Ndërtimi i shëtitores në Himarë, IKMT vijon aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është rikthyer sot në zonën e Himarës për prishjen e ndërtimeve pa leje.
Mëngjesin e sotëm, IKMT njofton se ka nisur një operacion për prishjen e dy objekteve tre katëshe multifunksionale pranë bregut të detit me një sipërfaqe 684 dhe 176 m2.
Aksioni vjen në kuadër të projektit të qeverisë për ndërtimin e shëtitores në Himarës.
Qytet dhe plazhe tipike mesdhetare do të jetë pamja e re e Himarës dhe e Bregu të Jonit në tërësi qysh në sezonin e ardhshëm turistik. Në Bregun e Jonit ka nisur realizimi i një pakete të plotë investimesh, të financuara nga qeveria shqiptare, që brenda vitit të ardhshëm do të rivlerësojë të gjithë potencialin turistik të bregut.
Përgjatë vijës Spile-Himare dhe në 9.880 metra katror sipërfaqe po ndërmerren ndërhyrje arkitekture peizazhi, zhvillimi urban dhe rekreacioni.
Shëtitorja ekzistuese po transformohet me vijën natyrale të terrenit që lidh detin me ndërtesat në vijën e parë të bregut. Projekti ruan karakteristikat e zonës, duke përdorur materiale që i afrohen elementeve natyrale të formimit të plazhit.
Në projekt parashikohen të mbillen gjithashtu pisha mesdhetare. Në pjesën veriore të shëtitores do të instalohet edhe një port turistik.
Ndërhyrjet e aplikuara si një e tërë do të unifikojnë panoramën e qytetit të Himarës, duke i dhënë fund kështu, kaosit urban shumëvjeçar.
Përveç krijimit të një hapësire të re bashkëkohore për qytetin, ndërhyrjet tërësore do të fuqizojnë potencialin turistik të Himarës dhe turizmit shqiptar, si dhe do t’i japin zhvillim të ri aktivitetit ekonomik dhe tregtar.
Rilindja urbane ka nisur dhe do të vazhdojë edhe në plazhet e tjera të bregut si Dhërmiun, Jalën, Qeparoin, Vunoin.
“Pas 20 e kusur vitesh i jepet mundësia Himarës që të jetë jo vetëm vendi ku njerëzit vijnë, por edhe vendi ku marrin shije krejtësisht tjetër dhe hap rrugën e një ripërtëritjeje edhe urbane, edhe mjedisore, edhe shpirtërore. U godit keq shumë edhe Himara në identitetin e vet dhe u mbulua nga pluhuri e balta estetike e bathorizimit.
Ajo që është më e rëndësishme është prapë, pjesë e një përshkallëzimi të kësaj ripërtëritjeje që do të vazhdojë me sheshin e bashkisë, që faktikisht do t’i japë Himarës një qendër administrative si të çdo qyteti të vogël, por të rëndësishëm turistik të Mesdheut, do të vazhdojë me plazhet e Dhërmiut e të Jalës që do t’i shtohen hartës, sëbashku me plazhin e Qeparoit, do të vazhdojë me kthimin në identitet të Vunoit dhe Dhërmiut të vjetër”, deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë një inspektimi në dhjetor të vitit të kaluar në Himarë
Diskutime rreth kësaj post