Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në vijim të kërkesës së tij drejtuar grupeve parlamentare për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe menjëherë pasi u njoh me kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për plotësimin e këtij komisioni, shpreh bindjen e tij se ky vendim do të merret në seancën më të parë të Kuvendit, atë të datës 28 janar 2016.
Kryetari i Kuvendit shprehet se “reforma zgjedhore duhet trajtuar me seriozitet dhe në përputhje me frymën e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it”. Gjithashtu, ai kërkoi që kjo reformë të kryhet në kohën e duhur dhe me transparencë të plotë.
PD: Reforma zgjedhore, bazuar në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual
Më herët, në një letër drejtuar Kryetarit të Kuvendit, grupi parlamentar i PD-së kërkoi miratimin menjëherë në seancën plenare të datës 28 janar 2016, të vendimit për përbërjen e këtij komisioni, që do t’i hapte rrugë vijimit pa vonesa të punës për realizimin e reformës zgjedhore.
Grupi parlamentar i PD-së vlerëson se kjo reformë duhet të sigurojë forcimin dhe konsolidimin e procesit zgjedhor dhe po ashtu, ndërtimin e shkallës së besueshmërisë për zgjedhje të lira. Reforma, sipas PD-së, duhet të sigurojë që zgjedhjet të jenë standardi bazë-substancial i zhvillimit të demokracisë, legjitimimit të qeverisjes dhe shtetit modern, duke respektuar plotësisht vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
“E rëndësishme në këtë rast është që të kemi një ligj lehtësisht të zbatueshëm për votuesit dhe që u reziston sfidave dhe shndërrohet në një mekanizëm efektiv për të siguruar zgjedhjet e lira dhe demokratike, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës, si dhe me detyrimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, thuhet në këtë letër.
Përmbyllja në një kohë të shpejtë e Reformës Zgjedhore dhe reflektimi në legjislacionin shqiptar i të gjitha rekomandimeve të OSBE/OHDIR-it apo shqetësimeve madhore të ngritura prej tij në raportet përfundimtare të viteve 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri, sipas PD-së, është premisë e domosdoshme për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta.
“Ne vlerësojmë se implementimi i kësaj reforme, duhet të pamundësojë përdorimin e pushtetit publik për qëllime të përfitimit në zgjedhje, blerjes masive të votave me paratë e krimit të organizuar, përdorimit të institucioneve shtetërore si mekanizëm për të siguruar vota apo për të ushtruar presion mbi votuesit, apo keqpërdorimin politik të Policisë së Shtetit”, vijon PD.
Në këtë kuadër, PD kërkon marrjen e masave të menjëhershme për të garantuar fillimin e punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore, bazuar në një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual.
Diskutime rreth kësaj post