Autoritet shqiptare duket se kanë arritur një marrëveshje me koncesionarët e Aeroportit të Rinasit në lidhje me eksluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare. Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj tha se, është firmosur heqja eskluzivitetit për një rreze deri në 100 kilometra. Duke sqaruar ecurinë e koncesionit në Aeroportin Nënë Tereza në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Ministri tha se, tashmë priten oferta për zhvillimin e aeroporteve të tjera për fluturimet ndërkombëtare.
Por qeveria shqiptare nga ana e saj nuk e ka zyrtarizuar arritjen e marrëveshjes së re dhe termat e reja të saj. Ministri Ahmetaj ka lëshuar deklarata të ngjashme edhe në takime të tjera, por dokumenti i ri koncesionit mbetet ende i pazbardhur.
Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto që në fillim të vitit 2014 pat njoftuar se, është në bisedime me koncesionarët e Rinasit për të lejuar të paktën angazhimin e një aeroporti të ri për qëllime turistike në Jug. i treguar fillimisht optimist për negociatat, Haxhinasto premtoi zhbllokimin në fund të vitit 2014, por duket se, administratorët e Rinasit jane treguar askeptike.
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.
“Nënë Tereza” është rasti tipik i një koncesioni me ndikim të gjithanshëm, si në pozitat monopol dhe tarifat e larta. Që prej datës 23 prill 2005, Tirana international Airport “Nënë Tereza” menaxhohet dhe operohet nga shoqëria private e quajtur Tirana international Airport SHPK (TIA) më parë në administrim nga shteti. TIA do të drejtojë të gjitha aktivitetet e Aeroportit deri më 2025. Pavarësisht zgjerimit edhe me dy porta dhe një terminal të ri, tarifat e larta aeroportuale bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta të biletave në rajon. Gjithashtu, për shkak të transferimit të monopolit të shërbimeve nuk po aktivizohen Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit dhe të tjera në jug të vendit. Sakaq, qeveria shqiptare nuk ka rishikuar tarifat për më shumë se 7 vjet, ndërkohë që kontrata detyron rishikimin e tyre çdo 3 vjet.
Diskutime rreth kësaj post