Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i ftuar nga partitë e qendrës së djathtë në Parlamentin Europian për të folur mbi dialogun ndërfetar në Shqipëri.
Në konferencën e mbajtur sot në Bruksel, organizuar nga grupi i Partive Popullore Europiane me temë “Dialogu ndërfetar si një mjet përforcues në zgjidhjen e konflikteve gjatë procesit të Integrimit Europian”, kryebashkiaku Veliaj përcolli mesazhin e bashkëjetesës fetare në Tiranë dhe në Shqipëri, të cilin e konsideroi si një pasuri shoqërore të shqiptarëve.
Pas fjalës së mbajtur në këtë takim, kryebashkiaku Veliaj, në një prononcim për mediat, tha se mesazhi i Shqipërisë dhe i Tiranës sot është shumë i fuqishëm. “Brenda një kilometri katror kemi kishat e xhamitë tona. Ne festojmë Krishtlindjet, Pashkët, Bajramin dhe muajin e Ramazanit dhe unë besoj se ky është një mesazh për të cilin Evropa është shumë e etur”, tha Veliaj.
Në një kohë kur Shqipëria është në proces anëtarësimi në Bashkimin Europian, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se bashkëjetesa fetare në vendin tonë është një vlerë që i shtohet këtij integrimi. “Jam shumë i ndërgjegjshëm që vendet gjykohen mbi kriteret e tyre politike, me mënyrën se si avancojnë reformat, por besoj se Shqipëria sjell edhe një “pajë” në përpjekjen e saj për anëtarësim të BE, e cila është përtej politikës dhe ka të bëjë me një pasuri shoqërore, që nëse shumica e vendeve të botës sot konfliktohen për shkak të fesë, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend ku konfliktohemi për çfarëdo gjë tjetër, përveçse për fenë dhe besimin”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehu vlerësimin që eurodeputetët e djathtë të Partive Popullore Europiane reklamojnë Shqipërinë dhe kryeqytetin e saj. “Ndihem shumë natyrshëm edhe mes kolegëve të djathtë dhe më vjen mirë që në thelb është një reklamë për Shqipërinë dhe Tiranën dhe besoj se kur të ngrihen duart për vendimet e Shqipërisë, ndër të gjithë kriteret e tjera, do të gjykohemi edhe për këtë lloj pasurie që i sjellim botës në këtë kohë shumë të trazuar prej terrorizmit dhe radikalizmit”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se nëse të majtët dhe të djathtët duan të punojnë për gjëra të mira e gjejnë gjuhën e përbashkët. “Besoj se ky është një mesazh i fuqishëm dhe më vjen mirë që, edhe pse jam kryetar bashkie socialist, gjendem mes eurodeputetëve të djathtë të PPE në BE, ndoshta edhe për të treguar që ku ka vullnet për të punuar për gjëra të mira, për avancimin e kauzave të drejta, gjendet gjuha mes të majtëve e të djathtëve”, përfundoi Veliaj.
Diskutime rreth kësaj post