Duke marrë parasysh prezencën enorme në media dhe peshën e madhe që ka në politikën botërore – ndërsa, duke e ditur faktin se bëhet fjalë për një shtet të vogël, qoftë me sipërfaqe, qoftë dhe me numrin e popullsisë – shumëkush mendon se, Izraeli është një shtet i mbiçmuar. Megjithatë, Izraeli është diçka më shumë se një rrip i vogël shkretëtire në hartën e botës.
Pa marrë parasysh nëse i takoni grupit të njerëzve që mendojnë se shteti i Izraelit është gjëja më e keqe që i ka ndodhur njerëzimit në kohët moderne, apo grupit të njerëzve që çmojnë atë si shtetin e krijuar me vetë dëshirën e Zotit – është fakt i pakontestueshëm që Izraeli është një shtet që luan rol të jashtëzakonshëm në skenën botërore.
I rrethuar me shtetet armike nga të katër anët, Izraeli po arrin të mbijetojë dhe të tregojë fuqinë e tij, madje, edhe atëherë kur i mungon mbështetja e duhur e aleatëve perëndimorë. Andaj, Ngjyra.com në vijim ju sjell 20 fakte interesante dhe më pak të njohura që lidhen më këtë shtet sa kontravers aq dhe unik në botë.
1. Përkundër peshës së madhe në politikën botërore, Izraeli është një shtet i vogël, të cilin mund ta përshkoni, prej lindjes në perëndim, brenda vetëm dy orëve – apo nga veriu në jug, brenda 9 ditëve.
2. Izraelitët janë i vetmi komb në botë ku edhe femrat obligohen me shërbim ushtarak.
3. Robert F Kennedy ishte vrarë për shkak të mbështetjes së tij ndaj Izraelit. Ky mendohet të jetë akti i parë i dhunës politike në SHBA që ka të bëjë me konfliktin arabo-izraelit.
4. Në vitin 1963, në Izrael është zbuluar një kavanoz me fara të vjetra 2,000 vjet. Këto fara u mbollën në vitin 2005, ndërsa mbiu një lloj i palmës antike.
5. Disa qindra fëmijë, mbesa dhe nipa, të ish-nazistëve, janë konvertuar në judaizëm dhe kanë vendosur të jetojnë në Izrael.
6. Filmi “Borat” është pëlqyer shumë në Izrael, sepse, disa nga fjalët e tij “kazake”, në fakt, ishin fjalë hebraike.
7. Në pasaportat e Pakistanit qëndron një mbishkrim ku theksohet: “Kjo pasaportë vlen për të gjitha shtetet, përveç Izraelit”.
8. Të gjithë hebrejt e botës, të moshës 18-26 vjeçare, mund të bëjnë vizitë 10 ditore falas në Izrael.
9. Krahas hebraishtes, edhe gjuha arabe është gjuhë zyrtare në Izrael.
10. Në vitin 1997, një grua hebreje me emrin, Tatiana Suskin (imigrante nga Rusia), ishte dënuar nga një gjykatë në Izrael sepse e kishte përshkruar profetin Muhamed si derrguc. Ajo ishte akuzuar për rrezikim të jetës dhe provokim religjioz.
11. Në Jerusalem, çdo vit mbërrijnë mijëra letra – që njerëzit ia dërgojnë Zotit nga të katër anët e botës.
12. Kartmonedhat në Izrael (sikur dhe në Kanada, Rusi, Indi, Meksikë dhe Zvicër) përmbajnë shenjat e brajlit për njerëzit e vërbër.
13. David Ben-Gurion, themeluesi dhe kryeministri i parë I Izraelit, ka qenë ateist.
14. Përgjatë historisë, Jerusalemi, një prej qyteteve më të vjetra në botë që ende ekziston, ishte shkatërruar 2 herë, ishte rrethuar 23 herë, ishte sulmuar 52 herë, dhe ishte pushtuar e ripushtuar 44 herë.
15. Presidenti egjiptian, Anwar Sadat, ishte i pari udhëheqës që kishte arritur paqe me Izraelin (në vitin 1979). Si rezultat i kësaj, Sadat ishte nderuar me çmimin Nobel për Paqe – mirëpo, kjo pati dhe pasoja, sepse Egjipti u përjashtua nga Liga Arabe, ndërsa Sadat u vra.
16. I punuar nga rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë, në Jerusalem ekziston një memorial kushtuar viktimave të sulmeve terroriste në SHBA – 9/11.
17. Shkencëtarit të famshëm, Albert Einstein, njëherë ia kishin ofruar postin e presidentit të Izrealit, por ai e kishte refuzuar atë në mënyrë të kulturuar.
18. Izreaeli ka 137 plazhe, por vetëm 273 km vijë bregdetare.
19. Izraeli, bashkë me Britaninë e Madhe dhe Zelandën e Re, janë demokracitë e vetme në botë që nuk e kanë Kushtetutë të shkruar.
20. Ekziston një sekt hebraik i njohur si “Neturei Karta”, që mbështet Palestinën dhe që kërkon shpërbërjen paqësore të shtetit të Izraelit.
Diskutime rreth kësaj post