Regjisori i njohur i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti kremtoi sot 80 vjetorin e lindjes.
Në një festë speciale, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, miq e të afërm, si dhe artistë të shumtë i kanë uruar kineastit Anagnosti ditëlindjen edhe me një tortë që kujton një jetë të tërë me filmin.
Ai ka lindur në Vuno të rrethit të Vlorës më 23 janar 1936.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën , “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë realizoi i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.
Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.
Ai është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10 të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).
Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Diskutime rreth kësaj post