Parlamenti u përfshi të enjten nga debatet e ashpra mes palëve për ngjarjet e 21 janarit 2011, ku pesë vjet më parë, gjatë protestës së opozitës së majtë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ u vranë katër protestues.
Ish-kryeministri Sali Berisha e cilësoi protestën një puç për përmbysjen me dhunë të pushtetit, ndërsa përsëriti akuzat ndaj kryeministrit aktual Edi Rama, si përgjegjës për vrasjet e 21 Janarit.
“Si sot pesë vjet më parë falangat e krimit bëne përpjekjen monstruoze për përmbysjen me dhunë të pushtetit të dalë nga vota e qytetarëve, organizuan puçin. Bëtë çdo gjë të merrnit me dhunë vetë pushtetin. Në këtë puç u vranë 4 qyetarë. Sot kanë kaluar 5 vite nga kjo datë, por krimi i shëmtuar rëndon mbi Edvin Kristaq Ramën dhe suitën e tij. Por, kurrë institucionet demokratike nuk mund të pushtohen me dhunë”, tha Berisha.
Braçe: 21 janari, krim shtetëror. Berisha përgjegjës
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe reagoi ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Berisha per ngjarjet e 21 janarit, duke e bërë atë përgjegjësin kryesor për vrasjet e asaj dite. “Më 21 janar 2011 u vranë 4 qytetarë që nuk përbënin asnjë rrezik për institucionet. Për këtë krim, Berisha duhet të japë një deklaratë zyrtare për ngjarjen, si personi që kishte marrë përsipër menaxhimin e shtetit”, tha Braçe.
Kritika të ashpra drejtoi deputeti socialist dhe ndaj institucioneve të drejtësisë, që nuk ende nuk e kanë zbardhur të vërteten,por dhe ndaj rolit të ish-ministrit të Brendshëm të kohes, Lulzim Basha, sot kryetar i Partisë Demokratike. Braçe hodhi poshtë akuzat e para pesë viteve të ish-kryeministrit Berisha se protestuesit ne bulevard u vranë nga elementë të armatosur të opozitës. Ishte Garda e Republikës, tha ai, qe sipas një urdheri, vrau 4 persona dhe plagosi 6 të tjerë.
“Si ka mundësi që ti, si njeriu që drejtonte Kryeministrinë dhe planet për mbrojtjen e Kryeministrisë, nuk je paraqitur asnjëherë në prokurori për të dhënë deklaratën tënde?” iu drejtua Braçe Berishës. Ai akuzoi ish-kryeministrin se është ai që kontrollon sot gjykatat dhe nuk lejon të bëhet drejtësi për ngjarjet e 21 janarit dhe po ashtu as reformën ne drejtësi. .
PD: Rezolutë për Ibrahim Rugovën; PS: Komisioni i Jashtëm te hartojë tekstin
Në fillim të seancës së sotme të Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, njoftoi për depozitimin në Parlament të një projekt-rezolute ‘Për nderimin dhe mirënjohjen e thellë nga Republika e Shqipërisë për figurën e Presidentit Ibrahim Rugova’, në 10-vjetorin e vdekjes.
Në këtë prrezolutë, PD kërkon që në përkujtim të rolit dhe figurës së Rugovës, të vendoset në një nga sheshet kryesore të Tiranës shtatorja e ish-presidentit të Kosovës. “Qëllimi i kësaj rezolute është vetëm përkujtimi në dhjetëvjetorin e vdekjes i Presidentit Rugova dhe shprehja e këtij parlamenti në nderim të një figure me përmasa jo vetëm kombëtare, por dhe ndërkombëtare”, tha kreu i grupit demokrat. Ne e kemi paraqitur në formën e një rezolute, por nëse ka ndonjë diskutim për tekstin e saj jemi të hapur ta diskutojmë, shtoi ai.
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ne paraqitjen e qendrimit te maxhorances verejti se teksti i rezolutes është në shproporcion total, si në rreshta dhe në përmbajtje. “Ai është tërësisht i padenjë për të vlerësuar kontributin e Rugovës, që i dha Kosovës lirinë, shtetin dhe demokracinë. Ndaj do preferoja që komisioni i jashtëm, së bashku me cilindo deputet që do të përfshihet në këtë çështje, të hartojë një dokument serioz që vlerëson dhe shpreh gjithë vlerësimin e qytetarëve shqiptarë”, tha nënkryetari i grupit socialist.
Diskutime rreth kësaj post