Bashkia e Tiranës zhvilloi të enjten një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizata mjedisore për t’i informuar ata lidhur me projektin e parkingut nëntokësor në Parkun Rinia.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, fillimisht bëri një prezantim të projektit, duke theksuar se “nevojën e një parkingu nëntokësor e kanë konfirmuar disa studime nga ekspertë vendas dhe të huaj”. Ai shtoi se Parku Rinia nuk preket nga ndërtimi i këtij parkingu, i cili zë vetëm një pjesë të vogël të tij, dhe se parku do të rikthehet në gjendjen aktuale.
Duke prezantuar historikun e situatës, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se diskutimi për një parkim nëntokësor ka nisur shumë më herët. “Që në vitin 2001, kompania Tecnic ka bërë një konsulencë të financuar nga BE-ja, në të cilin sugjeron që në zonën e qendrës të ketë disa parkime nëntokësore. Në vitin 2004, edhe plani francez parashikon një set pikash të caktuara, ku duhet të ndërtohen parkime nëntokësore”, u shpreh Mazniku.
“Disa ekspertë japonezë janë përfshirë në këtë studim, i cili është një studim integral për zhvillimin e qytetit, një ndër dokumentet më të mirëprodhuar për zhvillimin e qytetit dhe për fat të keq, i papërdorur nga administrata e mëparshme, por edhe nga debati publik.
Plani tematik-urban i Tiranës i JAICA (dhjetor 2012) gjithashtu parashikon disa parkime nëntokësore në zonën e qendrës së Tiranës, përfshirë edhe parkimin në Parkun Rinia”, tha Mazniku. Sipas tij, edhe Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës i vitit 2013, miratuar nga Këshilli Bashkiak dhe administrata e mëparshme, konfirmon të njëjtën gjë.
“Plani urbanistik i vitit 2013 ka edhe një vlerësim të ndikimit në mjedis të bërë nga ekspertë lokalë, të cilët po ashtu nuk ngrenë asnjë shqetësim për këtë çështje. Në thelb, edhe ai parashikon që ka nevojë për parkime nëntokësore dhe që duhet të shtohen”, theksoi Mazniku. Sipas tij, nuk kemi të bëjmë me diçka të pamenduar apo të pastudiuar, por me një historik prej 12-13 vitesh, studimesh dhe ekspertësh, që flasin për këtë çështje.
“Parku “Rinia, si park, nuk dëmtohet. Ai nuk preket në asnjë rast nga funksionaliteti i tij si park. Pjesa e vetme ku ndërhyhet është në anën e Ministrisë së Ekonomisë, një hapësirë shumë e vogël, ku do të jetë pika e hyrjes së parkingut, nga ku do të futen makinat”, sqaroi Mazniku, duke ritheksuar se e gjithë pjesa tjetër e parkut Rinia mbetet park.
Bashkia e Tiranës ka në plan shtimin e korsive të dedikuara e pa ndërprerje për autobusët dhe biçikletat përgjatë gjithë unazës së Tiranës, si dhe kthimin e qendrës (rreth unazës së vogël) në një shesh pedonal kushtuar këmbësorëve, duke synuar kështu uljen e qarkullimit të makinave.
Më tej, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tha se nga një studim krahasimor me qytete të tjera të Evropës, rezulton se një pjesë e madhe e tyre, në zonat e qendrës, kanë ndërtuar parkingje nëntokësore edhe nën parqe. “Shumë nga ne i kemi parë, në mes të Vienës, Milanos, Romës, etj,. Pra, në shumë nga këto qytete, nën parqe ka parkime të cilat lënë funksionimin e plotë të parkut sipër dhe nën park kanë ndërtuar parkim nëntokësor. Një shembull i kësaj është Bloomsbury Square në Londër apo një tjetër parking ngjitur me kullën Eiffel në Paris, etj”, vijoi Mazniku.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se argumentimi për projektin e parkingut nëntokësor qëndron mbi tre kolona. “Nuk kemi të bëjmë me diçka të pastudiuar, të pamenduar e të padiskutuar. Së dyti, kemi një proces koncensionar të nisur që në vitin 2005, të përmbyllur në 2009, i cili po vijon si një kontratë. Së treti, parkun nuk e dëmtojmë, por e ruajmë si të tillë dhe ai do të jetë i gjelbëruar e në funksion të qytetarëve”, përfundoi Mazniku.
Pas prezantimit të planit për projektin, përfaqësues të shoqatave mjedisore dhe të shoqërisë civile zhvilluan një seancë pyetje-përgjigje me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Diskutime rreth kësaj post