Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko u kërkon të gjithë sipërmarrësve që të punësojnë persona të regjistruar në Zyrat e Punës.
Ai deklaron se këto biznese do të kenë përfitime me anë të subvencioneve.
Në një intervistë për “Top Channel”, Micko përmend programin për integrimin e tregut të punës të personave më aftësi të kufizuara, i cili i subvencionon punëdhënësit, për një periudhë 1 vjeçare sigurimet shoqërore e atij personi të punësuar.
“Nga ana tjetër po për këtë person të punësuar, i cili është me aftësi të kufizuara, punëdhënësit i subvencionohet e plotë për 6 muaj paga minimale (për personin në fjalë) në shkallë vendi dhe për 6 muajt e tjerë i subvencionohet në masën 50%. Gjithashtu, subvencione të tjera, që parashikohen lidhur me programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara, janë 100 mijë lekë të reja, të cilat i akordohen punëdhënësin që të përshtatë ambientin për këta persona”, deklaron ai.
Ndërkaq, kreu i Shërbimit Kombëtare të Punësimit përmënd edhe programe të tjera me afat 1-vjeçar, që synojnë integrimin në tregun e punës e të rinjve të sapo diplomuar si edhe të shtresave në nevojë, që përfshijnë të papunët afatgjatë, persona në moshë mbi 45 vjeç dhe qytetarë të komunitetit rom apo egjiptian.
Gjithashtu, Micko nënvizon se fondi i nxitjes së punësimit për vitin 2014 ishte 271 milionë lekë ose e thënë ndryshe 3 herë me i lartë se viti paraardhës.
“Për vitin 2015, ky fond arriti në vlerën 450 milionë lekë. Ndërkaq në vitin 2016, fondi i akorduar për nxitjen e punësimit është 490 milionë lekë. Këto të dhëna janë një tregues i qartë për mbështetjen e madhe, që qeveria i jep integrimit në tregun e punës për persona të moshave të reja, atyre që janë të papunë afatgjatë, si edhe për persona me aftësi të kufizuara”.
Ai sqaron se në të gjitha rastet kur subjektet kanë zbatuar detyrimet e përcaktuara nga ligji për të përfituar nga fondi për nxitjen e punësimit, pagesat janë kryer periodikisht dhe në mënyrë korrekte.
Ndonëse Shërbimi Kombëtar i Punësimit ushtron aktivitetin e vet nëpërmjet 36 drejtorive rajonale dhe drejtorive vendore, rajonet me më shumë oferta janë qytetet kryesore si Tirana, Durrësi, Fieri, Berati, Lezha etj.
“Janë rajone ku ka mjaft subjekte tregtare që zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe për këtë arsye edhe ofertat janë më të mëdha. Ndërkaq, në rang vendi, sipas shifrave të vitit 2015, më shumë se 50% e personave që përfituan nga programet e nxitjes së punësimit ishin të rinjtë deri në moshën 29 vjeç”, deklaron Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko.
Diskutime rreth kësaj post