Dokumentari “Mendoj për ty” dedikuar grave viktima
Është shfaqur mbrëmjen e së premtes në sallën e COD pranë Kryeministrisë në Tiranë, filmi dokumentar i producentes Anna Di Lellio “Mendoj për ty”, bazuar në një projekt artistik dedikuar grave viktima të dhunës gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.
Në aktivitetin e organizuar më këtë rast nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti për Kontratën Sociale, mori pjesë edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, zv/kryeministri Niko Peleshi, ministri MSR, Blendi Klosi, disa gra të dhunuara gjatë luftës së Kosovës, të cilat me dëshmitë e tyre ishin dhe protagoniste në veprën e shfaqur, përsonalitete nga fusha e artit dhe politikës në Tiranë e Prishtinë, etj.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, presidentja Jahjaga vlerësoi lart qëndresën e mijëra grave të dhunuara seksualisht dhe jo vetëm, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe përpjekjet e tyre për tu mirëintegruar në shoqëri.
Sipas saj, është shumë i rëndësishëm fakti që këto gra, të cilat me plagët e hapura i mbijetuan me kurajo dhe guxim krimeve ç’njerëzore që u shtruan mbi to, kanë gjetur mbështetjen dhe solidaritetin e pakursyer të shoqërisë.
“Është detyrë e politikës por dhe e shoqërisë, tha Jahjaga, të bëjmë ç’është e mundur për tu garantuar të mbijetuarave një të ardhme të mirë. Ne nuk mud ta ndryshojmë të kaluarën, por së bashku duhet të biem dakord që e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre të mos përcaktohet nga e kaluara, nga krimi që u konsumua padrejtësisht në trupin e tyre”, theksoi Kryetarja e Shtetit të Kosovës.
“Turpi nuk është mbi ju, por mbi ata që kryen këtë krim në trupin e tuaj”, u tha Jahjaga të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Ajo falenderoi shtetin dhe popullin shqiptar për “dyert hapur” për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës atje.
“Do u jemi përjetësisht mirënjohës që na hapët dyert, na qëndruat pranë, na mbështetët e vijoni të na mbështesni edhe sot në të gjitha proceset e rrugëtimit tonë drejt integrimit”, iu drejtua Jahjaga popullit dhe politikës në Shqipëri.
Jahjaga tha se instalacioni me 5000 fustanet e ekspozuara me 12 qershor të vitit 2015 do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e qytetarëve, si dhimbje e së kaluarës, por dhe forcë për ringritje.
“Me plagët e hapura të krimit gjetëm forcën për mbijetesë, shpresën për një të ardhme më të mirë, për t’u kapur më shumë tek e drejta e tyre për një jetë në paqe dhe drejtësi. Kujtimi i asaj dite, 12 qershorit, ditës më të shenjtë të Kosovës, dita e çlirimit, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua nga 5000 fustane do të jetë gjithmonë i freskët jo vetëm në mendjen time por shumë qytetarëve të Kosovës. Ajo ditë përcolli shumë dhimbje, por mbi të gjitha përcolli shumë shpresë teksa u bëra dëshmitare e një solidarit eti të pashoq, duke tejkaluar edhe kufijtë e Kosovës. Thirrja bëri të thyhej heshtja për të luftuar stigmën, u bë i zëshëm krah përkushtimit për njohjen e këtij krimi dhe të një përbetimi shoqëror dhe institucional për ta dënuar atë njëherë e përgjithmonë dhe bërë ç’është e mundur për t’u garantuar të mbijetuarve një jetë në paqe dhe drejtësi shumë të merituar”, tha Jahjaga.
Diskutime rreth kësaj post