Grainca: Kosova po sheh mundësitë për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë
Kosova është e interesuar të jetë pjesë e Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO) dhe për këtë po shikohen mundësitë për hapat dhe procedurat që duhet të ndërmerren në këtë drejtim.
Kështu tha për KosovaPress, Blerim Grainca, anëtar i komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Grainca këto ditë ka zhvilluar një turne zyrtar në Austri, Francë e Zvicër, në kuadër të të cilit ka pasur disa takime me rëndësi në sektorin e ekonomisë dhe tregtisë.
Ai konfirmoi për KosovaPress se ndër takimet e veçuara të këtyre ditëve, ishte ai në Gjenevë të Zvicrës me z. Bernard Kuiten, kryesues për marrëdhënie me jashtë i WTO-së.
“Biseduam për procedurat dhe hapat që Kosova duhet të ndjekë në rrugën për anëtarësim në këtë organizatë, çka edhe do të ishte një mundësi e mirë dhe plot shanse për vendin”, tha Grainca.
Ai tregoi se gjatë këtyre ditëve ka pasur takime edhe me deputetin e parlamentit francez, Marc Francina, me të cilin u dakorduan për bashkëpunim ekonomik dhe një vizitë në Kosovë të një grupi investitorësh në fushën e turizmit, minierave dhe metaleve. Vizita do të bëhet gjatë muajit qershor, tha Grainca.
Ndërkohë gjatë vizitës së tij në Salzburg të Austrisë, Grainca tha se ka pasur takime me kompani austriake të interesuara për investime në Kosovë.
Deputeti Blerim Grainca ka përmbyllur vizitat edhe me disa takime me shqiptarët nga diaspora me të cilët kanë biseduar rreth mundësive për investime në Kosovë
Diskutime rreth kësaj post