Nga Andrea Stefani/
“Që kur, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu e shpalli Bashën “yll në ngjitje”, nuk ka reshtur një tendencë për ta konservuar këtë trajektore që synon ta bëjë me çdo kusht Lulin kryeministër. Ngjitet si një tullumbace që e fryjnë pa prerë që të mos humbasë lartësi. Në vend që të gremisej, pas “21 janarit” Basha u bë kryetar i Bashkisë së Tiranës me vota qartazi të vjedhura në fund të procesit të numërimit edhe pse Arvizu kish përveshur mëngët për të penguar çdo manipulim. Forca “perëndish të epërme olimpike” duket kishin vendosur që ai ta merrte atë post sepse është aksiomatike që, po u bëre kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, lartësia tjetër është pa shmangshëm Kryeministria. Më pas, e shohim Bashën në postin e kryetarit të PD. Përsëri me anë të një procesi mjaft të dyshimtë votimi, madje të kontestuar edhe brenda PD, përballë Olldashit.
Kështu ndodhi edhe me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu. Kishim pak kohë që këmbenim mesazhe kur një mbrëmje, marr prej tij ftesën që ta ndiqja në TV në një interviste për gazetaren Sonila Meço. Kuptova se donte edhe një opinion për intervistën. Dhe ja dhashë. Isha mjaft kritik dhe u pa qartë, edhe nga qëndrimi i mëvonshëm (që nuk mora më mesazhe prej ambasadorit) se nuk e pëlqeu fare reagimin tim. Por edhe mua nuk më pëlqeu fare një qëndrim aq refraktar madje jo miqësor ndaj kritikës, edhe pse diskrete, të një gazetari. Në fund të fundit, si gazetar, duhej të jepja opinionin tim që nuk do të thotë pëlqimin për çdo gjë që mund të thotë apo bëjë një ambasador, qoftë edhe ky i SHBA. Një privilegj që nuk e ka gëzuar në SHBA, në marrëdhënien me gazetarët, as Obama dhe asnjë President. Madje, ky është një nga shkaqet se përse SHBA mbeten, megjithë mangësitë, demokracia më e fuqishme në botë. Me ç’duket, ambasadori mirëpriste vetëm pëlqimin. Por do kisha qenë i pasinqertë me të, me veten dhe vendin tim po t’ja jepja. Por mbi të gjitha, me ata që u vranë mizorisht në 21 janar. Me Ziverin, Aleksin, Farukun, Hekuranin.
***
Mbaj mend se në intervistën në fjalë, Arvizu i mëshoi më me theks përgjegjësisë së opozitës për organizmin e demonstratës madje, duke thënë se opozita duhet të kërkonte falje për një gjë të tillë. Prandaj, në mesazhin për të, nënvizova se të kërkosh që opozita të kërkojë falje, është të vendosësh një balancë aspak realiste mes krimit të vrasjes së 4 protestuesve dhe një demonstrate të dhunshme. I bëja edhe pyetjen habitore: Basha një “star”?! Edhe një tjetër pyetje: Vërtet besoni se Berisha është një politikan me ideale demokratike?
***
Në përgjigje të mesazhit tim, Arvizu mohon të ketë vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë dhe opozitës, dhe shton se gjërat mund të ndryshojnë për mirë vetëm nëse janë më të shumtë njerëzit që marrin përgjegjësi. “Unë publikisht kam thënë se qeveria, për shkak se është në pushtet, mban përgjegjësinë kryesore dhe duhet të japë shembullin për këtë. Po vërtet beson se PS nuk ka fare përgjegjësi për atë që ndodhi në 21 janar? Qe një konfrontim dhe kishte dy palë. Mendoj që Ben Blushi mori një pozicion më të përgjegjshëm të cilin unë do të doja ta vlerësoja. Në çdo rast, mesazhi themelor që doja të përçoja është se mbetet e papranueshme për krahët politikë të kërcënojnë ose të pengojnë në çdo mënyrë punën e kryeprokurorit dhe të vepruarit kështu, do të ketë pasoja në termat e marrëdhënieve me SHBA! Dhe e mbyllte: Shpresoj kjo ndihmon!
***
Në fakt nuk më ndihmoi aspak. Nuk pata marrë asnjë përgjigje lidhur me pyejtjet për Bashën si “yll” dhe Berishën si “demokrat’. Ndërkohë nuk arrija të kuptoja sesi mund t’i bënim politikanët shqiptarë të merrnin përgjegjësi mbi vete ndërsa po shpallnim “star” një ministër të brendshëm që nuk mori as përgjegjësinë politike për vrasjen e 4 protestuesve nga ushtarët nën urdhrat e tij? Ja shkrova këto ambasador Arvizut në një mesazh pasues, duke e ilustruar edhe me shembullin e, Jorge Coelho, ministrit portugez të punëve publike që dha dorëheqjen pas shembjes së një ure ku u vranë disa qytetarë. Por nuk mora përgjigje. As më mesazhe”, shkruan Stefani.
Diskutime rreth kësaj post