Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim drejtorin ekzekutiv të Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me Seli në Gjenevë, Khalid Koser. Lajmi bëhet i ditur ne një njoftim për mediat nga zyra për komunikim publik nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Në njoftimin pë media thuhet se “Kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit në adresimin e sfidave që lidhen me luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, si dhe theksoi hapat konkret të Qeverisë së Kosovës, duke veçuar hartimin dhe miratimin e Strategjisë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Planin e Veprimit të saj”.
Drejtori ekzekutiv i Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me Seli në Gjenevë, Khalid Koser, duke falënderuar për pritjen, vlerësoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe lidershipit kosovar në këtë drejtim. Koser, po ashtu, theksoi se Kosova është shembull për mënyrën proaktive dhe masat e ndërmarra në adresimin e kësaj sfide globale.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në fondin për përkrahjen e institucioneve të vendit në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm, i cili do të krijojë mundësi dhe do të ndihmojë në fuqizimin e rolit të qytetarëve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Diskutime rreth kësaj post