Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig ishte i pranishëm të enjten në ceremoninë e organizuar me rastin e 5- vjetorit të emisionit “Tonight Ilva Tare”, i cili transmetohet në RTV Ora News.
Personalitete të shumta morën pjesë në ceremoninë për 5-vjetorin e emisionit “Tonight Ilva Tare”, një emision politik që e ka hapur siparin e tij në 28 janar të vitit 2011.
Të pranishëm në këtë festë ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministra, deputetë të majtë dhe të djathtë, kryebashkiakë, përfaqësues të besimeve fetare, ambasadorë apo edhe përfaqësues të tjerë të mediave.
Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig i pranishëm në ceremoni vlerësoi rolin e medias në demokraci. “Ftesa që mua mu bë për të thënë dy fjalë me rastin e 5-vjetorit të emisionit “Tonight Ilva Tare” mund të jetë një nga ato efektet anësore të një fenomeni që mesa duket është unik në Ballkan. Marrëdhënia e afërt mes medias dhe diplomatëve. Nga buron kjo marrëdhënie? Unë mendoj se ka të bëjë para së gjithash me mënyrën sesi ballkanasit, vecanërisht shqiptarët i presin të huajt”, tha ai më tej.
Vetë drejtuesja e këtij emisioni, Ilva Tare vuri në dukje se “prania e personaliteteve të larta në këtë ceremoni, është kontribut, por edhe besim për mua, por edhe për kolegët e tjerë që ashtu si unë e shohin gazetarinë si një karrierë, madje të pakomprementuar nga ana profesionale”. “Kemi qenë dëshmitarë të humoreve të ndryshuara, por edhe marrëdhëniesh të acaruar, dhe sigurisht të gjitha këto ma kanë vështirësuar punën, por jo misionin që kam me publikun”, u shpreh ajo.
“Tonight” i moderuar nga gazetarja Ilva Tare numëron 700 emisione dhe mbi 2500 të ftuar që kanë diskutuar çështje të rëndësishme në vend, por jo vetëm.
Diskutime rreth kësaj post