Inspektori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Florian Bushi, tashmë i arrestuar, e ka njoftuar Ilir Memushajn për makinat që Denis Kasa kishte në përdorim gjatë lëvizjes në Fier.
ABC News ka arritur të shohë procesverbalet e transkriptuara, të cilat Bushi ia ka dërguar me programin e Viber-it në telefonin personal Ilir Memushajt, i arrestuar tashmë si bashkëpunëtor në vrasjen e Denis Kasës dhe plagosjes së dy shokëve të tij.
Sipas akuzës, Florian Bushi kryente detyrën e oficerit pranë Shërbimit Informativ Shtetërore, ku kishte nën vëzhgim parandalues grupet kriminale të zonës së Fierit, që dyshohen se merren me trafik droge.
Gjatë kësaj kohe, inspektori Bushi kishte në varësi një operator të përgjimeve, i cili e vinte në dijeni për biseda me interes të hetimit që i bënte grupit kriminal që dyshohet se drejtohej nga Denis Kasa dhe persona të tjerë.
Ky i fundit, sipas prokurorisë, dyshohet se ishte përplasur për zonat e influencës së trafikut të drogës në Holandë e vende të tjera perëndimore me grupin tjetër ku dyshohej se bënte pjesë Ilir Memushaj.
Oficeri Bushi, duke qenë marrëdhënie njohje me Memushajn, burimet thonë se ka fotografuar përgjimet ku flitet për makinat që grupi i Denis Kasës përdorte.
Në këto transkriptime Kasa diskuton me një shokun e tij në telefon, duke i treguar se lëvizte vetëm me dy makina, atë të llojit “Passat” dhe BMW X5”.
Për këto dhe biseda të tjera, burimet thonë se oficeri Bushi e ka njoftuar duke fotografuar përgjimet e duka ia nisur me foto Memushajn në telefonin e tij.
Pas vrasjes në pritë të Denis Kasës dhe plagosjes së shokëve të tij, mbrëmjen e 8 janarit policia ka shoqëruara Ilir Memushajn, pasi dyshohet se i ka ndihmuar atentatorët, duke ia zënë rrugën makinës me të cilën po udhëtonte Kasa për t’i lehtësuar vrasjen atentatorëve.
Pas arrestimit, Memushajt i janë sekuestruar edhe aparatët celularë, ku në njërin prej tyre policia ka gjetur si fotografi përgjimet me mbishkrimin ‘konfidenciale’, të kryera nga Shërbimi Informativ Shtetëror.
Me këqyrjen e telefonit është bërë verifikimi në zyrat qendrore të SHISH-it ku është provuar se këto përgjime janë transkriptuar dhe ndodhen në kompjuterin e oficerit Florian Bushi, i cili edhe u arrestua.
Sipas policisë, si pasojë e publikimit të këtyre përgjimeve për lëvizjet e tij, dyshohet se Memushaj në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar ka organizuar atentatin ndaj Denis Kasës dhe shokëve të tij, që ndodhi mbrëmjen e 8 janarit në rrugën Fier-Vlorë.
Diskutime rreth kësaj post