Kryetari i Kuvendit Ilir Meta deklaroi të shtunën se Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të votojë Byronë e Hetimit.
Në një intervistë për “News 24” Meta u shpreh se për LSI-në është e rëndësishme të ketë një dakordësi se varianti garanton funksionimin efikas të kësaj strukture. LSI, tha Meta, respekton çdo zgjidhje konsensuale që respekton parimet kushtetuese dhe njëkohësisht garanton që kjo angjenci e konsolidon shtyllën e hetimit dhe rrit efektivitetin në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Duke folur për reformën në drejtësi, Meta tha se fryma e rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e rëndësishme. Sipas tij, ajo jep një garanci për të ruajtur themelet e Kushtetutës. “Për ne gjykatësi suprem i standardit të kësaj reforme është Komisioni i Venecias”, deklaroi Meta.
Kryeparlamentari Meta, i pyetur mbi vlerësimin që kompania e raitingut, Standard and Poor’s i ka bërë Shqipërisë, tha se vlerësimi është objektiv dhe se tregon se programi i vështirë i qeverisë me FMN-në ka përparuar dhe po jep efektet e tij pozitive. “Lajm pozitiv sepse rrit besueshmërinë e ekonomisë shqiptare në tregjet financiare e para investitorëve të huaj. Edhe marrëveshja me FMN-në do të njohë progres të mëtejshëm drejt realizimit të gjithë objektivave të përbashkët”, u shpreh kreu i Kuvendit.
Diskutime rreth kësaj post