Shqipëri
18, janar 2016
Pas deklaratës për marrjen e masave nga vendorët për të pastrehët në kushtet e motit ekstrem, Avokati i Popullit Igli Totozani ka zbritur në terren. Këtë të hënë ai ndodhej në Kukës, ku ka marrë informacion për menaxhimin e situatës.
Totozani u takua me kryetarin e bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, prefektin Liman Morina dhe drejtorin rajonal të OSHEE-së.
Gjithashtu, Totozani zhvilloi një vizitë monitoruese në spitalin rajonal të Kukësit, mbi gatishmërinë në rast vështirësish. Ai u interesua dhe për furnizimin me ushqime dhe ilaçe për banorët e zonave të bllokuara dhe fshatrat e largëta.
Më problematike situata paraqitet në qendrat shëndetësore rajonale, sidomos në zonat e thella malore, ku shpesh mungojnë mjekët specialistë. Një tjetër vështirësi është edhe transporti i rasteve emergjente, për shkak të disa rrugëve të bllokuara.
Në këto raste transporti i pacientëve kryhet me mjete rrethanore. Ndërsa, për rastet e rënda është vënë në dispozicion helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë
Kosovë
Kosova këtë fillim fundjave do të jetë nën ndikimin e masave të ftohta të ajrit me presion të lartë atmosferikë, të cilat do të jenë prezente vetëm sot, në orët e para të ditës, kurse nga dita e dielë do të ketë ngritje të temperaturave minimale dhe atyre maksimale.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në njoftimin e dërguar parashikon se, “të dielën, si rezultat i ngritjes së temperaturave në dy vlerat ekstreme, ka mundësi që vende-vende të ketë reshje të dobëta dëbore”.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga -15 deri -17 gradë, kurse maksimalet e ditës nga -3 deri 1 gradë Celcius. Shtypja atmosferike do të mbetet mbi vlerat e normales,në shumë vende pritet të ketë edhe mjegull, kurse era do të fryjë nga drejtimi verilindor me shpejtësi 1-3 metra në sekondë.
Diskutime rreth kësaj post