Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër-ndalimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke ndaluar shtetasin Spiro Ksera, ish-Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Në kuadër të këtij procedimi penal, policia ka ekzekutuar urdhër-ndalimet e Prokurorisë edhe për disa ish-zyrtarë të Ministrisë që z.Ksera ka drejtuar. Këta ish-zyrtarë janë vënë nën akuzë gjithashtu për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.
Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit njofton se në Prokurori është depozituar një kallëzim nga ana e Ministrisë së Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, ku bëhet fjalë për një investim prej 30 milionë lekësh që duhet të përdoreshin në favor të personave me aftësi të kufizuara, por që nuk janë përdorur për këtë qëllim.
Shtetasit e përfshirë në këtë procedim për shpërdorim detyre janë Spiro Ksera, 48 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish-ministër i PÇSHB, Artevis Mene, 27 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish punonjës në Ministrinë e PÇSHB dhe Elda Kozaj, 31 vjeç, lindur ne Fier dhe banuese në Tiranë, ish punonjëse në Ministrinë e PÇSHB.
Po ashtu e dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve është edhe shtetasja Pranvera Lile, 58 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banuese në Tiranë, ekonomiste në Shoqërinë “Shpresa” sh.p.k.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet A.K, A.J, D.F, për të cilët Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka urdhëruar ndalimin si të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 248 i K.Penal për shpërdorim detyre.
Diskutime rreth kësaj post