Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj bëri të ditur të shtunën se “që prej 1 janarit 2014 janë regjistruar 125 barna të reja origjinatorë në vend”.
Sipas tij, “55 milionë euro janë kursyer për 17% më tepër barna të importuara në 2015”. “Në 2015, barnat origjinatorë arritën 56% e importit përkundrejt 35% në 2013”, tha Beqaj.
Këto deklarata ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i bëri në Konferencën vjetore me temë: “Sfida dhe Alternativa të Reja në Parandalimin dhe Mjekimin e Tromboembolive me Antikoagulantë”, të organizuar nga Shoqata Shqiptare e Neurologjisë, Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë, Shoqata Shqiptare e Hipertensionit dhe Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Beqaj tha se “tashmë ne po zbatojmë dy projekte, informacion të bollshëm në kontrollin bazë shëndetësor falas, dhe jemi në hapat e para sa i përket recetës elektronike”. “Kështu, kemi një ide shumë më të qartë sa është shkalla e sëmundshmërisë, p.sh., të tensionit, diabetit në grupmoshën 40-65 vjeç, dhe e ndarë në 5 vjeçarë midis këtyre 25 viteve, cili është aspekti gjinor, por edhe shpërndarja territoriale”, tha ai.
Ministri i Shëndetësisë tha se ky aktivitet “është një dëshmi e faktit që kompanitë me emër janë prezente në Shqipëri, një lloj vetëpërgjigje e atyre që kanë akuzuar se politikat e MSH-së i kanë bërë kompanitë farmaceutike që të largohen nga Shqipëria”. “Ky aktivitet tregon se kjo gjë nuk është e vërtetë, por edhe fakti që nga 1 janari 2014, deri në 31 dhjetor 2015, janë regjistruar rreth 125 barna origjinatorë në Shqipëri, tregojnë që kompanitë farmaceutike të mëdha prodhuese janë prezente në territorin e Shqipërisë me barnat e tyre”, shtoi ai.
Gjithashtu, Beqaj shprehu besimin se politikat e ndjekura nga Qeveria në fushën e barnave, kanë dhënë tashmë rezultate të kënaqshme. “Kanë shtuar prezencën e barnave në treg, kanë shtuar volumin e tyre, kanë ulur jo pak çmimin e tyre duke rritur aksesin në këto mjekime”, tha Beqaj.
Diskutime rreth kësaj post