Duket se Partia Demokratike nuk do t’i shpëtojë kollaj gjobës 163 milion lekë të vendosur nga Bashkia e Tiranës për protestën e dhunshme të 8 dhjetorit, ku protestuesit e thirrur nga selia blu vandalizuan kryeqytetin. Burime nga Bashkia e Tiranës konfirmojnë se komisioni i apelimit ka rrëzuar ankimimin e PD-së, duke e lënë kështu në fuqi gjobën e vendosur nga bashkia.
Ç’ka do të thotë se PD-ja duhet të derdhë në Bashkinë e Tiranës 163 milion lekë, bashkë me kamatëvonesat, ose në të kundërt drejtoria e tatim-taksave vendore do të marrë masat për bllokimin e llogarive bankare të selisë blu, për vjeljen e shumës në fjalë. Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, ankimoi gjobën e Bashkisë së Tiranës në 6 janar të këtij viti, duke kërkuar anullimin e saj.
Por, nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës ka përsëritur më shumë se një herë se gjoba do të paguhet, qoftë edhe me anë të bllokimit të llogarisë bankare të PD-së, duke nënvizuar se pagesa e gjobës nga PD-ja është e pashmangshme. Megjithatë, nuk dihet ende se çfarë ka ankimuar konkretisht Arben Ristani: 87 protestuesit që urinuan atë ditë apo numrin e pusetave të vjedhura në qytet.
Diskutime rreth kësaj post