Edhe pse emocionet duken si pjesa më pak shkencore e eksperiencës njerëzore, është e vërtetuar se shkenca ka njohuri të mjaftueshme mbi mënyrën se si prodhohen reagimet emocionale. Zona të caktuara të trurit, reagojnë kur ekspozohen ndaj stimujve emocionalë, duke bërë që gjendrat përkatëse të sekretojnë kombinime të caktuara të shkaktojnë gjendje specifike emocionale – e thënë në mënyrë më të thjeshtë është shkenca e trurit. Në fakt, sa më shumë e studiojnë komunitetet shkencore rolin që luajnë emocionet në sjelljen njerëzore dhe zhvillimin e tij, aq më shumë vihet në dukje se ky rol ka qenë shumë i rëndësishëm në evolucionin tonë – dhe emocionet janë më shumë komplekse nga sa tregohet, për të mos thënë po aq misterioze sa kemi besuar gjithmonë.
Emocionet negative mund të jenë të dobishme
Kultura jonë insiston se të menduarit pozitiv është kritik (dhe si pasojë, të menduarit negativ është i dëmshëm) për të arritur qëllimet dhe për të shijuar jetën. Ashtu siç ndodh në pjesën më të madhe të qëndrimeve që shfaqen në kulturat e ingranuara, kjo rezulton të jetë më e thjeshtë nga sa duket. Kërkimet më të fundit kanë sugjeruar se aftësia për të menaxhuar në mënyrë të suksesshme emocionet dhe mendimet negative, nuk është vetëm e shëndetshme, por është një element i rëndësishëm që lidhet me shëndetin mendor. Në fakt, mendimet negative luajnë një rol të rëndësishëm në të kuptuarin dhe asimilimin e eksperiencave tona, dhe përpjekja për t’i shtypur apo injoruar ato mund të ketë efektin e kundërt. Për më tepër, studimet e hershme që kanë treguar se njerëzit që mendojnë pozitivisht janë më të shëndetshëm, nuk kanë dhënë shpjegime shkakore – që nënkupton se, shëndeti mund të çojë në të menduar pozitiv, por jo e anasjellta. Studiues, si psikologu Martin Seligman (autor i librave për subjektin në fjalë), kanë sugjeruar se optimizmi i tepërt mund “të na ndalojë ndonjëherë të shohim realitetin me kthjelltësinë e duhur”. Kjo nuk do të thotë se gjendjet depresionuese apo negative janë të mira për ju – është aftësia për të njohur dhe procesuar mendimet dhe ndjenjat negative, që besohet se në të vërtetë çojnë në një konceptim më pozitiv të jetës. Ky nuk është rasti kur thuhet se një buzëqeshje e sforcuar do të ju bëjë të ndiheni më mirë.
Emocionet negative janë më të vështirat për të qenë pjesë e “shtirjes”
Pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë se është shumë e thjeshtë të bëjnë një ‘gëzuar’ të shtirur, dhe të gjithë njerëzit janë fajtorë se kanë shprehur entuziazëm të rremë në një moment të caktuar në jetën e tyre. Por jeni përpjekur ndonjëherë të shtireni si të zemëruar? Po të trishtuar? Pjesa më e madhe e njerëzve nuk e gjejnë veten në situata që kërkojnë që të veprohet në këtë mënyrë, dhe kjo rezulton të jetë një gjë e mirë – këto janë ndër emocionet më të vështira për të qenë pjesë e një shtirje. Arsyeja e kësaj mendohet të jetë natyra konfliktuese e këtyre emocioneve. Për shembull, dridhja e buzës lidhet me trishtimin dhe ndodh sepse dy muskuj të ndryshëm të fytyrës e shtyjnë atë në drejtime të ndryshme, ku një pjesë e trurit përpiqet të hapë gojën dhe një pjesë tjetër përpiqet ta kontrollojë atë. Emocione të tjera negative, si zemërimi apo frika, në mënyrë të ngjashme shkaktojnë tension ndërmjet muskujve që kryejnë funksione të ndryshme. Gjuha trupore luan një rol të rëndësishëm në shprehjen e emocioneve, dhe gjuha pozitive trupore (që shprehet kur ne ndihemi konfident dhe kemi situatën nën kontroll) është më e thjeshtë të realizohet, krahasuar me gjuhën negative trupore. Për ta përmbyllur, tregues të ndryshëm fizikë të emocioneve negative (si rrënqethjet, djersitja apo lotët) janë praktikisht të pamundura të prodhohen në bazë të një urdhri apo kërkese. Edhe aktorët profesionistë kanë vështirësi në arritjen e kësaj.
Sarkazma i bën njerëzit më të zgjuar, më kreativë
Nëse reagimi juaj ndaj kësaj teme ishte “po, patjetër!” atëherë urime. Rezulton se ushtrimet mendore që nevojiten për të procesuar me sukses sarkazmën, janë të tipit që njerëzit shumë të zgjuar dhe kreativë duhet të përdorin në mënyrë të rregullt, dhe kjo gjë mund të ndikojë në rritjen e kreativitetit dhe zgjidhjen e problemeve. Një studim i kryer në 2011 shpjegoi deri diku se pse ndodh kjo. Në thelb, ndërkohë që një përgjigje e drejtpërdrejtë kërkon vetëm nivele bazë të kuptuari, reagimet sarkastike kërkojë nivele të shumëfishta të kuptuari – që nënkupton se dëgjuesi duhet të ketë parasysh eksperiencat, pikëpamjet dhe idetë e personit të cilit flet, dhe të asimilojë informacionin duke analizuar atë që është thënë. Kjo gjë është e rëndësishme pasi sarkazma është mjaft e përhapur në shoqërinë njerëzore. Sipas një studimi, fraza “po, patjetër!” është përdorur si sarkazëm në 23 % të rasteve të shprehura. Gjithashtu, është zbuluar se përdorimi i sarkazmës shfaqet më tepër në bisedat që realizohen përmes kompjuterit.
Emocionet mund të ndihmojnë në parashikim e së ardhmes
Një studim i “Columbia University”, së fundmi tregoi mbi atë që ata e kanë quajtur “Efekti Orakull i Emocioneve” – fenomeni sipas të cilit ata që i besojnë ndjenjave të tyre janë më të predispozuar që të parashikojnë rezultatin e një ngjarjeje të ardhshme. Dhe jo të një ngjarjeje dosido: si skuadra kontrolli, studimi përdori tetë studime unike që përfshinin një sërë eventesh, përfshi këtu zgjedhjet presidenciale të 2008-s, fituesin e ‘American Idol” dhe motin. Po, motin. Autorët e studimit spekuluan se ata me nivele më të larta besimi në ndjenjat e tyre kishin akses në atë që autorët e quajtën “dritarja e privilegjuar”, në informacionin e të pandërgjegjshmes. Kjo tregon se sistemi emocional mund të ketë ndikim të madh në vendim marrje dhe informacionin që procesohet përpara mendimit – këto impulse emocionale janë thelbësore në mënyrën se si ne procesojmë informacionin. Në mënyrë të çuditshme, nuk është zbuluar efekti i kundërt. Subjektet me nivele të ulëta besimi në ndjenjat e tyre, nuk treguan nivele të ulëta krahasuar me subjektet neutral. Por ata që i besonin instikteve të tyre ishin shumë më mirë në parashikim e ngjarjeve – një provë e dukshme se racionaliteti nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë për një analizë të përshtatshme.
Ëndërrimi ndihmon në ‘lehtësimin’ e kujtimeve të dhimbshme
Ndërkohë që flemë, truri ynë është mjaft aktiv në procesimin e të dhënave, në riparimin e lidhjeve, dhe (për disa arsye të panjohura) në prodhimin e disa ‘filmave’ të pashpjegueshëm. Cilësitë lehtësuese të një ‘gjumi të mirë’ – gjumë i rehatshëm gjatë fazës REM – janë kritike në përmirësimin dhe rikuperimin e vetes nga eksperiencat traumatike. Gjatë kësaj faze, prodhimi i hormoneve të lidhura me stresin ulet ndjeshëm. Neurologu Methju Uokër, beson se procesimi që i bën truri kujtimeve të dhimbshme, pa praninë e kimikateve/hormoneve që prodhojnë stres, bën që emocionet negative të shfaqen më pak – kujtimet bëhen më faktuale, më pak ndikuese dhe si rezultat më pak të dhimbshme. Kjo gjë mbështetet dhe nga fakti se reduktimi i këtyre hormoneve përmes medikamenteve ka treguar se ndihmon në përmirësimin nga Stresi Post Traumatik. Uokër është shprehur “Kemi dëgjuar të na thonë gjithë jetën se nëse nuk ndiheni morë, atëherë shkoni të flini. Do të ndiheni më mirë të nesërmen.” Por megjithatë, ende nuk ka prova shkencore që e vërtetojnë atë.
Edhe kafshët kanë emocione
Që fëmijë, ne i atribuojmë emocione kafshëve, dhe në një farë mënyre inkurajohemi ta bëjmë këtë. Dhe jo vetëm kafshët tona – literatura dhe filmat për fëmijë janë pothuajse tërësisht me kafshë që flasin, qeshin, këndojnë, duke filluar që nga qentë deri tek macet, derrat dhe lopët. Dhe këtu fillojnë dhe problemet, sepse në një moment të caktuar ne kuptojmë që ne realisht i hamë këta derra dhe lopë, dhe ideja që ata mund të kenë emocione të ngjashme me të njeriut bëhet frikësuese dhe e tmerrshme. Fatkeqësisht (vetëm nëse jeni vegjetarian) rezulton se kafshët në fakt kanë ndjenja si qeniet njerëzore. Një nga emocionet që shfaqet në shpesh tek kafshët është hidhërimi. Sjelljet që shoqërohen nga kjo ndjenjë nuk rezultojnë të sjellin ndonjë avantazh evolucionar. Kafshët që përjetojnë këtë ndjenjë kanë tendencën të devijojnë nga sjelljet e tyre të zakonshme; ndalojnë së ngrëni, disa largohen nga grupi për ditë të tëra. Duke qenë se një sjellje e tillë nuk vjen si pasojë e instinktit të mbijetesës, dhe nuk i shërben një qëllimi të tillë, mund të supozohet vetëm se sjellje të tilla shfaqen për një arsye, për të njëjtën që e shfaqin dhe njerëzit: dashurinë e humbur.
Emocionet orientojnë sensin tonë mbi moralitetin
Mund të duket intuitive të menduarit se ndjenja jonë e moralitetit ndikohet nga reagimet emocionale. Që do të thotë, ne e dimë se të lënduarit e njerëzve është e gabuar, ndaj dhe kur shohim që dikush është i lënduar, kjo gjë na bën dhe ne të zemëruar apo të mërzitur. Shkenca, edhe një herë, sugjeron se ndodh tërësisht e kundërta: nuk është moraliteti që drejton emocionet tona, por janë emocionet ato që i japin formë moralitetit tonë. Kërkuesit kanë zbuluar se kur njerëzit përballen me imazhin e një personi që lëndon dikë tjetër, dy zona të ndryshme të trurit janë ato që reagojnë, përpara asaj zone që lidhet me vendimet e moralitetit. Zona e parë vlerëson nëse akti ishte ose jo i qëllimshëm; zona e dytë, amigdala, lidhet me emocionet. Vetëm pasi imazhi kalon përmes këtyre filtrave, aktivizohet ‘qendra e moralit’. Kjo ndihmon për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje të vjetër filozofike: a besojmë ne se, të sulmuarit e dikujt kur jemi të zemëruar është e gabuar sepse ne e kemi mësuar në atë mënyrë? Apo ne në mënyrë intuitive e dimë se kjo gjë është e gabuar, për shkak të reagimit emocional që prodhohet kur ne e shohim atë? Studiuesit besojnë më shumë në përgjigjen e dytë.
Ndjesitë që shkaktojnë aromat ndikojnë drejtpërdrejt emocionet tona
Kujtimet gjithmonë na shfaqen në formën e imazheve, dhe askush nuk mund të mohojë ndikim emocional që kanë imazhet. Për shembull, të gjithë e dimë ndikim që prodhon një këngë e preferuar. Ndaj dhe është disi e habitshme të dihet se një nga shqisat më të lidhura me qendrën e emocioneve në tru, është nuhatja. Një arsye që ndodh kjo gjë, është se nuhatja është pjesë e të gjithë filtrave të trurit. Ndërkohë që mesazhet vizuale, dëgjimore dhe të të prekurit duhet të procesohen nga sensorë të ndryshëm dhe të kalojnë përmes talamusit, aromat kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me korteksin e nuhatjes, më specifikisht në zonën e amigdalës, ku kanë origjinën dhe emocionet. Një arsye tjetër lidhet me natyrën primitive të shqisës: ndërkohë që ne nuk besojmë në të në mënyrën që paraardhësit tanë besonin, kujtimet që lidhen me erërat tentojnë të mbeten në mendjen e njeriut në mënyra që kujtimet e lidhura me shqisa apo ndjesi të tjera nuk e bëjnë. Prandaj, tek njerëz të ndryshëm, erëra të caktuara mund të provokojnë reagime të forta emocionale, edhe pse ata nuk janë të ndërgjegjshëm se pse kjo ndodh. Kujtimet e ndërtuara në bazë të aromave mund të krijohen dhe të mbeten pjesë e jetës së njerëzve që në moshë të hershme – dhe mund të ndikojnë në një masë të konsiderueshme në zhvillimin intelektual të individëve. Ata e ruajnë ndikimin shumë më shumë se llojet e tjera të kujtimeve.
Kontrolli i frikës mund t’i bëjë njerëzit më të fortë
Në një komandë trajnimi rekrutësh në Ilinois, ushtria amerikane i mban rekrutët nën sulm të vazhdueshëm. Çdo vit, mijëra rekrutë janë subjekt i sulmeve të ndryshme. Ato janë sulme mjaft realiste, dhe që kanë një qëllim mjaft të qartë: të tmerrojnë pjesëmarrësit. “Supozohet që gjithçka duhet t’i ngjajë realitetit”, shprehet Majkëll Belanger, një psikolog i grupit të punës. “Supozohet që ajo të tmerrojë rekrutët.” Ideja është se kontrolli i frikës, do të bëjë që ushtarët të bëhen më të fortë dhe të besojnë më shumë në trajnimet që kanë bërë, duke përballuar më mirë situatat me stres të lartë – dhe mesa duket kjo funksionon. Duke bërë që reagimet ndaj frikës të shfaqen në mënyrë të përshtatshme, kërkuesit kanë arritur të krijojnë jo vetëm ushtarë më efiçentë, por dhe të largojnë efektet negative mendore dhe emocionale në kohë lufte. Një tjetër përfitim, ka të bëjë me faktin se me anë të kësaj metode identifikohen personat që nuk janë të aftë emocionalisht për të luftuar.
Dashuria nuk funksionon ashtu siç mendojmë ne
Barbara Fredikson ka shpenzuar një kohë të gjatë në studimin e dashurisë, dhe mendon se e di çfarë është ajo: “një mikro moment i një rezonance pozitive.” Kjo duket si diçka që nuk zgjat përgjithmonë, dhe nuk ngjan me përgjigjen që grupi Foreigner kërkonte. Por ajo që është përpjekur të thotë Fredikson është se dashuria është diçka që ne e përjetojmë vazhdimisht, çdo ditë, dhe në një shkallë më të vogël nga sa jemi mësuar të mendojmë – që nënkupton se ka “mënyra të vogla për të përjetuar dashurinë.” Dhe në momentin që ne përjetojmë këto mikromomente, valët e trurit sinkronizohen me personin që ne po i përjetojmë këto momente – edhe nëse është thjesht personi që mban radhën në bankë. Biokimikisht, janë këto reagime brenda trupit tonë që përkufizojnë dashurinë. Ndjenja e dashurisë romantike për një person tjetër, ndodh pothuajse tërësisht për shkak të hormonit vazopresin dhe oksitocin.
Diskutime rreth kësaj post