Bashkia e Tiranës është në përfundim të punimeve për rihabilitimin e brendshëm të varrezave, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së re për shtimin e parcelave.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në varrezat e Tufinës, nga ku njoftoi se në këto gjashtë muaj administrata e re ka ecur me ritme të shpejta për të investuar e rehabilituar këtë zonë, si dhe për të paraqitur projektin e ri për varrezat murale.
“Në varrezat e Tufinës kemi krijuar një hapësirë dinjitoze, me hapësira parkimi, si dhe duke sistemuar të gjitha parcelat, për t’u siguruar që çdo qytetar që vjen për të vizituar të afërmit e tij, të gjejë një vend të qetë e jo një vend të rrëmujshëm, që është çdo ditë nën trysninë e ndërtimeve pa leje”, u shpreh Veliaj.
Po ashtu, ai shtoi se “për varrezat e Tiranës do të kemi edhe disa investime të tjera, si projekti për varrezat murale. Fillimisht do të nisim me sistemimin e varreve të braktisura, këtu e pesëdhjetë vite më parë, në mënyrë që edhe qytetarët të njihen me këtë proces njerëzor, i cili funksionon në të gjithë botën dhe kursen hapësirat publike”.
Deri më tani në varrezat e Tufinës janë shtruar 11 mijë metra katrorë asfaltime, 8600 metra katrorë beton pedonal dhe janë bërë 24 kilometra linja nëntokësore të ujërave të bardha.
Gjithashtu, është vendosur edhe një tendë për njerëzit që bëjnë pritje në kohën e shirave, si edhe është kryer rikonstruksioni i zyrave të ndërmarrjes funerale. Krahas sistemit të hapësirave është punuar dhe për infrastrukturën, me vendosjen e koshave dhe stolave. Sipërfaqja totale e zonës ku po kryhet ndërhyrja është 230.000 m2. Në zonën e re u krijuan parcela të reja për varreza, të plotësuara me rrugë me shtresa asfaltike, rrjeti përkatës i kanalizimeve, bordura, trotuare dhe mure betoni.
Diskutime rreth kësaj post