Nga Majlinda Bregu
Të mërkurën, më datën 20 janar, TV Klan ritransmetoi një emision të pesë vjetëve më parë. Ose më saktë, të pothuajse pesë vjetëve më parë. Sepse emisioni ishte transmetuar live fiks në datën 21 janar, vetëm pak orë nga përfundimi i demonstratës së dhunshme.
Dje përjetova shumë ndjesi të përzjera. Njëra nga to, më e parëndësishmja ishte që shumë vetë e pandehën se emisioni i ritransmetuar ishte gjithashtu live. Një provë që shumëkush, debatin politik, edhe atë më të rëndësishmin, e sheh me lodhje, me mosbesim dhe në mënyrë fare sipërfaqësore. Ose akoma me keq sot, e sheh thellesisht të munguar. Mbase kjo nuk është domosdoshmërisht e keqe. Por është keq dhe shumë keq kur po këtë lloj vështrimi e bën politika.
Dhe diçka e fundit: në panelin e Opinion-it, ishte dhe një karrige bosh në krahun tim. Nuk e mbaj mend ose më saktë dua ta harroj dhe ky është ushtrim kujtese, se cili nuk erdhi atë natë…
Në përgjithësi nuk i rishoh emisionet e mia. Por atë emision e pashë. Dhe e pashë me një ndjesi dhimbjeje, trishtimi, gjykimi, paragjykimi te vetes, të të pranishmëve dhe të munguarve apo dhe të gjitha bashkë. Çfarë do të thosha ndryshe sot nga ajo e djeshme – më falni, nga pesë vjet më parë?
Asnjë fjalë nuk do t’ i hiqja qëndrimit tim të pese viteve më parë sigurisht e parë edhe në raport me informacionin, turbullinë e shpeshtësine e ndodhive të asaj ditenate.
I besoj kujtesës time, përjetimit të miqve te mi, mbi të gjitha bindjes se asnjë akt i dhunshem nuk përligj dëshirën për pushtet dhe se çdo grup njerëzish, qoftë parti, masë apo turmë kudoqofshin për të ardhur në pushtet kanë nevojë të ndërtojnë besimin e jo të shkatërrojnë institucione.
I besoj gjykimit sot për nje “biblotekë”të tërë me karaktere të vërtetë, të gabueshëm, të dyshimtë, të rremë, frikacakë, trafikantë pushtetesh, pushtetarë e sharlatanë publikë, të cilët dje ishin të gjithë protagonistë të ngjarjes, e sot janë gjallë në protagonizmin e tyre shëtitës politik.
Ka një shprehje të urtë që këshillon njeriun që të përdorë fjalën vetëm kur heshtja nuk i zgjidh punë. Dhe dikush edhe e ka bërë. Dhe sot është i qetë sepse askush nuk do ta qortonte si e the, çfarë the dhe pse e the? Unë nuk e dua këtë këshillë. As dje. As sot. Edhe pse sot me pëlqen të flas edhe me pak heshtje më shumë.
Nuk isha aq e mençur atë 21 Janar sa të parashikoja se armiqtë e 21 janarit do të çertifikoheshin si Aleanca e Shqiperise Europiane me 23 qershor! As se kjo aleance do të degradonte në një spektakël të kontrolluar mirë, ku dhe media ka rol kryesor.
Isha e qartë se pavarësisht se atë natë numri i viktimave nuk dihej, mosbërja drejtësi për 21 janarin, do të ishte padrejtësia më e madhe dhe borxhi i pashlyer që do të thyente çdo kurriz.
Pesë vjet janë diçka në një jetë njerëzore, por janë shumë pak në historinë e një shoqërie. Pesë vjet, megjithatë, janë të mjaftë për të kuptuar diferencën: dje ishte kohë betejash, sot është kohë pazaresh.
Eshtë zgjedhje individuale dhe morale pastaj të zgjedhësh në cilën kohë do të jesh!
Mua më vjen hidhur që sot nuk ka më politike me debat, por gjasme politikë me gjasme debat,me shumicë bindjet politike tregtohen si plackat ne mes te rrugës, e morali politik eshte gati pornografi.
Dhe si për mbyllje mendimi. Nuk mendoj se në politikë duhet të jenë vetëm guximtarët. As se gratë duhet të jenë të parat në beteja, e të fundit në pretendime.
Por ky është reflektim personal dhe politika duhet të jetë edhe reflektim. Për të reflektuar me veten, këtu po duhet guxim.
Unë nuk besoj se hyj gjithmonë në këtë kategori, por me siguri mund të them se nuk kam frikë. Kryesisht nga e shkuara ime!!! Edhe nga ato që kam thënë. Edhe nga çfarë reflektohet pesë apo dhjetë vjet më pas nga qëndrimet politike. Sepse politika ka nevojë ulëritëse për një gjë që i mungon: Sinqeriteti. E vërteta. Së pari me vetveten. Pastaj me të tjeret.
Diskutime rreth kësaj post