Partia Demokratike kërkon një draft për reformën në drejtësi të realizuar me konsensusin e të gjitha partive, tha deputeti demokrat, Eduard Halimi, në përfundim të takimit me raporterët e Komisionit të Venecias, që janë duke zhvilluar një sërë takimesh në Tiranë në kuadër të reformës në drejtësi.
Në përfundim të takimit me raporterët, ish-Ministri Drejtësisë, Halimi tha se “PD kërkon konsensus, ndërkohë që Qeveria jo”. “Ne duam një reformë në drejtësi të plotë, ashtu siç rekomandon Komisioni i Venecias. Duam konsensus me të gjitha palët dhe të kemi një draft të përbashkët. Këtë këshillon edhe Komisioni dhe raporterët e Komisionit të Venecias”, tha Halimi.
Ai shtoi se qeveria kërkon ta kap drejtësinë, ndërsa PD synon forcimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. “Qeveria po tregon hapur se kërkon ta kap drejtësinë. Ajo nuk kërkon të pranojë sugjerimet e Komisionit të Venecias, pasi nuk e ka këtë vullnet. Ajo ka vullnet për ta kapur drejtësinë”, nënvizoi Halimi.
Ekspertët e Venecias janë takuar fillimisht me ekspertët e Nivelit të Lartë të grupit të punës për të diskutuar me ta draftin e rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, në funksion të draft-opinionit të miratuar nga vetë Komisioni i Venecias më 19 dhjetor 2015. Më pas janë takuar me diplomatë të akredituar në Tiranë, Ministrinë e Drejtësisë, Ylli Manjani, si edhe me përfaqësues të opozitës. Të premten, në përmbyllje të axhendës së tyre Grupi i Reporterëve të Komisionit të Venecias, në ora 19.00 do të ketë një konferencë për shtyp.
Diskutime rreth kësaj post