisht ekipi drejtues i PD-së është tepër i trashë për ta mësuar gjuhën moderne të demokracisë dhe për të ndërmarrë veprime bashkëkohore bindëse dhe të efektshme. I mësuar me gjuhën e vjetër si një agjitator komun, ai vazhdon të hidhet hu më hu dhe të lëshojë majë hurit deklaratat primitive të pagdhendura plot agresivitet fisesh të lashtë. Ndonjëherë ky ekip të duket sikur është një UFO i zbritur nga ndonjë planet i panjohur, të cilit nuk ke se çfarë t’i bësh. UFO në këtë rast është Sali Berisha, UFO Shaban Memia, UFO Ylli Vejsiu. Këto UFO shfaqen herë pas here në sheshe dhe rrallë në Parlament, duke lëshuar një zhurmë jashtëtokësore dhe jashtënjerëzore dhe njerëzit thonë: “I patë UFO-t?”, deklaron Agolli në një intervistë të datës 1 tetor 1997 dhënë për shtypin. Më tej, Agolli e plotëson kështu mendimin e tij mbi funksionimin e PD në ato vite kur sapo kishte dalë në opozitë: “Pjesëmarrja e çrregullt në Parlament dhe më në fund largimi për një kohë të pacaktuar prej tij. Ky veprim është i palogjikshëm dhe kontradiktor. Nga njëra anë njihen zgjedhjet e 29 qershorit, njihet edhe marrëveshja e takimit të Romës, mbahet mend edhe premtimi i Sali Berishës, që i bëri Vraniskit për këtë çështje dhe nga ana tjetër Parlamenti quhet legjitim. E dyta, sjellja zhurmuese dhe provokuese e ekipit në momentet kur deputetët e PD marrin pjesë në Parlament është veprim primitiv, pa pikën e kulturës demokratike. Ekipi drejtues i PD vrapon drejt tribunës së Parlamentit, i rrëmben mikrofonin një deputeti që flet, e shtyn dhe është gati t’i bjerë me mikrofon në kokë. Deputetin që vjen të shuajë sherrin e shtrin dhe ia fut kokën nën shalë. Nga ky provokim më vonë kërcet koburja. Pasi shan Parlamentin, dy herë më radhë, duke i quajtur deputetët maska me blozë, Sali Berisha ngrihet herën e tretë dhe u drejtohet: “Ju fytyra të ndyta!”. Me këtë sharje plotëson sharjen e deputetit tjetër PD-ist: “Ju bëfsha nënat dhe motrat… !”. Më thoni ju, a ka më primitivitet? Si mund të drejtojë Partinë Demokratike ky ekip që ka vetëm një alternativë: “Ju bëfsha nënat!”? E shoh se kjo shprehje nuk është e përshtatshme për botim, por kjo u përcoll në Parlament, në tempullin e moralit… E treta, deklaratat e ekipit drejtues të PD-së janë autogracka. E kam fjalën që ky ekip i kurdis gracka vetes nga mënyra primitive e të menduarit”. Siç vihet re qartë, konstatimet e Agollit në ato vite janë dhe sot mëse aktuale…
1 Tetor 1997/ Avash, Sali Bej, Avash!
Si e kuptoni ju sulmin që ka marrë opozita kundër qeverisjes së re, duke u përpjekur të ngrejë turmat dhe duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, ministrit të Brendshëm, kryetarit të SHIK-ut e me radhë?
Sulmin kundër qeverisjes së re në mënyrën si po e organizon dhe si po e bën grupi i Sali Berishës në këto momente historike unë e shoh si një aventurë primitive politike, jashtë logjikës së kohës dhe jashtë çdo mundësie për të arritur ndonjë përfitim apo ndonjë fitore, qoftë edhe të vogël. Është një sulm i mbushur me pasione dhe i zbrazur krejtësisht nga elementët racionalë. Unë do ta vë veten në pozitat e një anëtari të moderuar të Partisë Demokratike dhe do të flas si ky anëtar. Dhe do të them: ne jemi një repart luftarak që bëmë një betejë dhe dolëm të humbur dhe të shpartalluar. Shumë ushtarë na mbetën nëpër ferra dhe nëpër hendekë, shumë të tjerë na u arratisën, shumë na u plagosën dhe shumë nga frika luajtën mendsh. Me mbeturinat që na mbetën nga ky repart ne nuk mund të sulmojmë. A mund të sulmojmë të shpartalluar? Prandaj ti, komandant, gabon kur urdhëron borizanin t’i bjerë borisë për sulm. Neve që mbetëm na janë bërë plagë këmbët, se na kanë vrarë këpucët nga mashtrimet, ne i kemi kockat e lidhura me fashë, ne kemi gjumë. Më mirë do të jetë të tërhiqemi për disa momente, të mbledhim forcat, të riorganizohemi, të analizojmë shkaqet e shpartallimit, ta mëkëmbim repartin dhe pastaj ta hedhim në sulm. Ja kështu do të thosha unë sikur të isha një anëtar i moderuar i Partisë Demokratike. Por Komandant Sali Berisha e ka marrë këtë repart të shpartalluar dhe me një bori të shpuar është hedhur në sulm, të dalë ku të dalë! Dhe ja kërkesat e këtij reparti të çuditshëm, që ua kalon edhe armatave të Zhukovit, kur marshonin drejt Berlinit. Reparti i shpartalluar i Sali Berishës jep ultimatume të njëpasnjëshme:
Ultimatumi nr.1:
Të dorëzohet gjeneral kolonel Nano pa kusht!
Ultimatumi nr.2:
Të dorëzohet gjeneral major Ceka pa kusht!
Ultimatumi nr.3:
Të dorëzohet admiral Gjinushi bashkë me flotën e tij, pa kusht!
Ultimatumi nr. 4:
Të dorëzohet kundëradmiral Dokle me anijet që disponon, pa kusht!
Ultimatumi nr.5:
Të dorëzohet shefi i shërbimit sekret, gjeneral Klosi, pa kusht!
Dhe në fund ultimatumi nr.6
Të merret peng gjeneralisimus Meidani! Këto ultimatume që vijnë nga çeta vulëhumbur e Sali Berishës janë kaq të çuditshme sa nuk të vjen as për të qeshur, se edhe e qeshura ka disa shtigje që i lejon arsyeja nga mund të vijnë…
24 Korrik 1999/ Çudi,sa të paturpshëm jemi!
Mua, si qytetar dhe si njeri publik, gjatë gjithë këtij viti vetëm dy thënie, apo dy ide të liderëve tanë, më kanë bërë përshtypje të madhe dhe më kanë befasuar. E para thënie e hedhur në eter, ka qenë ajo e Zotit Sali Berisha: “Kush firmos në Rambuje, është tradhtar”. Dhe e dyta, ajo e zotit Fatos Nano: “Rruga për në Evropë (NATO) kalon nëpër Athinë dhe nëpër Romë”. Këto ide, që kanë mendim të përbashkët, pavarësisht nga ngjyrimet stilistike, nuk janë thënë kot, nuk janë thënë as me shaka rreth ndonjë tryeze miqsh. Ato janë thënë për të goditur kundërshtarin politik që është pro Rambujesë dhe pro NATO-s dhe, rrjedhimisht, pro Amerikës, kur dihet se në Rambuje hyri dhe doli disa herë Ollbrajt, për t’ua mbushur mendjen shqiptarëve të firmosnin. Por nga selia blu e Tiranës zëri i tribunit blu karizmatik gjëmonte: “Kush firmos në Rambuje, është tradhtar”. Populli këtë e dëgjoi në radio, e pa në televizor, e lexoi në gazetë, se falë përparimit i ka këto mjete. Tani, që nga Kosova u përzunë ushtritë serbe, kur e dëgjoi zotin Sali Berisha të thotë se ka qenë i pari që ka mbështetur vendimet e Rambujesë dhe planin amerikan për çlirimin e Kosovës, mua më pushton një trishtim dhe një dëshpërim i patreguar, jo për faktin se “burrat e shtetit” gënjejnë, por për faktin se ata e fyejnë popullin, duke e quajtur një turmë pa tru, që mbi kurrizin e tij mund të hipin e të zbresin kur të duan dhe mund t’i shesin çfarë mallra dëshirojnë. E ndershme do të ishte t’i thoshe popullit: “Në fillim unë me Rambujenë u gabova”. Ah, fjala “gabova”, sa e rëndë është për të fluturuar nga buzët e një ish-sundimtari, e një lideri, e një pushtetari, e një “burri shteti”. E shihni që unë e vendos në thonjëza shprehjen “burrë shteti”? E vendos në thonjëza, pasi nuk është burrë shteti çdo njeri që ka përgjegjësira shtetërore. As çdo president dhe as çdo kryeministër nuk mund të jetë burrë shteti. Burrë shteti është vetëm ai që ka vlera kombëtare dhe është ndërgjegjja e kombit. Vetëm ai që bëhet ndërgjegjja e kombit, kur gabon, ka guximin të thotë: “Gabova”. Dhe ju, zotërinj, që lexoni këto radhë, mos prisni të thotë “gabova” ndonjë pushtetar apo ish-pushtetar, përderisa ata nuk janë burra shteti. Nëna Shqipëri, të parin lider që do të thotë “gabova”, do ta quajë Burrë shteti pa thonjëza. Por të vijmë tani te thënia e dytë, që i takon z. Fatos Nano, “burrit të shtetit”, të dytit në thonjëza. Edhe ai, si z. Sali Berisha, – “burri i shtetit” i parë në thonjëza, – për të goditur PS-në dhe Majkon, sulmon NATO-n dhe Amerikën, njëlloj si “burri” i parë: “Rruga për në Evropë (NATO) kalon nëpër Athinë dhe nëpër Romë”. Kot vallë u hodh kjo sentencë e imituar qindra herë që nga lashtësia? Dihet që Athina dhe Roma, ku drejtpërdrejtë dhe ku tërthorazi e kundërshtuan NATOn dhe Amerikën për ndërhyrjen në Kosovë. Z. Fatos Nano, i përkthyer në shqip, do të thotë: “Ti, Majko, kur u pajtove me Amerikën, pe nuk more dorë në Greqi dhe në Itali”? Dhe ai kujtoi se vërtet kryeqyteti i rindërtimit të Ballkanit do të jetë ose në Greqi, ose në Itali. Por ja që kryeqyteti i rindërtimit të Ballkanit na doli Prishtina e Kosovës. Kështu që rruga për në Evropë nuk ka kaluaka përmes Prishtinës! Çudi ju duket? E, po ka çudira kjo zuska botë! Amerikanët, sikur ta dinin që z. Fatos Nano digjej nga dëshira për ta parë kryeqytetin e rindërtimit të Ballkanit në Athinë apo në Romë. Edhe këtë dëshirë ia hoqën: e bënë kryeqendër Prishtinën! Amerika të gjitha i mban mend dhe asgjë nuk harron. Nuk e harron thirrjen e zotit Sali Berisha: “Kush firmos në Rambuje, është tradhtar”. Nuk e harron as sentencën e zotit Fatos Nano: “Rruga për në Evropë (NATO) kalon përmes Athinës dhe Romës”. Këto dy thënie nuk i dalin nga mendja Amerikës, edhe po të vraposh të propozosh i pari në Kuvend për ta nderuar Klintonin qytetar të Shqipërisë. Klintoni do të thotë: “Ky shqiptar që më propozon për qytetar nderi në Kuvendin e Tiranës, pse nuk më propozoi në parlamentin e Rambujesë?”
Çudi e madhe, sa të paturpshëm jemi!
Mjafton të mundim kundërshtarin me këtë paturpësi, pa të tjerat le të venë ku të venë!…
11 Nëntor 1999/ Agolli: Politika nuk duhet të mbrojë krimin
“Politika nuk duhet të mbrojë krimin”. Këtë mesazh ka lëshuar dje edhe shkrimtari i njohur socialist, Dritëro Agolli. Ai ka mbështetur deklaratat e Kryeministrit Meta për luftë të hapur ndaj krimit dhe kontrabandës, luftë e cila duhet të nisë që nga politikanët e pozitës dhe opozitës. “Në qoftë se mbrohet krimi, cilado parti ta mbrojë, bën një gabim të madh, i djathtë apo i majtë”, është shprehur Agolli.
– Si e konsideroni pranimin e PS-së në Internacionalen Socialiste me statusin e anëtares konsultative?
Pranimi i PS-së në Internacionale është një arritje e madhe e saj. Kjo vërteton që kjo është një parti e afirmuar dhe e radhitur në të majtën progresiste evropiane. Duke hyrë në Internacionale, PS-ja do të rritë akoma më shumë autoritetin e saj jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Në përgjithësi, në Internacionale pranohen duke nisur nga statusi i anëtarit vëzhgues deri në fund, kur pranohen si anëtarë me të drejta të plota. PS-ja jonë e kaloi gradën e parë dhe tani është anëtare konsultative. Nëse merret ky status, atëherë ajo do të hyjë pas stazhit, që ata e kanë dy apo tre vjet, anëtare me të drejta të plota. Në qoftë se do të kishin dyshime, ajo nuk futej fare. Ky është një sukses i PS-së, sado që përpiqen forcat e tjera që ta nxijnë këtë realitet kjo nuk ju shkon.
– Kryetari i PS-së, Nano ka piketuar zhvillimin e një tryeze të të majtëve të Ballkanit në Tiranë. Ç’do të thotë kjo për PS-në?
Tryezat e rrumbullakëta janë gjithmonë të dobishme. Unë mendoj që është e dobishme një tryezë e të majtëve të Ballkanit, por nëse kjo bëhet edhe nga partitë e tjera do të ishte mirë. Në këtë fundshekulli kjo është një mënyrë pune, dialogu. Nuk mund të rrimë gjithmonë me bajonetë.
– Si ju duk deklarata e Kryeministrit Meta gjatë vizitës së tij në Ministrinë e Rendit, ku ai përmendte peshq të vegël apo të mëdhenj në politikë, të lidhur me krimin?
Mua më duket se Kryeministri ka të drejtë. Në Shqipëri, tani unë nuk mund të flas me fakte, sepse nuk kam, por meqë krimi është kaq shumë i përhapur, doemos ka lidhje me një pjesë të politikanëve, sepse një pjesë e mbrojnë krimin. Fjala vjen, disa dalin hapur dhe thonë që, në një vend ku bëhen shumë krime, janë simpatizantët e tyre.
– A ka lidhje kjo me krimin?
Sigurisht p.sh., në Lazarat dënohen kriminelët, nuk është i gjithë populli, por një bandë, e cila duhet dënuar, kurse politikanët thonë se ajo është lulja e demokracisë. Ose në Shkodër, Tropojë e në vende të tjera.
– Kjo vlen për politikanë të opozitës apo edhe nga pozita?
Për të gjitha partitë, qofshin ato edhe të majta. Në qoftë se mbrohet krimi, cilado parti ta mbrojë bën një gabim të madh, i djathtë apo i majtë.
– Nga shumë deputetë edhe socialistë emërimi i ministrave të kabinetit “Meta” është cilësuar si kompromis. Cili është opinioni juaj?
Jo unë nuk e kam parë si kompromis. Kjo është reale, sepse ata që kanë vënë janë më të zotët. Më thoni ndonjë ministër tjetër më të mirë që mund të vihej? Nuk ka të tjerë më të zotë se ata. Janë dy apo tre, por… Ky koalicion këta i ka kuadrot më të zgjedhur.
– Ndërkohë, ish-Kryeministrit Majko i është propozuar posti i Ministrit të Mbrojtjes. Si e vlerësoni refuzimin nga ana e tij?
Ajo është puna e tij. Por unë mendoj se ai ka qenë një kryeministër i suksesshëm, ka drejtuar shumë mirë dhe do të hyjë në historinë e drejtuesve të vendit, si një nga figurat kryesore në një nga periudhat më të vështira, siç ishte ajo e luftës në Kosovë. Historia e ka shënuar dhe kushdo të thotë ashtu apo kështu, flet kot.
Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës në këto momente?
Opozita jonë gjithmonë i kundërshton forcat politike që janë në pushtet dhe gjithmonë kështu ka qenë. E ka si zakon. Problemi është që këto kundërshtime të saj të jenë logjike dhe bindëse. Sepse të thuash, fjala vjen, që nuk e njoh qeverinë, do të thotë të kesh një qeveri tjetër, ose të mos jesh nga ky vend. Dikur, në socializëm, ne nuk njihnim Afrikën e Jugut, Izraelin, këto janë shtete që nuk i njihnim. Në fillim, kur ishte problemi që të njihnim Maqedoninë, ndenjëm një farë kohe dhe pastaj e njohëm. Kurse brenda një vendi, nuk mund të shtrohet problemi që e njeh apo jo qeverinë. Nëse nuk njeh qeverinë, ti nuk njeh policinë, nuk njeh pasaportat, nuk merr dot vizë. Pra duhet të jesh në një shtet tjetër që të mos njohësh një qeveri. Mund të thuash jam kundërshtar, por jo nuk njeh. Nga ana tjetër, kërkon zgjedhje. Po kush do t’i organizojë zgjedhjet? Qeveria do t’i organizojë. Opozita duhet të kundërshtojë në mënyrë logjike ato forcat politike që janë në fuqi. Mund të thotë të luftojmë krimin, korrupsionin, mund të thotë që ky ministër nuk më pëlqen, por jo nuk njoh qeverinë. Atëherë në çfarë shteti jeton?
– Drejtues të PD-së janë shprehur për përjashtim të atyre deputetëve të PD-së që morën pjesë në seancën e votëbesimit të Qeverisë. Si ju duket ky veprim?
Kjo nuk është frymë demokratike. Ata që pretendojnë që janë në krye të demokracisë, me këtë fakt tregojnë që nuk njohin ABC-në e demokracisë akoma. PS-ja nuk ka vepruar ndonjëherë kështu. Kjo parti socialiste, që ata thonë se është leniniste apo komuniste, të tilla marrëzira nuk ka bërë.
14 Gusht 1999/ Tri ngjarje dhe një vapë
Mes kësaj vape të madhe, që mpin çdo gjë dhe që ta kthen trupin dhe trurin në eshkë, është shumë vështirë të ndjekësh ndonjë ngjarje politike apo shoqërore dhe pastaj ta kujtosh atë, pa le ta përshkruash! Megjithatë, trurin tim vapa nuk ia paska tharë krejt lëngjet, kur qenka i aftë të regjistrojë në rrudhat e tij këto tri ngjarje, që po i shkruaj në këtë shkrim sipas radhës që kanë ndodhur.
Ngjarja e parë
Partitë e vogla, që janë të panumërta, përmes një grupi të mbledhur në një auditor, duke duruar vapën me stoicizëm, kanë kërkuar nga shteti më shumë para për ekzistencën e tyre. Bashkë me këtë kërkesë ato kanë protestuar: “Përse partitë e mëdha të marrin kaq shumë para nga shteti dhe të voglat kaq pak?” Këtu xhelozia është ndaj Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike… Në këto kërkesa dhe protesta përzihet zgjatja e dorës për lëmoshë dhe rrahja e gjoksit për mburrje: “Ne jemi parti të rëndësishme, por nuk kemi lekë!”. Dhe, sa të rëndësishme janë, e tregon përqindja e votave që kanë marrë në zgjedhjet. Në tre përqindëshin, domethënë me zor gjejnë vend në Kuvend tre deputetë. Por mbi nëntëdhjetë përqind të këtyre partive nuk kanë asnjë deputet në Kuvend, megjithatë kërkojnë para nga shteti. Kështu që shteti ynë është shumë dorëlirë ndaj tyre. I paguan edhe pa pasur asnjë deputet. E arsyeshme është që të paguhen vetëm ato parti që kanë deputetë në Kuvend. Pagesa duhet të jetë në bazë të numrit të deputetëve. Ke një deputet, aq duhet të marrësh. Ti parti, je e zonja të fitosh njëzet deputetë? Mirë! Merr edhe kaq milionë lekë! Ke zero deputetë, merr zero lekë! Ndryshe, shteti paratë në vend t’i shpenzojë për Korridorin e Tetë do t’i shpenzojë për Korridorin e tetëdhjetë partive…
Ngjarja e dytë
Vapa ka penguar shumë gjëra. Ka penguar ecjen e njerëzve në rrugë, mjaullitjen e maceve nën qyngje dhe promovimet e librave të poetëve. Por vetëm krimet dhe konferencat e shtypit kjo vapë nuk ka arritur t’i pengojë! Këto konferenca shtypi mes vapës, që i kam parë në televizor, më janë dukur të ngathëta si vapa. Vetëm njëra më ka çuditur as shumë, sa u shkunda si delet para një hije rrapi. Kjo ishte konferenca e shtypit që dha Partia Demokratike pas ngjarjeve në Tropojë, ku u vranë katër vetë dhe u plagosën njëzet, sipas gazetave. Në këtë konferencë shtypi oratori i Partisë Demokratike tha se gjatë një kohe të shkurtër janë vrarë 24 aktivistë të PD-së. Domethënë mos i trazoni kriminelët, se janë aktivistët tanë! Dhe kjo thuhet pas ngjarjeve të Tropojës. Por kështu u tha edhe pas ngjarjeve në Lazarat një vit e gjysmë më parë, kur një bandë e këtij fshati bllokoi rrugën dhe nëse vritet ndonjë njeri do ta marrim e do ta shpiem para kryeministrisë, si një aktivist të PD-së. Unë e kam zili guximin e sinqertë të PD-së, që kriminelët t’i quajnë aktivistë të saj. Ndoshta prandaj PD-ja ngul këmbë të bëhet një pakt për stabilitet, që me anën e tij të komandojë kriminelët…
Ngjarja e tretë
Doemos ngjarja më e madhe mes kësaj vape mbytëse është eklipsi i diellit. Ndërsa dy ngjarjet që përmenda më lart ishin të thjeshta dhe, do të thosha, pakëz trashamane, kjo e eklipsit ishte veshur me një cipë misterioze për të krijua një ankth dhe një atmosferë çudindodhëse. Ditën e eklipsit gazetat tona bërtisnin me titujt: “Sot fundi i botës”, “Eklipsi apo fundi i botës”, madje me shkronja të mëdha: “Ç’do të ndodhë në Shqipëri me eklipsin e diellit?” Flitet sikur Shqipëria të ndodhej jashtë rruzullit tokësor! Eklipsi vetëm në Shqipëri mund të bënte hatanë! Unë i shfletoja këto gazeta dhe më vinte keq për mendjet kaq të varfra të atyre që shkruanin. Dilnin këto mendje nga provinca të humbura me gënjeshtra banale për fundin e botës.
Një miku im më pyeti:
– Sa peshojnë këto mendje që shkruajnë për eklipsin?
Për mua u përgjigj një shoku im:
– Sa trutë e pesë rabeckave, që Dritëroit nuk i mjaftojnë
as për mezen e një gote me raki…
Diskutime rreth kësaj post