Nga Sokol Balla
Europa ka hallet e veta. E kupton këtë, ndërsa fluturon nga Strasburgu për Bruksel me avion. Tashmë në deskun e check-in punonjësja ribën pyetjen e viteve 90, nëse ke vizë Schengen për Bruksel, megjithëse ti je ndërkohë në zonën Schengen. Pastaj në radhën për kontrollin e sigurisë, duhet të jesh i kujdesshëm të mos ndjekësh atë ku gjendet ndonjë familje arabe, të cilës i zhveshin çdo rrobë dhe i hapin çdo bagazh dhe i heqin çdo këpucë, dhe si pasojë ti rrezikon të humbasësh avionin. Pastaj ama rrezikon sërish ta humbasësh avionin pasi të shfaqen radhët përpara Kontrollit të Pasaportave, të rikthyer edhe nga Franca, edhe nga Belgjika, pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit, ndaj Parisit. Por të organizuara në Bruksel.
Aty dy policë të hutuar dhe të pamësuar me këtë praktikë sigurie të hequr prej më shumë se 15 vjetësh, kontrollojnë çdo pasaportë dhe nuk ngurrojnë të shohin në liste dhe kompjuter për dhjetë minuta një gazetar danez nëse atij i duhet apo vizë, për të hyrë në Belgjikë. “U rikthyem në vitet 90”, thotë një eurodeputet Italian, i stresuar nga kontrolli që i bën pasaportës sime polici francez. Dhe të mendosh se e gjitha kjo, ndodh në një udhëtim që në vetvete zgjat vetëm 40 minuta, mes dy qyteteve që vetëthirren me mburrje si kryeqytetet e Europës së Bashkuar. Po. Europa e Bashkuar, një term sot aq larg ëndrrës së viteve 50, nën kërcënimin e terrorizmit të brendshëm, rritjes së ekstremit të djathtë dhe kërcënimit të Brexit, apo referendumit britanik për qëndrimin apo jo në BE, të ishujve mbretërorë. Europa që ndeshet me realitetin e frikshëm polka, që po rrëshqet aq djathtas dhe po deformon demokracinë e saj të britshtë me ndryshimet në sistemin e drejtësisë, sa provokoi debatin më të ashpër dhe delikat në parlamentin europian, në sesionin e tij të parë në Strasbourg për vitin 2016.
Kjo Europë e lodhur, nga burokracia, (sipas gazetës Daily Mail javën e shkuar, 11,5 miliard euro nuk dihet se ku kanë shkuar në aparatin administrativ të saj), të lodhur terrorizmi, të lodhur nga debate pa fund dhe pa vendimmarrje të fortë politike, i duhet të merret me bezdi edhe me hallet e zgjerimit. Të cilat kuptohet nga sa më lart, se janë të fundit për fat të keq, dhe më të parëndësishmet për zyrtaret europianë. “Nëse nuk miratoni Reformën në Drejtësi? Harrojeni integrimin në Europë”. Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë, dhe drejtues kryesor i grupit të madh dhe kaotik parlamentar të qendrës së majtë në Europarlament, i përgjigjet në mënyrë lakonike dhe klinike pyetjes sime ndaj një mundësie dështimi të reformës në drejtësi. Të gjithë kanë të njëjtin shqetësim. Por sigurisht Strasburgu ndryshon nga Brukseli. Strasburgu është qendra politike, aty ku mblidhet parlamenti europian. Aty ku dy herë në vit komisioni ndërparlamentar për Shqipërinë, shndërrohet në turp kombëtar me sherret e shëmtuara si gratë e të njëjtit burrë, mes deputetëve shqiptarë të majtë e të djathtë. Deri dje sëmundja kalonte edhe tek eurodeputetët, të cilët ndaheshin edhe ata në këtë sherr, sipas poleve përkatëse politike. Por duket se diçka ka ndryshuar. E majta dhe e djathta europiane, duket se janë më të unifikuar në qëndrimin e tyre për Shqipërinë. Kjo, sepse edhe Shqipëria duket se ka ndryshuar. Strasburgu dhe Brukseli mendojnë se nuk jemi ne më, djemtë e këqinjtë të Ballkanit. Eshtë Mali i Zi, Kosova, e për më keq, Maqedonia. Edhe në Brukselin e lodhur nga problemet e Unionit, Shqipëria konsiderohet se është më mirë sesa ka qenë. Apo sepse fqinjët po na e kalojnë negativisht? Duket se për BE, kjo ka pak rëndësi, pasi ata thjesht nuk duan më probleme. Ndaj edhe në Strasburg, shtyrja e reformës së drejtësisë nga ekspertët drejt një procesi politik, është diçka e natyrshme. “Në fund të fundit gjithçka në fund do jetë proces politik derisa do votohet në Kuvend”, më thotë Eduard Kukan, 74 vjeçari i këndshëm sllovak, ish-ministër i jashtëm i Sllovakisë dhe ish kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane. Duket se qëndrimet e kithëta së fundmi të Metës për këtë reforme, shihen më shumë me shqetësim në Bruksel, sesa në Strasburg.
“Mendojmë që ndoshta për çështjet e proporcionit të votave për zgjedhjen e gjykatësve, mund të arrihet një kompromis për dy të tretat. Por nëse kompromisi politik do të prekë procesin e vetingut të gjykatësve, atëherë do të kemi një problem të madh për cënimin e thelbit të reformës”, më pohon një zyrtar i lartë i procesit të zgjerimit për Shqipërinë.
Sigurisht që në këtë pikë është e vështirë të kuptosh nëse lodhja për problemet e brendshme, do të ndikojë që Europa të mbyllë një sy dhe të pranojë një reformë drejtësie sa për sy e faqe, apo do t’i rezistojë influencës së virusit shqiptar për të vrarë këtë reform jetike për qytetarët shqiptarë. Duket se më shumë presin që ne të sillemi vetë si europianë, sesa të na detyrojnë të jemi të tillë,. Fundja pasojat negative dihen, ashtu siç duket se është i qartë shansi i artë që ka Shqipëria, për të konsoliduar pozitat e mira që ka sot në Strasburg e Bruksel. Thjesht duhet të nxitojmë, para se kontrollet e pasaportave dhe vizat Schengen të rikthehen. Jo në Strasbourg, por në aeroportin e Rinasit.
Posaçërisht për JavaNews nga Strasburgu
Diskutime rreth kësaj post