Nga Besart Kadia
Themeli i zhvillimit të ekonomisë së tregut, mund të përmblidhej në: “çfarë është e kujt?”. Qartësia e kësaj fjalie të jep dhe të drejtat e garantuara në nenin 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që thotë “Çdo person fizik ose juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pasurisë së tij”, çka për 80 vjet në Shqipëri, jo të gjithë Shqiptarët e kanë njohur njësoj. Paqartësia ligjore, mbivendosja e pronarëve dhe moskompensimi apo rikthimi në kohë të pronës te ish-pronarët, ka frenuar në këtë këndvështrim të gjitha aspektet e tjera të ekonomisë së vendit.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, deri në vitin 2006 në Shqipëri ishin ndërtuar 400,000 prona ilegalisht dhe me një vlerë prej 6-8 miliard eurosh. Një shifër e konsiderueshme që mundësoi rritjen ekonomike të lartë në atë periudhë kohe. Ndërkohë pas vitit 2006, në Shqipëri përllogariten se janë ndërtuar mbi 80 mijë ndërtesa të reja ilegale të cilat duhej të hynin në proces legalizimi. Kjo eksperiencë ka të ngjarë të mos rikthehet më në Shqipëri për vetë natyrën e rrjedhës së re ekonomike që kemi marrë dhe të kërkesave për integrim në BE. Gjithashtu duhet theksuar se çështja e ndërtimeve ilegale apo problemet me kthimin e pronave të sekuestruara nga regjimi komunist janë të evidentuara në të gjitha vendet e Europës Lindore. Raporte te UN Habitat thonë se pothuajse 50% e popullatës në vendet në zhvillim jetojnë në ndërtime ilegale në zonat urbane, duke sjellë më pas dhe shqetësimet ekonomike të urbanizmit, shkollimit dhe transportit.
Duke futur në burg të gjithë ndërtuesit në dy vitet e fundit, shoqëria është duke reflektuar, por në vuajtje. Të kesh pronën por të mos mundesh ta zhvillosh atë, është në fakt duke e privuar qytetarin pikërisht nga e drejta për ta gëzuar atë. Në Doing Business, Shqipëria renditet e fundit në botë, përsa i përket mundësisë për të marrë një leje ndërtimi, një indikator që ka ulur aktivitetin ekonomik duke sjellë rritje të papunësisë dhe rënie të të ardhurave të buxhetit të shtetit. Besoj se është e qartë më pas efekti zinxhir që kanë sektorë të tjerë të ekonomisë në vend nga kjo qasje.
Ndërkohë sipas një studimi të bërë nga Kombet e Bashkuara, Komisioni Europian për Ekonomi, thuhet se ishin pikërisht lehtësimet dhe mungesa e respektimit të rregullave të agjencive mbikëqyrëse që inkurajoi shqiptarët që punonin emigrantë, në vende të tilla, si: Italia apo Greqia që të ndërtonin pasuri të patundshme në Shqipëri, duke inkurajuar kështu në rritje ekonomike dhe ulje të varfërisë në këtë kohë (1998-2013). Kështu sektori i ndërtimit u bë motori kryesor i rritjes, duke përbërë 1/5 e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në këtë kuptim, procesi i legalizimit të pronës, vijon vetëm për ndërtimet e kryera vitet e shkuara, duke vazhduar të njëjtën inerci të zhvillimit në ndërtim që Shqipëria mori në 20 vitet e fundit. Mbi 400 mijë ndërtime pa leje janë në proces legalizimi dhe shumë shpejt në vitet e ardhshme, shumica dërrmuese do të jetë në gëzim të plotë të pronës së tyre.
Duke vazhduar në analizën financiare, Gjykata e Strasburgut ka ekzekutuar 19 vendime nga viti 2006, me një vlerë 18.3 milionë euro sipas Avokaturës së Shtetit. Kjo e fundit raportohet të ketë vlerësuar se fatura për mbi 100 çështje në pritje, mund të përllogaritet në 500 milionë euro në vitet e ardhshme dhe kuptohet që financiarisht nëse të gjithë ish-pronarët ndjekin të njëjtën rrugë, ajo do të çonte shtetin drejt stresit të fortë financiar. Ndaj Shqipëria gjithnjë e ka patur nevojë parësore për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pronave. Kjo nuk është e lehtë për shoqërinë (shoqata ”Pronësi me Drejtësi” vlerëson se numri i personave të vrarë në këto 22 vjet, ka arritur në 8 mijë vetë që kanë një lidhje ose tjetër me çështjen e pronës) por as edhe për financat e shtetit.
Por propozimi që mbi 26 mijë dosje të kompensohen për pronën e tyre gjatë dhjetë viteve të ardhshme, do të ishte e duhur vetëm nëse do të kishte mbështetje të të gjithë shoqatave të ish-pronarëve, si dhe opozitës. Në kushtet kur ky ligj është kthyer nga Presidenti i Republikës, kur Avokati i Popullit shpreh rezerva, kur opozita premton shfuqizim të saj nëse vjen në pushtet dhe ish-pronarët janë kategorikisht kundra, shteti është duke zgjidhur vetëm një çështje: si të përballojë faturën e madhe financiare që po shtonte Strasburgu me dhënien e të drejtësisë ish-pronarëve; dhe drejtësia ka kosto, në këtë rast politike dhe financiare.
Mapo
Diskutime rreth kësaj post